Njerez

Nga Biden, Macron te Rama / Giulia Dajçi, fotografja që fikson në objektiv liderët botërorë

Nga Gazeta “Si” “Unë fotografoj për qejfin tim, pra është emocioni i çastit që ma dikton atë që unë dua të fokusoj” ! Ky është përcaktimi që fotografja Giulia Dajçi  ka  për fotot të cilat realizon. Që nga peizazhe, te modelet e revistave e deri te politikanë si Joe Biden, Emanuel Macron apo Edi Rama, ajo thotë se për të ka rëndësi emocioni i individit përtej politikanit apo liderit.

Fotografia prej krijimit të saj e deri më sot mbetet arti më masiv dhe individual, por jo çdokush që shkrep është fotograf dhe jo çdo foto është art. Giulia është një nga ato fotografe e cila nuk bën kompromis me përmbajtjen e fotos. “Nëse s’ka shpirt në atë që vëzhgoj, nuk mund të ketë as fotografi të mirë”.  Kjo e bën atë një ndër fotografet më të veçanta sot në Shqipëri.

Giulia, vajza që shndërron çastet në art  

Fotografia prej krijimit të saj në vitin 1826 nga francezi Nicephor Niepce e deri më sot mbetet arti i cili u shndërrua në domsdoshmëri për njeriun. Që nga përdorimi i saj për dokumenta zyrtarë e deri te fotot e kujtimeve, mund të themi se mbetet arti më masiv i krijuar ndonjëherë. Duke qënë se fotografia realizohet nëpërmjet aparateve fotografikë, evoluimi i këtyre të fundit ka sjellë dhe evoulimimin e teknikave dhe mënyrave sesi shkrepet ajo. Por Giulia ka mënyrën e saj sesi e koncepton një foto.

Sipas saj gjendja shpirtërore vendos se çfarë dhe si të fotografojë. Ndërsa e takojmë Giulian në një kafenetë e bllokut, ajo vjen hipur mbi një motorr. Flokët e shkurtër, dy vethët e zinj dhe shikimi paksa serioz i japin asaj një pamjë paksa të vrazhdë. Por ky opinion i parë bie poshtë menjëhërë sapo afrohet dhe zgjat dorën. Dhe pasi porosisim kafe ,ajo ia nis e flet me shumë zell për gjithçka di dhe bën me fotografinë.

Në një rrëfim për Gazeta “Si” veç të tjerash Giulia fillimisht na shuan kuriozitetin në lidhje me emrin e saj.

“Emri Giulia më është vendosur nga filmi “Disperatamente Giulia” , mami e kishte shumë qejf dhe donte me patjetër që unë të quhesha Giulia. Në fëmijëri e kam pasur shumë të vështirë sepse të gjithë ma shenonin emrin me “XH” sqaron ajo.

Giulia Dajçi

Por Italia është aty prezentë, jo vetëm në zemrën e saj por dhe në pasaportën e saj.

“Kam lindur në Arezzo, Itali në vitin 1999 dhe jam kthyer në moshë shumë të vogël në Shqipëri, kam qënë pak muajshe. Deri në moshën 5 vjeçare, mbaj mend që prindërit kanë tentuar rikthimin në Itali 2-3 herë dhe në përfundim qëndruam në Tiranë, aty ku fillova shkollën dhe më pas u bë më e vështire për tu zhvendosur” thotë ajo.

“Italia më pëlqen shumë, jo vetëm për qytetet por edhe për kulturën dhe ushqimin. Mendoj kam krijuar një lidhje të fortë sepse jam rritur me prezencën e Italisë pavarësisht se jetoja në Tiranë. Të gjithë familjarët jetojnë në Itali, kam bërë shumë shpesh vajtje ardhje si fëmijë dhe tani e rritur kur më duhet të mendoj për pushime, vendi i parë që më shkon në mendje është gjithmonë Italia. Në shtëpi televizori ka qenë gjithmonë ndezur në kanale italiane gjë që më ka ndihmuar të mësoj gjuhën italiane që në vogëli dhe më ka afruar më shumë me kulturen Italiane. Gjimnazin e kam bërë Italisht, shkollën e lartë doja ta bëja në Itali por në pamundësi për tu zhvendosur, bëra universitetin Italisht në Shqipëri. Mendoj se emri ka vulosur përgjithmonë lidhjen shpirtërore me Italinë” thotë ajo.

Por edhe pse ka lindur në Itali, me një emër tërësisht italian Giulia na thotë se fëmijërinë në Shqipëri nuk do ta ndërronte me asnjë vend tjetër. Ka qënë kjo fëmijëri që ka shënjuar në të edhe mënyrën sesi ajo sot i qaset fotografisë.

“Mendoj kam pasur një fëmijëri të lumtur për nevojat që një fëmijë mund të kishte asokohe. Shkollën e doja shumë, isha gjithmonë një nga të parat që shkonte në klasë dhe në mbarim ulesha menjëherë të bëja detyrat e më pas dilja të luaja me shokët e lagjes. Më pëlqente të lëxoja e të mësoja gjëra të reja, libraria në shtëpi ka qënë e mbushur me enciklopedi të ndryshme.  Nuk më kanë pëlqyer ndonjëhere romanet, lexoja më shumë libra shkencorë. Lënde të preferuara kam pasur Historinë, Gjeografinë dhe Biologjinë. Nuk më pëlqente Matematika, asnjëherë nuk e kam gjetur veten te shifrat. Kam qënë fëmijë shumë aktiv, merrja pjesë ne çdo aktivitet që shkolla organizonte”

 “Nuk më ka pëlqyer asnjëherë të qëndroja në shtëpi, doja të kaloja gjithë ditën jashtë duke luajtur. Në lagje më thërrisnin “çun harram” sepse luaja futboll dhe bëja xhiro me biçikletë. Në adoleshencë vendosa që pasionin e biçikletës ta çoja në një nivel tjetër duke bërë gara downhill, zbritje të shtigjeve në kodra dhe malet e Shqipërisë. Më ka pëlqyer gjithmonë adrenalina dhe mendoj e kam kërkuar gjithmonë në gjërat që bëj, gjithashtu sot me fotografinë” rrëfen Giulia.

Pasioni për fotografinë nuk nisi me Giulian. I ati por dhe gjyshi i saj e aplikonin fotografinë në mënyrë amatore për të dokumentuar çastet dhe kujtimet e kohës.

“Unë kam pasur një fëmijëri të dokumentuar në video dhe foto. Babi ka pasur një kamër panasonic me kasetë dhe filmonte gjithmonë çdo event. Albumet fotografike janë me kujtime që kur kam qënë bebe e deri në moshën 8-9 vjeçare, më pas fotot bëheshin me telefon. Gjyshi gjithashtu kishte një aparat me film dhe sa herë shkonim i vizitonim, bënte foto dhe e mbaronte gjithë filmin sepse kishte dëshirë të lante filmin sa më shpejt. Mbaj mend kam pasur një aparat digjital 12 megapixel dhe bënim foto me vëllain. Më pas vëllai mori një aparat Canon dhe filloi të ekperimentonte me fotografinë, unë e ndoqa pas” thotë ajo.

Mësimet e para të saj si fotografe , të nxitura nga i ati dhe gjyshi por dhe i vëllai, po ashtu fotograf kanë qënë autodidakte. Youtube dhe platformat e tjera të internetit i shërbenin si manuale mësimi të fotografisë dhe teknikave të saj.

“Fillova të shihja video në youtube se si përdorej aparati manualisht, duke i vendosur parametrat e duhura për të bërë foton që kisha në mendje të krijoja. Kishte gjëra që nuk kuptoja dhe shpesh herë për gjëra teknike më ka ndihmuar vëllai , gjithashtu është fotograf dhe ishte shumë i apasionuar në pjesën teknike të aparaturave. Në mënyrë autodidakte kam mësuar se si përdoren aparaturat dhe keshtu ia nisa të bëj fotot siç unë doja. Kisha shumë qejf të dokumentoja, e kam nisur duke bërë foto peizazhesh e më pas duke bërë foto në eventet e shkollës. Isha 14 vjeçe kur fillova të eksperimentoj me fotografinë, me një logo shumë të thjeshtë sepse doja që emri im të njihej nëpermjet fotove. Fotografinë e nisa si hobby, gjëmoja evente të ndryshme dhe bëja foto për qef, pa pagesë”

Në vitin e tretë në gjimnaz fotografia u kthye tashmë në profesion për të.

“Mbaj mend që hera e parë që jam paguar për një event, ka qënë vitin e tretë në gjimnaz, mendoj ky ka qënë momenti kur fotografia mori trajtën e profesionit”  

“Nga clubet e natës dhe modelet ,  te kryeministri Rama”

Giulia thotë se në fillimet e saja profesionin e ushtronte nëpër club-e apo dhe me modele, punë të cilat sipas saj ishte e detyruar ti bëntë për shkak të shkollës. Por ishin këto fotografi dhe talenti i saj që e çuan Giulian drejt kryeministrit Rama për të cilin thotë se punon prej tre vitesh.

“Kur vendosa të aplikoja fotografinë si profesion, kam qenë ende studente dhe më duhej të kisha të ardhura me vete për të paguar universitetin. E kam menduar gjatë nëse duhet të bëja akademinë e arteve por gjithmonë me ndjesinë që fotografia nuk do më sillte të ardhura mjaftueshëm për të pasur një jetë të mirëflltë kështu që vendosa të bëj universitetin për një tjetër pasion timin, fizioterapinë. Nderkohë që studioja, punoja si fotografe dhe me është dashur të marr disa projekte njëkohësisht që të kem të ardhura mjaftueshëm. Sot, e diplomuar dhe pa impenjim universitar, punoj si fotografe e kryeministrit Rama prej afro 3 vitesh dhe jetoj me fotografinë në kuptimin ekonomik” thotë ajo për Gazeta ” Si”

Politikanët për Giulian janë individë të cilët ajo kërkon që nëpërmjet objektivit të saj ti zhveshë nga roli i liderit. Por gjithashtu janë momentet e tyre të rëndësishme ato të cilat nuk i lë kurrë ti ikin. Nga Joe Biden , Emanuel Macron e deri te Ursula Von Der Lein , ajo sqaron se çfarë i bën përshtypje në staturën e tyre.

“Nuk kam qënë asnjëherë e dhënë pas politikës por tani që e bëj si punë, më pëlqen të dokumentoj dinamikat e ndryshme që politikanët kanë me njëri tjetrin. Ne çdo samit apo forum që zhvillohet jashtë shtetit, aty ku kam mundësinë të jem pranë liderave të botës, më pëlqen të shoh se si ata sillen me njëri tjetrin, çfare mesazhesh japin, gjuha e trupit, shikimet, çfarë duan të lënë të kuptojnë me një gjest apo fjalë, si mbajnë qëndrim për shkak të politikave të shteteve të ndryshme, hatërmbetje politike ose jo, si reagojnë kur ka krizë politike, si sillen me publikun dhe stafin e tyre. Të gjitha këto ndjesi, unë mundohem ti përcjell nëpërmjet fotografisë. Më pëlqen të dokumentoj gjithmonë anën njerëzore pavarësisht profesionit që kanë, ndonjëherë të qeshur, ndonjëhere me nerva, të trishtë apo të sikletosur. Në fund të fundit, lider politik në profesion por njerëz të thjeshtë në jetën private dhe përditshmëri” thotë ajo.

Emanuel Macron

Por jo çdo foto mund të jetë art, dhe jo çdo shkprepje mund të quhet foto. E pyetur se nga buron një fotot e mirë , Giulia thotë se buron nga energjia që ka në çastin që realizon foton por dhe nga ambienti përreth.

“Që kur kam nisur të fotografoj e deri më sot, kam eksperimentuar me fotografinë në shumë disiplina dhe kam arritur të krijoj një stil timin. Fotografi nuk është vetëm të shkrepësh një buton, është të kompozosh me kujdes një imazh që të percjellësh ndjesi  pra momenti i duhur për të përcjellë çfarë zemra ndjen. Mendoj që fotografia përgjithësisht është një formë e vetë-shprehjes, është të tregosh diçka pa u shprehur me fjalë. Për mua një foto e mirë është kur përcjell emocion, kur ngjall ndjesi të ndryshme te çdo kush që e sheh. Nëse unë duhet të bëj një foto të mirë, më duhet pak kohë të vështroj e të marr energji dhe ndjesi nga ambienti dhe në momentin që arrij ti marr, rrotullohem në ambient për të gjetur kompozimin e duhur për të shprehur çfarë kam në zemër e në mendje” shpjegon Giulia.

 Ajo  shpjegon dhe se trendët botërore të fotografisë janë portreti dhe fotografia e gjeneruar me Inteligjencë artificiale.

“Mendoj që fotot me stilin vintage kanë qënë gjithmonë trend, të gjithë e kanë nga një foto stil vintage. Portreti gjithashtu është një trend, revistat më të rëndësishme përdorin portretin në kopertinë. Një boom të madh trendi ka pasur edhe fotografia me dron. Sot në çdo event kërkohet Dron përveç fotografisë dhe videografisë. Mendoj trendi i ardhshëm do jetë fotografia e  gjeneruar me inteligjence artificiale, ka pasur impakt pozitiv deri me tani dhe te gjithe kane deshire te krijojne me inteligjence artificiale”.

Mes angazhimeve të shumta me punën si fotografe full time e kryeministrit Rama dhe pasionit për të kapur çastet e një përditshmërie dinamike, Giulia rrëfën  se sa herë gjendet në Tiranë mundohet të shijojë mëngjeset me diell por dhe kafenetë me miqtë e saj. Ajo rrëfen dhe se shkruan shpesh, akt i cili sipas saj kërkon vetminë dhe qetësinë e shtëpisë.

“Duke qene se udhëtoj shpesh jashtë shtetit për punë, e kam të vështirë të mbaj një rutinë strikte. Në mëngjes preferoj të zgjohem herët sepse dua të shijoj ditën, më pelqen që Tirana ka shumë ditë me diell. Jetoj me një qen, quhet Sasha. Gjëja e parë që bëj sapo zgjohem është ti jap bukë Sashës, te bëj një dush dhe të dal për xhiron e mëngjesit me Sashën. Gjate ditës, nëse nuk kam punë më pëlqen të shkoj të pi një kafe të mirë. Më pëlqen shumë kafja dhe i zgjedh vendet se ku dua ta pi. Më pëlqen të flas me njerëz dhe të bëj biseda jo sipërfaqësore. Shpesh herë shkoj në teatër, ekspozita ose evente të ndryshme që ka në qytet. Më pëlqen ta kaloj ditën vetëm e të shkruaj. E shkruara më ndihmon të kuptoj më shumë veten dhe situatat që më rrethojnë, pak a shumë si terapi pa terapist” thotë ajo.

Por puna e saj si fotografe dhe udhëtimet e shumta jashtë e bëjnë shpesh të ketë mall për Tiranën.

“Si në fëmijëri e deri sot, më pëlqen ta kaloj ditën jashtë dhe jo shumë në shtëpi. Në rast se më duhet të udhëtoj për punë, rutina nuk ekziston. Oraret e gjumit janë shumë të pakta sepse udhëtimet mund të jenë në mëngjes herët dhe kthimet në darkë vonë. E gjithë dita është punë dhe asnjeherë nuk dihet kur mund të kthehem në hotel për të fjetur gjumë. Nuk më shqeteson aspak mungesa e rutinës, kjo ka ndryshuar që kur kam filluar punën në kryeministri, fakti që më duhet të udhëtoj shumë më bën të kem mall për njerëzit dhe gjërat që kam në Tiranë dhe sa here jam në qytet, mundohem ta kaloj kohën me sa më shumë njerëz që njoh” përfundon rrëfimin Giulia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë