Futboll

Nga Breshia te Milani dhe Reali, kur mysafirët në Tiranë janë të rangut botëror

Fatjon Rupi – Roma është e ftuara e fundit speciale për një ndeshje miqësore në Tiranë. Një miqësore luksi siç jemi mësuar t’i quajmë tashmë, sepse kundërshtarë të tillë më parë i kemi parë vetëm nga televizori.
Por më parë në vendin tonë kemi pasur vizitorë edhe më prestigjiozë, si Milani dhe Real Madrid, dy nga klubet më të mëdha në botë. Kemi pasur fatin të shohim ‘live’ fitues të ‘Topit të Artë’, si Baxho, Ronaldinjo, Kaka, Shevçenko, Kristiano Ronaldo dhe Benzema.

Fatin për të pasur përballë një natë të vetme emra të tillë e kanë pasur Kombëtarja shqiptare, Tirana dhe… Gramozi. Para Romës, që sot luan me Partizanin, janë 4 miqësoret e rralla dhe që të gjitha janë zhvilluar në mitikun “Qemal Stafa”.

Ronaldinjo gjate miqesores Tirana-Milan, 2-1. Gazeta Si, 12 gusht 2023

Breshia, mysafirja e parë
E para që ka ardhur në Tiranë për një ndeshje miqësore ishte Breshia e Igli Tares, në vitin 2000. Në atë kohë u organizua një miqësore mes Kombëtares shqiptare, që drejtohej nga italiani Xhuzepe Dosena, dhe Breshias, ku sigurisht ish-kapiteni kuqeqi kishte rolin e vet.

Breshia në atë kohë, përveç Tares që luajti me Kombëtaren kuqezi, kishte në përbërje dy emra të mëdhenj të futbollit italian, si Roberto Baxhio dhe Luka Toni. Trajneri i saj ishte i mirënjohuri Karlo Macone. Ndeshja përfundoi me fitoren 1-0 të Shqipërisë, me një gol të shënuar nga Altin Lala në pjesën e dytë.

Tifozët shqiptarë për herë të parë shijuan një ndeshje të tillë, me emra të mëdhenj në fushë dhe në një atmosferë shumë miqësore. Kjo miqësore do t’u hapte rrugën edhe të tjerave në vazhdim.

Milani dy herë në ‘Qemal Stafa’
Asush nuk e besonte në fillim, por rezultoi e vërtetë. Milani, një nga klubet më të titulluar në botë, erdhi në Tiranë për miqësore, madje dy herë. Në fillim me Tiranën dhe pastaj me një seleksion lojtarësh që u quajt Kombërtarja B. Këto miqësore u organizuan në atë kohë nga ‘Taçi Oil’.

Më 14 tetor 2008 Milani u ndesh me Tiranën. Në stadiumin tonë kombëtar zbritën lojtarë të kalibrit botëror, si Ronaldinjo, Maldini, Sedorf, Inzagi e Shevçenko. Kjo miqësore që mblodhi në stadium jo vetëm tifozët e Milanit, u mbyll me fitoren 2-1 të Tiranës, me gola të Daniel Xhafajt dhe Gjergji Muzakës. Për ekipin e madh italian shënoi Inzagi.

Ndeshja e dytë e Milanit në Tiranë organizua për atë që u quajt trofeu ‘Albania Reads’ dhe shërbeu për të mbledhur fonde për UNICEF-in. Nuk ishte një datë e lirë e FIFA-s, ndaj dhe nuk mund të vinin të gjithë lojtarët e Kombëtares A. Ndeshja u lajt më 12 maj 2009, ku yjet e rinj ishin Kaka, Pato e Devid Bekham. Në fushë dhe në tribuna pati spektakël, ndeshja u mbyll 3-3 dhe Milani fitoi me penallti më pas.

Kombëtarja jonë u drejtua në atë kohë nga i ndjeri Artan Bushati, ish-trajneri i Shpresave, dhe kishte në përbërje lojtarë si, Klodian Duro, Hamdi Salihi, Elvin Beqiri, Ervin Bulku, Kristi Vangjeli, Elis Bakaj, Endri Vrapi, Hansi Agolli etj..

Për skuadrën tonë shënuan Emiliano Vila, Hamdi Salihi dhe Gjergji Muzaka, kurse për Milanin e drejtuar nga trajenri Karlo Ançeloti realizuan Ronaldinjo, Shevçenko dhe Inzagi.

Shqipëria-Milan 3-3 (4-5 me penallti)
Shënues: 62’ Emiliano Vila, 71’ Gjergji Muzaka, 75 Hamdi Salihi/ 22’ Ronaldinho, 49’ Shevchenko, 79’ Inzaghi
Penalltitë: Kaka (gol), Pisha (gol), Sedorf (gol), Muzaka (gol), Flamini (gol), Vila (gol), Thiago Silva (gol), Vrapi (gol), Inzaghi (gol), Beqiri (jashtë)
Stadiumi: “Qemal Stafa”
Gjyqtar: Lorenc Jemini

Shqipëria: Ujkani (Moçka), Lila, Beqiri, Vrapi (Pisha), Vangjeli, K.Duro, Agolli, Bylykbashi (Hyka), Bakaj (Muzaka), Memelli (E.Vila), Salihi (Shtubina). Trajner: Artan Bushati
Milan: Kalac (Perruçhini), Thiago Silva, Senderos, Mattioni, Antonini (Zambrotta), Jankulovski, Gattuso (Flamini), Pirlo (Seedorf), Ronaldinho (Albertazzi), Shevchenko (Inzaghi), Pato (Kaka). Trajner: Karlo Ançeloti

Gramozi sjell…Realin e Madridit, në stadium ikin dritat
Më 20 janar 2010 erdhi për herë të parë në Shqipëri ‘mbreti’ i Championsit, Real Madrid, edhe këtë herë me iniciativë të biznesmenit Rezart Taçi. Ndeshja miqësore u luajt në ‘Qemal Stafa’ dhe bëri bujë edhe për faktin se gjatë saj u fikën dritat.

Miqësorja përfundoi me rezultatin 2–1 për spanjollët, të cilët, sipas burimeve jo zyrtare, thuhet se përfituan rreth 2 milionë euro për të ardhur në Shqipëri. Kundërshtari i Realit në fakt nu ishte Gramozi, por një seleksion i futbollistëve më të mirë të elitës së futbollit shqiptar, të cilët veshën fanellën e ekipit kolonjar, që për herë të parë merrte pjesë në Superiore.

Gramozi-Real Madrid 1-2
Gramozi: Shehi; Semina, Dragusha, Kukaj, Vrapi; Lilaj, Babaj, Devolli, Mukaj; Xhafaj, Dos Santos.
Real Madrid: Dudek; Ramos, Garai, Metzelder, Marselo; Gago, Guti, Granero, Kaká; Ronaldo, Raúl.

Gramozi shënoi i pari në atë miqësore me anë të Daniel Xhafajt. Vlonjati realizoi me kokë, pas një krosimi të Dos Santos. Reali barazoi me brazilian Kaká, kurse afër fundit të ndeshjes ishte Karim Benzema ai që i dha fitoren.

Për atë miqësore u fol shumë, sepse ikën dritat. Policia hapi edhe një hetim, duke shoqëruar 25 persona si të dyshuar, mes tyre edhe punonjës të mirëmbajtjes së stadiumit dhe punonjës të OSSH-së. Më pas u bë e ditur ikja e dritave kishte të bënte me faktin se transformatori kishte mbingarkesë.

Meqënëse jemi te miqësoret e luksit, një të tillë do ta luajë nesër Egnatia, ndaj Interit të madh. Por kjo miqësore do të zhvillohet në Itali dhe jo në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë