Nga Liridon Mulaj- Artistët e akomoduar prej Janarit në vilën 31 të ish diktatorit Hoxha në bllok, janë në fazën e prezantimit të punëve të tyre krijuese. Prej datës 11 Prill, vila është e hapur për vizitorët të cilët përveç punëve krijuese të artistëve që jetuan dhe punuan për 3 muaj aty, mund të shohin dhe të prekin nga afër , jetën mondane të ish diktatotit Hoxha.
Nga “Gjama e burrave” e Genny Petrotta , te fotografitë provokuese të artites franceze Marianne Marić, e deri tek pikturat me traditat tiranase të artistes së re Arnilda Kyçyku dhomat luksoze të vilës, janë tashmë ekspozita të cilat synojnë të risjellin kujtesën nëpërmjet artit modern.

Marianne Marić, francezja qe frymëzohet nga Marubi
Artistja franceze Mariana Maric sjell një seri fotografish provokuese të cilat ndërthurin lirinë e individit dhe kryesisht gruas, me identitetin kombëtar dhe traditën. Ajo thotë për GazetaSi.al se fotot e saj nuk kanë si qëllim protestën por kanë si objektiv lirinë e munguar të gruas dhe individit në tërësi

“Fotografitë e mija nuk janë një lloj proteste, por një sensibilizim me të gjithë ata qytetarë të cilët nuk janë lejuar të lëvizin dikur në zonën e bllokut ku jetonte diktatori. Une jam përpjekur të tregoj një lloj performance nëpërmjet fotove dhe jo të provokoj nëpërmjet tyre. Fotot e mija demostrojnë pikërisht lirinë e munguar të individit brenda këtyre mureve po edhe jashtë saj”
Dhe ndërsa vë re elementë të fotografive të Marubit, ajo sqaron se është pikërisht fotografi i shquar që e ka frymëzuar për setin fotografik.

“Unë kam qënë në Shkodër dhe kam lexuar mbi Marubin. Kam parë edhe fotografitë e tija që realizoheshin me një qilim të varur në sfond. Dhe po të shohësh në galërinë e tij janë disa foto grash me gjinj të ekspozuar, që do të thotë se kjo që kam bërë unë nuk është diçka e re. Gruaja dhe rëndësia e saj nëpërmjet lirisë është pak a shumë tema e fotografive”

Ajo shton se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe uron që fotot e saj të jenë një urë lidhëse mes të huajve dhe Shqipërisë.

“Shqipëria ka një traditë shumë të pasur dhe është një nga vendet më të bukura që kam vizituar, dhe për këtë më vjen keq pse miqtë e mi apo njerëzit nuk e njohin sa duhet Shqipërinë. Mendoj se foto e mija do të jenë një urë lidhëse për të gjithë ata që njoh unë që të vinë dhe ta vizitojnë Shqipërinë”
Genny Petrotta, arbëreshja që risjell “Gjamën e burrave” nëpërmjet grave
Genny Petrotta është një tjetër artistë pjesmarrëse në rezidencën krijuese Vila 31. Arbëreshe me origjinë, ajo ka zgjedhur “Gjamën e burrave” të malësisë si element kryesor të punës së saj.

“Kemi nisur ta krijojmë këtë performancë së bashku poeten Ledia Dushi e cila është një eksperte dhe njohëse e mirë e traditës së “Gjamës së burrave”. Performanca është e ndërtuar mbi gjestikulacione të cilat aplikohen në Gjamën e burrave. Duke e ndërlidhur këtë dhe përshtatur me një grua e cila vajton për një tjetër grua, përshfaq edhe fenomenin e burrneshave të veriut. Ndërthurja Gjamës së burrave me “Hamletin” e Shekspirit” është një ide dhe përfytyrim dhe një qasje drejt një identiteti dhe historive personale të burrneshave shqiptare” thotë ajo
Petrotta shton se ideja e shndërrimit të shtëpisë së diktatorit në rezidncë është e bukur por dhe me rëndësi.

Mendoj se është e rëndësishme dhe e bukur të shohësh shtëpinë e ish diktatorit të përshtatet në një rezidencë për artistë. Unë erdha këtu për të bërë diçka për burrneshat e veriut të cilat thuajse gjithmonëjanë keqkuptuar nga mediat oksidentale” përfundon artistja arbërshe .
Traditat e Tiranës si kundërshprehi e jetës urbane
Arnilda Kyçyku është një tjetër artiste e re nga Elbasani, e cila për tre muaj ka pikturuar brenda vilës 31. Duke shmangur jetën urbane të Tiranës, ajo rrëfën për GazetaSi.al se është fokusuar kryesisht te traditat e qytetit të Tiranës.

“Kam paraqitur traditat e qytetit të Tiranës me piktura në vaj. Duke pasë parasysh se jeta urbane në Tiranë është shpesh herë objekt i artistëve, mendova ta sjell ndryshe, nëpërmjet kostumeve dhe valleve popullore. Po e njoh Tiranën nga pak sepse unë nuk kam jetuar këtu, dhe në fakt kjo është një parapregatitje për një jetë tashmë me kohë të plotë këtu” thotë ajo.

Artistët aktualë në përfundim të periudhës tre mujore, do ti lënë vendit të tjerë artistëve të cilët të ardhur nga e gjithë Europa do të jetojnë për tre muaj në vilën 31, duke e shndërruar hapësirën jo vetëm në një rezidencë ku banohet dhe krijohet , por dhe frymëzohen nga një periudhë e errët e historisë sonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.