Trend

Nga ‘buka me gjathë’ te skena e ‘Betlehemit’ / Lezha fton vizitorët në Tregun e Krishtlindjeve

Nga Gazeta “SI”- Tregu i Krishtlindjeve në Lezhë vijon traditën edhe këtë vit, pranë monumentit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti. Edicioni i kaluar u dallua për kulinarinë vendase, me bukën me djathë ose buka me gjathë të Mrizit të Zanave, si dhe për shumëllojshmërinë e pijeve dhe ushqimeve që ofroi.

Drejtori i Turizmit në Bashkinë Lezhë, Renaldo Xhani, shpjegon për GazetaSi.al se organizimi i këtij viti përfshin të gjithë subjektet prodhuese të qytetit, nga artizanët e deri te restorantet me emër tashmë kombëtar.

“Bashkia ka bashkëpunuar me të gjithë aktorët e skenës kulturore dhe tradicionale të qytetit, subjektet e kulinarisë, artizanët dhe kishën, e cila po përgatit skenën e madhe të Betlehemit.

Eventi nis nesër me instalimin e Betlehemit, ndezjen e dritave dhe pjesëmarrjen e bizneseve të njohura të kulinarisë, si Mrizi i Zanave, Sofra e Gjergjit, Pasta në Tigan, artizanë të ndryshëm, si dhe me park lojerash dhe aktivitete për fëmijë, duke krijuar një atmosferë festive”, thotë Xhani.

Ai thekson se edhe këtë vit tregu do të ofrojë elementë të veçantë, duke nxjerrë në pah më të mirën e secilit subjekti pjesëmarrës.

“Edicioni i kaluar u bë i njohur për bukën me djathë ( buka me gjathë) të Mrizit të Zanave, që u shndërrua në një atraksion unik, madje i përhapur deri në Tiranë. Ky treg promovon elemente të kulturës lezhjane dhe ndikon përtej kufijve të qytetit. Aktiviteti nis me ndezjen e dritave të pemës, në bashkëpunim me komunitetin dhe shkollat, duke aktivizuar qytetin gjatë gjithë muajit të festave.

Në treg janë të ftuar subjekte kulinare me verëra të nxehta, pije nga prodhimet lokale, si dhe restorante të njohura të qytetit, të cilat ofrojnë shije të veçanta për vizitorët. Artizanët me punime me grep, kostume tradicionale dhe objekte të tjera të artizanatit do të jenë gjithashtu pjesë e tregut”

Në fund Xhani thotë se do të ketë edhe një programi muzikor i cili do të sjellë argëtim dhe larmi, duke i bërë vizitorët pjesëmarrës aktivë dhe jo thjesht vizitorë të tregut.

Tregu i Krishtlindjeve në Lezhë bashkon traditën me artin e argëtimit në zemër të qytetit, duke e bërë Lezhën jo vetëm një destinacion lokal, por edhe një atraksion mbarëkombëtar, një nismë që prej vitesh po arrin këtë objektiv.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë