Disa orë para përfundimit të mandatit të tij, Presidenti Joe Biden fali Dr. Anthony Faucin, gjeneralin në pension Mark Milley dhe anëtarët e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin e 6 janarit në Kapitol, duke përdorur fuqitë e jashtëzakonshme të postit për t’i mbrojtur ata nga “hakmarrja e mundshme” e administratës së ardhshme të Donald Trumpit.
Vendimi i zotit Biden vjen pasi Donald Trumpi paralajmëroi për një listë armiqsh me emra të atyre që e kanë sfiduar politikisht, ose kanë ndërmarrë hapa për ta mbajtur përgjegjës për përpjekjen e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe rolin e tij në sulmin ndaj Kapitolit të SHBA më 6 janar, 2021.
“Shpallja e këtyre faljeve nuk duhet të shihet si një pohim se këta individë kanë kryer ndonjë shkelje, dhe as nuk duhet të keqinterpretohet si pranim fajësie për ndonjë vepër penale”, tha zoti Biden në një deklaratë.
“Vendi ynë u detyrohet këtyre nëpunësve publikë një borxh mirënjohjeje për angazhimin e tyre të palodhur ndaj vendit tonë”, tha ai.
Faljet, të shpallura ndërsa kanë mbetur vetëm disa orë në presidencën e zotit Biden, kanë qenë temë e një debati të nxehtë prej muajsh në nivelet më të larta të Shtëpisë së Bardhë.
Është e zakonshme që një president të lëshojë falje në fund të mandatit të tij, por amistia zakonisht u ofrohet amerikanëve që janë dënuar për krime. Zoti Biden po e përdor këtë kompetencë në mënyrën më të gjerë dhe më të paprovuar të mundshme: për të falur ata që nuk janë hetuar ende. Vendimi hedh bazat për një përdorim edhe më të gjerë të faljeve nga zoti Trump dhe presidentët e ardhshëm.
Ndërsa Gjykata e Lartë vendosi vitin e kaluar se presidenti gëzon imunitet të gjerë nga ndjekja penale për ato që mund të konsiderohen akte zyrtare, këshilltarët dhe aleatët e presidentit nuk gëzojnë një mbrojtje të tillë.
Ekziston frika se Trump ose presidentët e ardhshëm mund të përdorin premtimin për një falje të plotë për të inkurajuar aleatët që të ndërmarrin veprime të cilave mund t’u rezistonin nga frika e pasojave nëse shkelnin ligjin.
“Këto janë rrethana të jashtëzakonshme dhe nuk më lejon ndërgjegjia të mos veproj,” tha zoti Biden, duke shtuar se “Edhe kur individët nuk kanë bërë asgjë të gabuar – dhe madje kanë bërë gjënë e duhur – dhe në fund e vërteta do të dalë, thjesht fakti i të qenit nën hetim ose ndjekja penale mund të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme reputacionin dhe financat e dikujt.”
Dr. Fauci ishte drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin Kombëtar të Shëndetit për gati 40 vjet, përfshirë gjatë mandatit të zotit Trump dhe më vonë shërbeu si këshilltar kryesor i zotit Biden për shëndetësinë deri kur doli në pension në 2022.
Ai ndihmoi në koordinimin e përgjigjes së vendit ndaj pandemisë COVID-19 dhe nxiti zemërimin e zotit Trump kur kundërshtoi këshillat e paprovuara shkencërisht të shëndetit publik të zotit Trump.
Zoti Fauci që atëherë është vënë në shënjestër të urrejtjes nga njerëzit e së djathtës, të cilët e fajësojnë atë për urdhrat përm përdorimin e maskave dhe politika të tjera që ata besojnë se shkelnin të drejtat e tyre, edhe pse qindra mijëra njerëz po vdisnin.
Mark Milley është ish-kryetari i Shtatmadhorisë së ushtrisë. Ai më pas e quajti zotin Trump fashist dhe detajoi qëndrimet e zotit Trump lidhu me ngjarjet e 6 janarit 2021.
Ai tha se është mirënjohës ndaj zotit Bidenit për faljen, pasi nuk i duhet të shqetësohet më për “hakmarrjen”. Zoti Biden fali gjithashtu anëtarët dhe këshilltarët e komisionit të 6 janarit që hetoi sulmin, si dhe oficerët e policisë së Kapitolit dhe të kryeqytetit Uashington që dëshmuan para komisionit për përvojat e tyre atë ditë, kur një turmë e zemëruar dhe e dhunshme e mbështetësve të zotit Trump sulmoi Kapitolin.
Biden, një institucionalist, ka premtuar një tranzicion të qetë drejt administratës së ardhshme, duke ftuar zotin Trump në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë ai paralajmëroi gjatë fjalimit të tij lamtumirës për një oligarki në rritje. Ai ka paralajmëruar prej vitesh se kthimi i zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë do të ishte një kërcënim për demokracinë. Vendimi i tij për të thyer normat politike me faljet paravepruese u mor për shkak të këtyre shqetësimeve.
Zoti Biden ka vendosur rekordin presidencial për numrin më të madh të faljeve, përfshirë faljen e djalit të tij Hunter.
Ai njoftoi të premten se do të zbusë dënimet e pothuajse 2,500 personave të dënuar për vepra jo të dhunshme të lidhura me drogën. Ai më parë njoftoi se po ua lehtësonte dënimet 37 nga 40 personave të dënuar me vdekje e, duke i kthyer dënimet e tyre në burgim të përjetshëm vetëm disa javë përpara se zoti Trump, një përkrahës i hapur i zgjerimit të dënimit me vdekje, të merrte detyrën.
Gerald Ford i dha një “falje të plotë dhe absolute” në vitin 1974 paraardhësit të tij, Richard Nixon, për skandalin Watergate.
Ai besonte se një gjyq i mundshëm do të “shkaktonte debat të zgjatur dhe përçarje” dhe se zoti Nixon e kishte paguar “me dënimin e paprecedentë të heqjes dorë nga posti më i lartë i Shteteve të Bashkuara”, siç shkruhet në shpalljen e faljes./VOA
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.