Art dhe Kulture

Nga dhimbja te drita/ Çfarë simbolizojnë lulediellit e Van Gogh-ut?

Nga Gazeta “SI”- Kur mendojmë për Vincent van Gogh, shumica do të sjellin menjëherë në mendje lulediellit e tij ikonikë, ( ose diellorët) të realizuar me guxim. Është një formë njohjeje marke që vetë artisti e kishte për qëllim. “Diellori është i imi,” kishte shkruar ai dikur, duke treguar dëshirën për t’u identifikuar publikisht me këtë bimë të madhe dhe krenare. Lulediellit kishin qartësisht një domethënie të thellë për të. Por çfarë, nëse kishte diçka që donte të simbolizonte Vincent përmes kësaj bime të dashur, të quajtur helianthus annuus?

Krahas “Natës me Yje”, piktura “Diellorët” që ndodhet në National Gallery në Londër është ndoshta vepra e tij më e njohur. Por Van Gogh pikturoi gjithsej 11 kanavaca që kishin si qendër këto lule. Ato u krijuan në tri shpërthime të shkurtra frymëzimi: katër të parat në Paris në vitin 1887, një tjetër grup prej katër veprash të realizuara për më pak se një javë pas zhvendosjes në qytetin jugor francez Arles në 1888, dhe më pas tre kopje të realizuara në fillim të vitit 1889. Versionet më të njohura nga viti 1888 u pikturuan me një entuziazëm sensual. Dhe megjithatë, në letrat e tij, Van Gogh kurrë nuk shpjegoi qartë se çfarë përfaqësonin për të diellorët.

Nga njëra anë, ato duket se shërbyen si mjet për të eksperimentuar me kombinime ngjyrash, veçanërisht me nuancat e verdhës. Por njëkohësisht, ishin menduar për të zbukuruar shtëpinë ku do të jetonte shoku i tij artist, Paul Gauguin.
Ky i fundit i kishte admiruar më parë pikturat me diellorë të Van Gogh-ut, ndaj ndoshta këto lule mishëronin shpresat e pashuara të Van Gogh-ut për solidaritet dhe miqësi , dëshira që përfundimisht do të shuheshin, ashtu siç u shua edhe ëndrra e tij për të marrë njohje artistike gjatë jetës. Gauguin e la pas vetëm dy muajsh, dhe Van Gogh vdiq në moshën 37-vjeçare, pa arritur të shiste shumë nga veprat e tij.

Por pikturat me luledielli të Van Gogh-ut morën shpejt statusin e një kulti në fillim të shekullit XX, fillimisht në rrethet avangarde të artit europian.
Në vitin 1920, shkrimtarja Katherine Mansfield vuri në dukje se “lulet e verdha, të mbushura me diell, në një vazo”, kishin ndezur zgjimin e saj krijues. Në vitin 1923, kritiku Roger Fry e quajti veprën “Diellorët” si një nga sukseset triumfale të vitit, që tregonte “gjallërinë supreme, vitalitetin dhe fuqinë shpërthyese” të Van Gogh-ut. Më vonë, këto vepra u njohën gjerësisht dhe ndihmuan ta përjetësonin emrin e tij në historinë e artit.

Çdo simbolikë artistike mund të kuptohet përmes evolucionit të ideve. Kuptimi i diellorëve rrënjoset në të kaluarën dhe është kultivuar në diskutime të gjera, si shkencore, ashtu edhe humaniste. Van Gogh nuk ishte i vetmi i fiksuar pas tyre. Diellorët kanë ndezur imagjinatën e artistëve dhe shkrimtarëve ndër shekuj, përfshirë Sir Anthony van Dyck, Maria van Oosterwyck, William Blake, Oscar Wilde, Dorothea Tanning, Paul Nash dhe Allen Ginsberg.

Ndryshe nga shumë simbole të tjera të historisë së artit, lulediellit janë relativisht të rinj në kulturën europiane. Ato u sollën nga Amerika në Europë pas udhëtimeve të Kolombit në shekullin XVI. Pasi u kultivuan me sukses, veçoria e tyre që ndjekin diellin (heliotropizmi) u bë tipari më tërheqës dhe i dha kuptimin simbolik.

Domethënia që përshkon të gjitha këto simbolika është besnikëria. Van Gogh mund të ketë qenë i vetëdijshëm për disa nga këto kuptime. Kur i shkruante motrës se pikturat e tij ishin “thuajse një britmë dhimbjeje”, ndoshta mendonte për mirënjohjen ndaj artistëve si Gauguin. Por ndoshta mendonte edhe për besimin e tij fetar, për dashurinë, apo për përkushtimin ndaj artit.

Kjo përforcon idenë se simbolika e lulediellit rrjedh ende nga besimet e Rilindjes së Vonë. Diellorët e Van Gogh-ut pasqyrojnë këto lidhje historike, por gjithashtu dëshirën e tij për një dashuri më të thellë – për natyrën, artin, fenë, apo një vëllazëri krijuese me Gauguin.

Burimi: BBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë