Nga Edmond Prifti - Nëse keni shkuar disa herë në Krujë, me siguri nuk keni zbuluar ende të gjithë të fshehtat e këtij qyteti, plot ujëvara, kanione, misticizëm dhe legjenda. Ka kaq shumë gjëra për t’u parë, në Krujë e rrethinat e saj, saqë duhen disa rubrika në “Vende dhe Udhëtime”.
Sot përzgjodhëm për ju, atë që quhet Gjurma e Sarisalltikut, Pazarin mbi 400-vjeçar të Krujës, por edhe Kroin e Taslloit, Teqenë e Dollmës, e duke e mbyllur rrugëtimin tonë në perëndim në Malin e Krujës, apo siç njihet ndryshe në Sarisalltikun e shenjtë, atje ku shumë besimtarë, por edhe më pak të tillë, flenë së paku një natë, në atë të ashtuquajturën bujtinë shëronjëse, bektashiane.
Në këtë udhëtim tonin drejt Krujës na shoqëroi përgjatë gjithë kohës Drini Masha, përgjegjës i zyrës turistike pranë Bashkisë Krujë, apo siç njihet ndryshe, Info Point Kruja. Sipas tij kanë dalë në dritë së fundmi pranë Hamamit, - i cili gjithashtu, pritet të hapet zyrtarisht këto ditë, e të funksionojë si dikur, - kalldrëmet e kalasë së lashtë mbi 500-vjeçare, si dhe janë shtuar tabelat informuese në rrugicat e Krujës, të mbushura përplot me turistë, - kryesisht të huaj, - ashtu siç edhe takuam përgjatë këtij rrugëtimi, edhe motoristen amerikane me origjinë nga Italia, Cara Boccieri, që kishte ngelur e mahnitur nga mikpritja e krutanëve, e pazarit të lashtë apo edhe nga magjia e malit të Krujës.
Gjurma e Sarisalltikut
Gjurma e shenjtit Sarisalltik ndodhet veçse disa kilometra pa hyrë në qytetin e Krujës, teksa rruga gjarpëron përmes pishave, që gumëzhijnë me këngë gjinkallash. Në vitin 1967, teqeja u fshi nga faqja e dheut, e po ashtu vendi brenda saj, aty ku njihet si gjurma, u mbulua... për t’u rindërtuar e hapur sërish në vitin 1992.
Sari Salltiku njihet ndryshe edhe si “Shenjti me tri varre”, pasi pelegrinazhe të tilla bëhen te varri i Sari Salltikut në majën e Pashtrikut në Kosovë, në Teqenë e Sari Salltikut, në malin mbi Krujë dhe në Qafën e Zhurit. Të tjera burime thonë se “Shenjti ka shtatë varre”, madje, ajo më e besueshmja thuhet se varri i tij gjendet në kishën e Shën Naumit, në brigjet jugore të liqenit të Ohrit, e kjo mbështetet edhe nga gjeografi dhe studiuesi maroken Ibn Battuta, (1304-1377), i cili ka pohuar se në çdonjërin prej tyre, gjenden pjesë të trupit të martirit. Teqeja, ku ndodhet gjurma e shenjtit, quhet ndryshe edhe teqeja e “Haxhi Shajnit”, një objekt i shenjt i fesë bektashiane, apo ndryshe edhe “Gjurma e shenjtit”, ku turistë të shumtë, por edhe njerëz që nuk i përkasin këtij besimi, shkojnë për pelegrinazh apo për kuriozitet në këtë vend.
“Banorët” e Pazarit
Pazari i Krujës, i quajtur dikur Pazari i Derexhikut, - në kohën e Skënderbeut, - shtrihej që nga zona e Bashkisë së qytetit të sotëm deri te hyrja e Kalasë së Krujës, - atje ku në hyrje të saj, ka qenë një basoreliev me shqiponjë, i cili nga koha, u rrëzua dhe u thye...
Në Pazar, teksa ka vendosur qeleshen e tij, Ndriçim Guri, mjeshtri leshpunues, na rrëfen shkurtimisht se, këtë profesion e mësoi nga i ati, të cilit ia kishte mësuar i ati i tij (fotografitë e të cilëve, ndodhen në pjesën e poshtme aty, ku tjerrën leshin, deri në përgatitjen finale të qeleshes apo plisit).
Pak më tutje, takojmë edhe djaloshin Zimir Berberi që profesionin e të atit, si mbledhës i antikuariateve, ia ka trashëguar edhe atij.
Ai thotë se blerja e tyre është një problem më vete për lejen, e po aq edhe gjetja e antikuariateve që në dyqanin e tij, sëndukët janë mbi 100-vjeçare.
Zimiri na rrëfen për “Vende dhe udhëtime” se i ati ka shkuar deri në Dukagjin apo fshatrat e thella të Mirditës për t’i gjetur dhe blerë ato sëndukë, ndërsa sot mezi gjenden, e po aq të shiten me vleftën deri në 40.000 lekë (sëndukë mbi 100-vjeçarë). Pak më tutje, në këtë pazar, takojmë Dallëndyshe Tabakun, e cila kishte punuar dikur në tezgjah së bashku me 3000 punëtore të tjera, por sipas saj, në tezgjah, sot në Krujë janë rreth 10 syresh, pasi realizimi i këtyre punëve të dorës është një zanat tejet i vështirë e shumë pak i paguar...
Nga znj. Tabaku mësojmë se së paku për një metër katrorë qylym të prodhuar me dizajno të ndryshme, nuk paguhet më shumë se 6000 lekë, e për ta punuar duhen më shumë se shtatë ditë punë, nga tetë orë. Më tej, ajo na rrëfen gjatë procesin e punës tejet të komplikuar në tezgjah (në dy llojet atë vertikal dhe horizontal), me gjelat dhe fijet e leshit të cilësisë së parë... Gjatë rrugëtimit tonë për te kalldrëmet e sapozbuluara të rrugicave të Krujës, teksa rruga të çon për te Hamami, në të djathtë dhe më tej te Teqeja e Dollmës, - nuk e gjejmë më si zakonisht teksa dielli është gati në perëndim, - Baki Dollmën, apo historianin e famshëm poliglot, i cili shet librat e tij në hyrje të kalasë së Krujës. Të birin e tij e takojmë rastësisht teksa marrim rrugën për poshtë kalimit të fshehtë, ku përtej ndodhet Burimi i Taslloit (si dhe Rrapi i Taslloit, monument kulture), teksa na nxjerr pije freskuese të ftohta dhe flasim paksa për turizmin “e ngratë”, shqiptar, por edhe për paraardhësit e tij që shërbyen si dervishë në Teqenë e Dollmës.
Shpella e burimi i ujit, në “Malin e Sarisalltikut”
Ashtu siç edhe e filluam rrugëtimin tonë, ashtu e përfunduam, drejt këtij mali, i lartë 1176 metra, i cili arrihet përmes hiking (ecjes malore), por edhe me rrugën automobilistike, në gjendje të mirë, por përplot me kthesa, e tejet e ngushtë.
Të dyja mezi gjenden realisht... pasi nuk para ekzistojnë tabela informuese në hyrje për të treguar, drejtimin e duhur. Megjithëse, njerëzit janë të gatshëm të të ndihmojnë, duke e mbyllur bisedën me “Zoti të ndihmoftë!”, - ndryshe nga legjendat që i tregojnë njëri ndryshe, e tjetri, diçka më ndryshe... Rrugën e vjetër ku sot ngjitesh përmes një shtegu të ngushtë, me siguri e ka përdorur dikur edhe studiuesja e Ballkanit, Edith Durham, por thuhet se edhe Skënderbeu e përdorte këtë mal sipër Krujës, për sulmet kundër taborëve osmane. Prandaj edhe ky mal njihet ndryshe si Mali i Skënderbeut. Në të vërtetë, burimi i vetëm i ujit të ftohtë akull gjendet veçse në shpellën e Sari Salltikut, në atë që quhet Maja e Liqenit, pasi mali i Krujës është tejet i thatë nga burimet ujore, si për ironi të faktit se Kruja e Skënderbeut përballoi plot 3 sulme nga osmanet, veçse duke shfrytëzuar Burimin e Taslloit (përreth e mbrojtur nga kulla dhe një kalimi fshehtë që ekziston ende edhe sot, po ashtu edhe burimi) apo burimet e ujit alternative, përreth Krujës (Krua/Croi). Sipas të dhënave zyrtare për Shenjtin Sarisalltik apo Sari Salltëk, thuhet se Ai e ka lënë gjurmën e tij në Krujë, në mesin e viteve 1300. Ishte mik me Sulltan Bajazitin, siç edhe thotë studiuesi francez Degrand, e nxënës i Ahmed Jeseviut. Sulltan Sari Salltik Muhammed Buhari apo Sari Salltëk, njihet nga shkrimet që la pas studiuesi turk, Evliyâ Çelebi. Studiuesi Frank Dietze, në Albanien: Städte und Landschaften zëischen Mittelmeer und Balkan përmend se “karakterin legjendar e prestigjin, ai e mori së tepërmi nga dijetari i famshëm turk, duke përhapur Islamin në Ballkan që nga 1263, i konsideruar si simbol i unitetit të kulturës turke, në Azinë Qendrore dhe në Europë. Në Shqipëri, Teqja e Sari Salltikut në Krujë njihet me emrin Akçahisar”. Prej andej mund të soditen qartazi, ashtu si deti Adriatik me atë perëndim të mrekullueshëm, por edhe përrenjtë e kodrinat, luginat e Drojës dhe Gallatës përtej fushës, ahet dhe pishat, degëzimi i lumit të Hurdhazës që derdhej në Mat dhe ai i Zezës, që vërshon drejt Ishmit, - të piktorit Ibrahim Kodra- një peizazh mahnitës, perfekt të përzgjedhur për këtë vend pelegrinazhi. Përtej në të djathtë mund të shquhet lumi i Drojës, që përfshihet në baladën shqiptare (krutane) për heroizmin e 90 vajzave dhe grave krutane, pas rënies së Krujës, që u hodhën nga shkëmbi për të mos u bërë robinja të turqve (edhe sot aty gjendet një memorial, që përshkohet përmes rrugës Krujë-Qafështamë). Studiuesi holandez, Machiel Kiel, zbuloi kohë më parë në një regjistër osman të viteve 1567-1568, një shënim për ndreqjen e rrugës që çonte nga qyteti i Krujës, për te varri i Sari Salltikut, ku citohet: “Në malin e Krujës është varri i Sari Salltëkut, ku njerëz nga trevat përreth vijnë për pelegrinazh. Rruga e përmendur është mjaft e pjerrët dhe e mundimshme për t’u ngjitur nga vizitorët… disa vendas janë ngarkuar t’i shtrojnë, t’i sheshojnë, e të ndreqin rrugën kurdo e kudo, që ajo të prishet...”. Edhe ky vend përjetoi tmerrin komunist në vitin 1967, duke u rindërtuar me ndihmën e banorëve të Krujës në vitin 1991. Ashtu siç na përmend edhe Përparim Kau, nga lagjja Varosh e Krujës, ai kishte ardhur për herë të parë në këtë vend të shenjtë, në moshën 11-vjeçare, duke fjetur dhe duke bërë kurban bagëtitë, edhe asokohe. Për të mbrojtur këtë besim, u masakrua nga regjimi Baba Myrtezai i Krujës, i cili, pasi u torturua dhe gjymtua nga ateistët, u hodh nga dritarja e burgut në vitin 1946. Ky martir i kohës sonë të kujton rilindësin Naim Frashëri, në veprën “Fletore e Bektashinjve”, ku shprehet: “Besa e Bektashinjve është udha e gjerë që ka përpara dritën, urtësinë, vëllazërinë, miqësinë, dashurinë, njerëzinë dhe gjithë mirësitë. Me një anë ka lulet e diturisë, më anën tjetër të së vërtetës. Pa dituri e pa të vërtetë dhe pa vëllazëri, s’mund të bëhet njeriu, bektashi i vërtetë”… Teksa zbret dielli, kujdestari i kësaj teqeje dhe këtij vendi të shenjtë, Arben Blloshmi (me origjinë nga Librazhdi), pasi thotë lutjet, ndez qiriun e zhytur në vajin e ullirit dhe e mbyll përfundimisht derën e hekurt për t’u hapur sërish të nesërmen në agim.
Legjenda thotë...
Sari Salltëku, sipas legjendës, kishte qenë një dervish i thjeshtë, që kishte mbërritur në Krujë në kohën kur një kuçedër, kishte “shtëpinë” në shpellën majë malit. Kuçedra kërkonte nga qyteti t’i sillnin për të ngrënë çdo ditë një burrë dhe një grua.
Dervishi i moshuar, me mjekër të bardhë, ishte dukur të ecte kalldrëmeve të qytetit me një degëz qiparisi në dorë, kurse në brez kishte ngjeshur një shpatë druri, dëshmi e misionit të paqes. Legjenda thotë se i kishte ardhur radha vajzës së bukur të princit, e cila sy përlotur po i ngjitej malit për t’u flijuar. Aty ndeshi dervishin, që edhe pse veshur me zhele, nuk e trembi vajzën. Pasi dervishi, mori vesh gjëmën që priste vajzën, e shoqëroi për te kuçedra. Vendi ishte tharë nga fryma përcëlluese e kuçedrës. Vajza digjej nga etja. Dervishi plak kishte ngulur shkopin në shkëmb, nga prej andej gurgulloi, uji i freskët. Fati i betejës dihet, me shpatën e drunjtë, dervishi plak, i preu kuçedrës shtatë kokët, që villnin kob e gjëmë. Nuk pranoi ta merrte për grua bijën e re të princit, por kërkoi si shpërblim të jetonte aty, në shpellën, majë malit. Legjenda vazhdon se me mushkën e tij, dervishi Sari Salltëk, vetëm me katër hapa, arriti Korfuzin. Gjurmët duken edhe sot e kësaj dite në Fushë-Krujë, Shijak dhe Durrës...
Pika të tjera turistike në Krujë
Kruja dhe zonat përreth kanë thesare të çmuara natyrore. Në rrugëtimin tonë “Vende dhe Udhëtime”, do përpiqemi të prekim sadopak nga afër këto vende, së paku, aktualisht me imagjinatë e më tej, në një udhëtim drejt atyre viseve, duke sjellë për ju, reportazh me foto dhe video. Përpos qytetit antik të albanëve, Albanopolis-it, i ndodhur përgjatë rrugës Fushë-Krujë-Krujë, e Parkut Kombëtar të Qafështamës, veçse 27 kilometra larg Krujës, - më poshtë do iu paraqitim disa nga rrugëtimet turistike, që mund të realizoni në një udhëtim 1 apo 2-ditor në Krujë.
Kanioni i lumit Dro(jës)
Ndodhet 4 kilometra ne veri të qytetit të Krujës, në krah të rrugës nacionale Krujë – Qafështamë, ndërmjet Malit të Krujës dhe atij të Bretit. Ka një gjatësi prej 1.5 kilometrash dhe është monument natyre. Mjedisi përreth është pak i prekur nga dora e njeriut, ku bimësia dominuese është mareja, që shërben edhe si frut, ilnja, dafina, ulliri, shqopa, mersini, etj. Kanioni përshkohet nga lumi me të njëjtin emër dhe përgjatë ka shumë ujëvara, njëra pas tjetrës. Përgjatë shtratit të lumit është edhe një burim i madh nëntokësor siç njihet ndryshe edhe burimi i Banacit, që është një shpellë nëntokësore me gjatësi 3 kilometra, pothuajse krejtësisht e paeksploruar, ndërsa në mesin e kanionit, një urë guri si dhe një rrugë e pazakontë e gdhendur e gjitha në shkëmb. Kanioni i lumit Dro njihet ndryshe edhe me emrin “Shkëmbi i Vajës” (Shkëmbi i Vajtimit), pasi këtu thuhet se sipas legjendës, që 90 vajza dhe gra për të mos rënë robinja në duart e turqve, u hodhën nga ky shkëmb përtej në lumë. Toponimi i mbeti si i tillë, pasi nënat vinin e vajtonin këtu çdo ditë. Kjo legjendë është ruajtur me fanatizëm nga banorët e zonës brez pas brezi, deri në ditët e sotme. Për nder të vajzave që u vetëflijuan është ngritur një memorial me mbishkrim, kushtuar sakrificës së tyre.
Kanioni i lumit Zezë
Kanioni buron nga Parku Kombëtar i Qafështamës dhe çan përmes malin e Krujës, duke formuar një kanion të mrekullueshëm me gjatësi 3 kilometra. Shpesh guidat turistike ndërmarrin gjatë fundjavave udhëtime në këtë kanion, i ndodhur jo shumë larg Krujës, e ku përgjatë tij ndeshen shumë burime dhe ujëvara spektakolare që gjarpërojnë përgjatë rrugës mesjetare Shkodër-Lezhë-Dibër, e në mesin e kanionit, ndodhet edhe ura e gurtë e Abdyl Agës.
Mali i Krujës
Mali bën pjesë në vargmalin Krujë-Dibër dhe ka një lartësi prej 1176 metrash, mbi nivelin e detit, si dhe një sipërfaqe prej 1408 hektarësh. I përshtatshëm për piknik dhe ecje alpine, ky mal ngrihet si një kala natyrore mbi qytetin e Krujës, me gremina të thepisura, bimë mesdhetare, e shumëllojshmëri bimësh mjekësore. Karakteristikë për malin e Krujës është pisha e Rrobullës, që ndodhet në anën perëndimore, e që zbret deri në 800 metra lartësi.
Mali i Kavanijes
Mali i Kavanijes ka lartësinë 1421 metra dhe ndodhet në lartësitë e Krujës, rreth 8 kilometra nga qyteti. Ai ndan malësinë e Krujës në dy zona etnokulturore: Në zonën e Kurbinit, që ndodhet nga ana veriore e malit dhe në zonën e Bendës, që ndodhet në anën jugore. Emrin “kava nije”, mendohet se, e ka marrë nga një kavo gjigante, e cila ndodhej e varur nga maja e malit, që sipas banorëve, kjo kavo përdorej për ankorimin e anijeve në lashtësi. Specialistët dhe historianët kanë gjetur gjurmë të qeramikës dhe gurë të çmuar në majën e këtij mali, por gojëdhënat flasin se aty duhet të ketë qenë vendosur një kambanë e madhe, e cila vihej në lëvizje nëpërmjet kavos gjigante, deri në fund të malit. Maja e malit përbëhet nga dy shkëmbinj gjigant me një të çarë në formë kanioni në mes të tyre, ku mendohet se ka qenë e varur kambana. Meqë kavoja ishte tejet e trashë dhe ngjasonte me kavot e ankorimit të anijeve, banorët e kanë quajtur atë “kavo e anijes”, - një toponim i mbetur kështu edhe malit të Kavanijes.
Ujërat termale Bilaj
Ujërat termale u zbuluan rastësisht duke kërkuar për ujë të pijshëm, e ndodhen në fshatin Bilaj, në perëndim të Fushë-Krujës. Ato kanë temperaturë prej 60 gradësh dhe janë të pasura me squfur, e kripëra të ndryshme që i japin ngjyrë të gjelbër të hapur. Në vitet 1971-1975, përfundoi edhe ndërtimi i qendrës së posaçme kurative për të sëmurët me reumatizëm, ndërsa sot është një qendër e modernizuar që ofron shërbime të ndryshme.
Hurdha e Kecit
Ky toponim haset pothuajse në gjithë territorin e Krujës, pasi aty ka burime dhe ujëvara të shumta. Hurdha e Kecit ndodhet në fshatin Noje, 6 kilometra në lindje të qytetit të Krujës, në një prej degëzimeve të lumit Dro. Është një ujëvarë me lartësi 15-20 metra, me një pamje mjaft piktoreske. Për këtë ujëvarë ekziston edhe një legjendë ku thuhet se ka jetuar “E bukura e ujit”, e cila dilte çdo mëngjes në breg, thahej dhe krihej nën rrezet e diellit, e zhytej sërish në ujë, pasdite vonë. Banorët e zonës thonë se e kanë përdorur këtë ujëvarë si vend pelegrinazhi (rit pagan), pasi besojnë në fuqinë shëruese të kësaj ujëvare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.