Gjatë operacionit policor “Kompleks”, ku këtë të enjte u zbuluan dhe goditën 18 baza të shitjes së armëve dhe munuicioneve dhe ku u arrestuan 5 persona, tre prej tyre akuzohen se kanë tentuar të vrasin me eksploziv Artion Bylykun, kunatin e Domart Konjarit.
Ky i fundit, i cili akuzohet si porositësi për vrasjen e Devi Kasmit në vitin 2018, është shpallur në kërkim nga policia.
Atentati ndaj Bylykut ndodhi në 18 tetor 2019 dhe ai u tentua të eliminohej me eksploziv të telekomanduar.
Gjatë operacionit që u komunikua sot nga Policia e Shtetit, 3 personat e dyshuar për të cilët SPAK kishte urdhëruar arrestimin, janë: Paris Prenga, Bledar Deda dhe Flor Abazi.
Policia thotë se u shpall në kërkim edhe shtetasi Sokol Gjura, i cili është larguar jashtë vendit javë më parë.
“Ndalimi i këtyre shtetasve u bë për arsye se këta persona, së bashku dhe me dy persona të tjerë të arrestuar më parë, Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku, dyshohet se janë autorë të ngjarjes së ndodhur më datë 18 tetor 2019, në Tiranë, ku është tentuar të vritet me eksploziv të telekomanduar shtetasi A.B”, deklaroi sot Drejtori i Policisë, Rebani Jaupaj.
Gjithashtu, të arrestuarit e këtij grupi janë autorët e sulmit me armë ndaj avokatit Paulin Papleka, më 10 shtator të vitit 2017, në rrugën “Muhamet Deliu”, në Tiranë.
Po të njëjtët persona, dyshohet se janë autorë të vendosjes së lëndës eksplozive, në banesën e shtetasit Edmond Saraçi, ngjarje e ndodhur më datë 15 shtator 2017, në Tiranë.
Gjatë operacionit të sotëm, RENEA sekuestroi një numër të madh armësh që përdoreshin grupi kriminal.
Krahas armatimit, i cili ishte i viteve të fundit, policia ka sekuestruar edhe 25 cilenciatorë që përdoreshin për armë të ndryshme në shtëpinë e Bujar Jaupit.
Ky i fundit, ishte me profesion tornitor dhe i shërbente grupit kriminal duke përgatitur për ta silenciatorët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.