Biznes

Nga aplikimi tek gjetja e tokës, si mund të investoni në energjinë e rinovueshme në Shqipëri

Nga Gazeta ‘SI’ – Përpjekjet ambicioze të qeverisë për të nxitur zhvillimin e energjisë së rinovueshme jo HEC-e, ka ngritur  pyetje nga investitorët që kërkojnë detaje në  lidhje me procedurën që duhet ndjekur për të aplikuar. Gazeta “Si” ka komunikuar me shumë syresh dhe për këtë arsye ne biseduam me Drejtorin e Përgjithshëm të Politikave dhe Zhvillimit të Industrisë dhe Energjisë në Ministrinë e Energjisë, Enea Karakaçi, për një informim më në detaje të procesit të zhvillimit të burimeve të rinovueshme energjetike.

Fillimisht, Karakaçi shpjegon fazën fillestare të një investimi të tillë, ajo e të drejtës së zhvillimit. Qeveria shqiptare ka ndjekur dy metoda të licencimit për projektet e energjive të rinovueshme, atë me ankand dhe atë me aplikim.

Ankandet kërkojnë që ofertuesit të provojnë eksperiencë të mëparshme në zhvillimin e projekteve të energjisë së rinovueshme, me kapacitet 30 MW ose më shumë, si dhe të kenë zhvilluar të paktën dy projekte të ngjashme me madhësinë e kërkuar nga ankandi. Po ashtu kërkohet që ofertuesit të paraqesin pasqyrat financiare të 3 viteve të fundit, ku të provohet një xhiro vjetore e caktuar. Projektet me ankande përfitojnë edhe nga masat mbështetëse të qeverisë.

“Deri tani janë realizuar dy ankande të suksesshme për energjisë fotovoltaike dhe tashmë është në vijim ankandi i parë për energjinë eolike që pritet të përfundojë në muajin qershor 2023. Për ta konkretizuar, në të kërkohej që pasqyrat ose raportet financiare të Audituara të 3 viteve të fundit financiarë, të vërtetojnë vlerën neto të shoqërisë e llogaritur si diferencë ndërmjet totalit të aktivit dhe totalit të pasivit, e cila duhet të jetë të paktën 20 milion Euro për secilin nga 3 vitet e fundit financiarë. Po ashtu kërkohej që pasqyrat apo raportet financiare të Audituara të të paktën të 3 viteve të fundit financiarë, të vërtetojnë një xhiro totale vjetore prej 20 milion EUR/vit për secilin nga 3 vitet e fundit financiarë”, – shpjegon z. Karakaçi.

Drejtori i Përgjithshëm të Politikave dhe Zhvillimit të Industrisë dhe Energjisë në Ministrinë e Energjisë, Enea Karakaçi

Metoda e dytë është ajo e aplikimit nga subjektet e interesuara për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese, që nuk është objekt koncesioni dhe rrjedhimisht nuk përfitojnë as masa mbështetëse. “Konkretisht aplikimi për këto projekte kalon në dy faza ku secili subjekt paraqet dokumente ligjore, financiare dhe teknike. Çdo subjekt paraqet një miratim të pikës së lidhjes me rrjetin e shpërndarjes apo të transmetimit, leje mjedisore, marrëdhënien afatgjatë me tokën, si dhe studimet e nevojshme të fizibilitetit, teknik dhe plan biznesi. Këto projekte nuk jepen me procedurë konkurruese, por sipas parimit i pari në kohë- i pari në të drejta. Për projekte me kapacitet mbi 2 MW, miratimi i tyre bëhet me Vendim të Këshillit të Ministrave.

 Një ndër paqartësitë dhe pengesat e këtij procesi ka qenë gjetja dhe përzgjedhja e territorit ku mund të zhvillohen këto projekte. Drejtori Karakaçi shpjegon se kur projektet zgjidhen me ankande dhe procedura konkurruese me ‘vendndodhje të caktuar’, zonën e cakton Ministria, e cila merr në konsideratë prona shtetërore që janë të lira dhe që kanë akses në rrjetin e transmetimit. Kur procesi zhvillohet me ‘vendndodhje të papërcaktuar’, subjektet pjesëmarrëse në proces duhet të identifikojnë zonën ku do të propozohet ndërtimi i burimit të ri gjenerues të energjisë elektrike. “Në çdo rast subjektet që duan të zhvillojnë projekte të rinovueshme duhet të kenë në konsideratë faktin që në toka bujqësore përgjithësisht nuk lejohet ndërtimi i tyre dhe që duhet të pajisen nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit me Vendim për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis”, – tregon Karakaçi duke shtuar se në ankandin që po zhvillohet për energjinë eolike, ku subjektet janë përgjegjës për gjetjen e tokës për zhvillimin e projektit MIE ka hartuar një studim ku ka referuar zonat e mbrojtura dhe zonat ku nuk mund të zhvillohen projekte të tilla, duke i orientuar në zona që mund të ndërtohen impiante eolike.

Një nga ndryshimet e fundit të prezantuara edhe gjatë shqyrtimit të projektligjit të ri për burimet e rinovueshme në Komisionet ndërparlamentare, ishte dhe ai i masës mbështetëse nga qeveria, pra garancia e blerjes së energjisë nga një entitet shtetëror. Por kjo vlen vetëm për fituesit e projekteve me konkurrim dhe jo aplikim. Po ashtu për projekte me vlerë investimi mbi 500 milion lek, legjislacioni fiskal parashikon përjashtim nga TVSH për pajisjet dhe makineritë e nevojshme për zhvillimin e impiantit.

Karakaçi përmend se subjekte kanë disa detyrime në lidhje me afatet për marrjen e lejeve të nevojshme për zhvillimin e projektit dhe afate për ndërtimin e projektit dhe për çdo vonesë në marrjen e lejeve apo ndërtimin parashikohen penalitete.

Plani për adaptimin e energjive të rinovueshme, jo HEC-e, u intensifikua gjatë vitit 2022, për shkak të krizës botërore energjitike, ndryshimeve klimatike dhe rritjes së kostove. Gjatë të gjithë vitit 2022, sipas regjistrit të Entit Rregullator, janë licencuar 10 kompani për prodhimin e energjisë nga dielli.

Projektet e kaluara me ankand, deri më tani, është ai i parkut fotovoltaik të Karavastasë dhe i Spitallës, me kapacitet prodhues 140 dhe 100 MW, respektivisht, të fituara të dyja nga kompania franceze Voltalia. Ndërkohë, ankandi për energjinë e erës ka ende në konkurrim 6 kompani, përfshirë Voltalian. Në janarin që sapo kaluam, nisi dhe prodhimi i energjisë nga dy TEC-e lundruese në Vlorë, të marra me qira nga SHBA. TEC-i me gaz natyror i Vlorës, pritet të nisë prodhimin në fund të 2023-shit. Një vit më parë, ministrja e Energjisë pati njoftuar se në disa nga HEC-et funksionale në vend, do të integrohen dhe centrale fotovoltaike apo eolike, në një projekt hibrid të prodhimit të energjisë. Projekti i parë në botë i këtij lloji. Kompania norvegjeze Statkraft sapo përfundoi ndërtimin e një centrali fotovoltaik mbi rezervuarin e Banjës në zonën e Gramshit- I pari në të gjithë Europën Juglindore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë