Politike

Nga gjobat te propozimi për shkarkim, kompetencat e superagjencisë që do të ndëshkojë zyrtarët ‘me urdhër të qytetarëve’

Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje është ngritur që në vitin 2019, por përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave tani, në Qeverinë “Rama 3”, propozohet zgjerimi i kompetencave të kësaj agjencie dhe rregullimin e funksionimit të saj përmes një ligji të posaçëm.

Projektligji i propozuar nga Qeveria për ngritjen e në agjencie që do të përthithë, grumbullojë dhe trajtojë ankesat e qytetarëve, bizneseve, apo grupeve të interesit në drejtim të institucioneve, enteve, titullarëve të tyre, e deri te bashkitë përqëndron në Kryeministri kompetenca të zgjeruara ndëshkimore.

Projekti do të ngrejë një Agjenci për Dialog dhe Bashkëqeverisje, drejtori i së cilës emërohet nga Kryeministri. Më pas, kjo agjenci përcakton një koordinator të saj pranë institucioneve të tjera. Koordinatori është përgjegjës për monitorimin, ndjekjen dhe trajtimin e çështjeve të regjistruara nga qytetarët, bizneset apo grupet e interesit në platformën “Me ty për Shqipërinë që duam”.

Ligji synon që të zbatohet jo vetëm nga të gjitha institucionet e administratës shtetërore që janë nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, por edhe nga entet publike dhe bashkitë, që sipas parashikimeve të këtij projekti do të lidhin marrëveshje me Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

“Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të lidhin marrëveshje kuadër me Agjencinë, me qëllim bashkëpunimin për gjithëpërfshirjen e qytetarëve dhe të grupeve të interesit në politikëbërje, garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse, si dhe ndërveprimin ndërmjet administratës shtetërore e qytetarëve dhe grupeve të interesit me qëllim rritjen e rolit të tyre në përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike, për çështjet që janë në fushën e përgjegjësisë shtetërore të institucioneve të pavarura ose të njësive të vetëqeverisjes vendore”, thuhet në projektligj.

Veç shqyrtimit të ankesave, Agjencia organizon në bashkëpunim me institucionin përkatës të administratës shtetërore interpelancat e Kryeministrit, të Zëvendëskryeministrit dhe të ministrave me grupet e interesit, sipas kërkesës së tyre, për çështje me interes publik, ose komunitar.

Agjencia mund të rekomandojë ndryshime të rregullave, procedurave të brendshme në institucione, deri te ndryshime të ligjeve në rastet kur çmon se ofrimi i shërbimeve publike nuk mund të realizohet me efektivitet për shkak të pengesave që krijohen nga rregullat dhe procedurat e brendshme, struktura e institucionit të administratës shtetërore, ose aktet ligjore, ose nënligjore në fuqi.

Projektligji parashikon që në platformën “Me ty për Shqipërinë që Duam” të ngrihen disa seksione, që nga ankesa, denoncimi i korrupsionit, propozimi i nismave, deri te shprehja e mendimeve të qytetarëve. Platforma nuk do të trajtojë denoncime anonime.

Përveç kësaj, qytetarëve do t’u mundësohet që të vlerësojnë periodikisht me një notë mesatare institucionet, apo drejtuesit e tyre.

“Ky vlerësim do të mundësojë informimin në kohë reale të publikut dhe të qeverisë për nivelin e pëlqyeshmërisë së një shërbimi të ofruar nga institucioni publik. Në rast verifikimi të indicieve, provave për ngjarjen korruptive, personat përgjegjës për shqyrtimin e rasteve antikorrupsion pranë Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit ia referojnë çështjen prokurorisë kompetente, në përputhje me legjislacionin procedural penal në fuqi”, thuhet në projektligj.

Nga vlerësimi do të dalë edhe një koeficient për vlerësimin zyrtar të çdo drejtuesi dhe ekipi të një institucioni shërbimesh, në nivel qendror apo vendor. Raportimi do të bëhet në mënyrë periodike mujore, tremujore, gjashtëmujore dhe vjetore në rubrikën përkatëse në faqen e platformës shqiperiaqeduam.al.

Ligji i njeh agjencisë të drejtën që të:

  • kërkojë nga organi përgjegjës fillimin e procedimit disiplinor ndaj çdo nëpunësi që ka shkelur dispozitat e këtij ligji, si dhe marrjen e një mase disiplinore të përshtatshme për shkeljen e konstatuar, duke përfshirë largimin nga detyra. Në përfundim të procedimit disiplinor, organi përgjegjës është i detyruar të njoftojë Agjencinë për rezultatet e procedimit disiplinor;
  • t’i propozojë ministrit përgjegjës ose Kryeministrit lirimin nga detyra të titullarit të organit administrativ;
  • të urdhërojë çdo rregullim ose masë tjetër të përshtatshme; në këtë rast, institucioni i administratës shtetërore ndaj të cilit është kryer inspektimi raporton brenda 30 ditëve tek Agjencia në lidhje me veprimet e ndërmarra për zbatimin e vendimit. Në rast se institucioni, ndaj të cilit është kryer inspektimi, nuk e informon Agjencinë ose nuk e zbaton vendimin, ajo vendos masë për ndëshkimin me gjobë. Sanksioni me gjobë shfuqizohet nëse subjekti kundër të cilit është paraqitur ankesa e zbaton vendimin brenda shtatë ditëve pasi është vendosur sanksioni.

Niveli i gjobave është përcaktuar nga 10 mijë, deri në 60 mijë lek në rastet e institucioneve të administratës shtetërore dhe nga 30 mijë, deri në 80 mijë lek për nëpunësit publikë, ose titullarët e në institucioni publik brenda personit juridik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë