Dosje

Nga emigracioni ilegal te ilaçet, flet Elmonda Popa: Më shkatërroi jetën! Kam bërë një gabim, por jo një krim

Flet protagonistja e historisë që tronditi fushatën elektorale të Treviglios një vit më parë dhe nga e cila lindi një investigim i ri në javët e fundit, pas një përgjimi ambiental mes saj dhe biznesmenit shqiptar, Nude Pulaj për “mafien e ilaçeve”

Gazeta Si – Në Forever di Agnadello, pak përtej kufirit me Kremonën, hyrje-daljet në lokal zgjasin deri në mesditë. Biseda. Mëngjese.

Dhe për ata që presin më shumë seç duhet, lokali ofron një kafe. Me klientët e saj besnikë, Elmonda Popa bën shaka, skicon disa fjalë në dialekt.

Në këtë fshat të rrethuar nga arat e fryra me misër, shqiptarja në qendër të hetimeve, e cila një vit më parë, pak muaj para zgjedhjeve në Treviglio, vuri në vështirësi të rënda kryebashkiakun e Ligës së Veriut, Juri Imeri, por duke konfirmuar më vonë se nuk ka lidhje me asnjë dyshim të prokurorisë.

Duke u përpjekur të ndryshojë faqe, me një punë tjetër. SAjo tani është nën hetim në gjendje të lirë dhe përshkruan çështjen, e cila është rihapur nga autoritetet italiane.

E ulur në një nga tavolinat në lokalin e kushërirës së saj, ku ajo ka qenë e punësuar që në shkurt, chat-i i WhatsApp rrotullohet për të treguar 70 mesazhet e palexuara, nga një klientelë e ndryshme dhe e kaluar, që ende e kërkojnë “gjatë gjithë kohës”.

Në këtë pikë, ajo nuk ka asnjë hezitim: “Kam mbaruar me emigracionin, mjafton. Është një kënaqësi e madhe të kem vlerësimin e ish-klientëve të mi, por tani më duhet të bëj një pushim, sepse ajo punë më ka shkatërruar jetën”, thotë Elmonda për gazetën italiane “Corriere della Sera”.

Tridhjetë e shtatë vjeç, dy vajza të vogla, më 21 mars 2021, Popa përfundon në burg për dy muaj e gjysmë: “Ishte shumë e vështirë, kur dola pata probleme fizike dhe pas disa kohësh probleme psikologjike”.

Akuza është korrupsioni, ndihma dhe nxitja e imigracionit të paligjshëm, duke përfshirë Antonio Pistonen, 58-vjeç, ish-kryeinspektori i policisë kufitare në Orio.

Sipas hetimeve, vulat e saj false, i lejonin shqiptarët që mbështeteshin në agjencinë e emigracionit “Popa”, në Treviglio, ku ajo jeton, të hynin në Itali edhe pa pasur të drejtë.

Udhëtime reale ose fiktive: ndonjëherë, vetëm pasaporta e atyre që supozohej të riatdhesoheshin, “lëvizte” dhe përkundrazi nuk lëvizte nga Italia.

Hetimi është ende i hapur dhe ka pasur implikime shumë më shqetësuese në raundin e fundit të masave paraprake milaneze, si rezultat i një përgjimi në të cilin gruaja flet me Ndue Pulajn, kreun e asaj që ishte një organizatë kriminale.

Ata vinin nga Tirana me certifikatë false mjekësore, edhe për të shfrytëzuar sistemin shëndetësor italian. Pulaj?

“Ai vjen nga vendi im, e njoh edhe familjen e tij, – thotë Popa. – Kishim folur me njëri-tjetrin, por nuk e mbaj mend mirë”.

Në rrëfimin e saj, shpesh i duhet të tendosë kujtesën: “Kam boshllëqe dhe sulme paniku”.

Ajo nuk dëshiron të nënshtrohet: “Ishte periudha e Covid-it, lëvizja ishte bërë më e vështirë. Po kërkoja zgjidhje për klientët. Pistone më kontaktoi në agjenci, krijova besim dhe unë e nënvlerësova plotësisht situatën. Nuk e kuptova, mendova se kisha bërë një gabim, po, por jo një krim të mundshëm. E kuptova shumë, shumë vonë”.

Pikërisht, sepse parashikohet që do të ketë një gjyq të ri, ajo shmang detajet, sidomos për paratë që i shkuan agjentit: “Nuk dua t’i bëj gjërat më keq, por brenda meje dënimin e kam kryer, tani dua vetëm më kthehet dinjiteti. Unë nuk jam kështu. Nga natyra, jam e prirur të buzëqesh, të ndihmoj, të besoj. Tani është ndryshe”.

Më pas, është kapitulli për kryebashkiakun e Treviglios: “Imerin, – përgjigjet ajo, – e kam takuar gjatë Covid-it kur isha vullnetare për të mbajtur maska. Mund të betohem në Bibël, se më vjen shumë keq që u fut në vështirësi, kam shumë respekt për të. Nuk ka pasur asnjëherë favorizime në dy nismat komunale në të cilat kam marrë pjesë (për një zyrë dhe një kioskë lulesh)”.

Emri i Imerit doli nga një përgjim: “Kisha ndihmuar një senegalez të merrte nënshtetësinë, ishte i lumtur që mund të votonte. Dhe unë i thashë: ‘Votoje Imerin’. Por si do t’i thosha, të shkoni te parukierja ime…”.

Agjencinë e imigracionit, “Të gjitha ngjyrat e botës”, e hapi në vitin 2016, pas dy vitesh përvojë në sektorin në Casirate.

“Isha 19 vjeçe kur mbërrita në Itali, në Treviglio mora diplomën e klasës së tetë. Kam studiuar dhe punuar gjithmonë. Bëra gjithçka që të jem e pavarur, në çdo vend që kam bërë rrugën time, në Artet Grafike kam qenë përgjegjëse. Kam bërë edhe pastruesen, e bëj akoma. Në mëngjes shkoj në zyra të pastroj dhe më pas vij këtu në lokal. Dhe gjithmonë i kam ndihmuar të tjerët. Të gjithë mendojnë se e kam bërë për para, por e vërteta është se jam plot borxhe”.

Elmonda më tej shton: “Me agjencinë nuk thashë kurrë jo dhe ndoshta ky ishte problemi. Bie telefonon në 10 të mbrëmjes ose në 5 të mëngjesit dhe unë përgjigjesha dhe isha gjithmonë pranë për të mdihmuar njerëz”.

Ajo e dinte që ndaj saj ishte bërë një padi, sipas mendimit të saj të nxitur nga konkurrenca, “por nuk e prisja gjithë këtë. Kur policia erdhi në shtëpi dhe lexova emrin e Pistones në letra, e kuptova. Shkova te dritarja dhe u luta që vajzat të mos shihnin. Agjentët u kujdesën të mos i zgjonin, bënë punën e tyre dhe më pas më çuan në burg”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë