Ngjarje

Nga aksidentet tragjike, arrestime për korrupsion dhe atentati mafioz, çfarë ndodhi në javën që lamë pas

Aksidente tragjike, arrestime për korrupsion, operacion kundër skemave për pastrimin e parave në shuma miliona euro dhe atentat mafioz me armë zjarri.

Java që lamë pas ka qenë e mbingarkuar sa i takon ngjarjeve tragjike dhe jo vetëm në vend.

Në tre operacione të ndryshme me emrin “Fati i Lojërave”, policia e Tiranës goditi tre raste të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit një javë më parë në 8 nëntor.

Në pranga ranë pesë persona dhe u sekuestruan shuma të konsiderueshme parash në lekë dhe euro, si dhe 10 njësi kompjuterike, 8 monitorë, 16 aparate celular dhe dy dekodera, që shërbejnë për piratimin (vjedhjen) e sinjaleve televizive.

Në 8 nëntor, gjykata dha masën e sigurisë “arrest në burg” për Astrit Hidën, i cili vrau me thikë Florenc Kovaçin dhe plagosi vëllain e tij, Mikel Kovaçi.

Hida ka pohuar se ka qenë i dehur në momentin e krimit dhe se më herët i kishte paralajmëruar vëllezërit që të mos ia ngacmonin motrën.

Në 9 nëntor, topografi i Bashkisë së Himarës, Elton Marko u arrestua nga policia, pasi dyshohet se ka falsifikuar formularin e aktit të marrjes së Tokës në pronësi, të cilin e ka përdorur për regjistrimin e një pasurie në fshatin Dhërmi dhe më pas e ka shitur te persona të tjerë.

Po të martën e shkuar, Gjykata e Pogradecit vendosi masën e sigurisë 40 ditë burg për drejtorin e shkollës të fshatit Stropckë në Pogradec, i cili u arrestua dhe pezullua nga detyra me akuzën e ngacmimit seksual të dy nxënëseve të mitura.

Në 10 nëntor, një aksident tragjik i ka marrë jetën një 23-vjeçari në Durrës, i cili ishte pasagjer, pasi makina me të cilën po udhëtonte u përplas me një pemë.

Gjykata e Krujës, la në burg Saimir Kuçin, autorin e dyshuar të grabitjes dhe dhunimit në shtëpi të biznesmenit Naim Çangu në Nikël.

Po në 10 nëntor, në një seancë me dyer të mbyllura, Gjykata e Tiranës la në burg vëllezërit Fredi dhe Pajtim Rrushi, si autorë të dyshuar për vrasjen e biznesmenit të inerteve Ruzhdi Hoxha.

Një makinë është përfshirë nga flakët mëngjesin e të premtes në lagjen “Partizani” në Vlorë. Automjeti tip “Renault” ndodhej i parkuar në oborrin e një banese, ndërsa paraprakisht dyshohet se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme.

Rreth orës 03:15 të mesnatës së 11 nëntorit, humbën jetën dy persona në një aksident tragjik te kryqëzimi i “21 Dhjetorit” në Tiranë. Viktimë mbeti një polic burgjesh, Luan Cenollari, 58 vjeç, i cili punonte natën si taksist dhe pasagjeri i tij, Ali Bejo 59 vjeç. Dyshohet se automjeti i tyre u përplas nga një makinë, drejtuesi i të cilit ishte i dehur dhe me shpejtësi të madhe.

Në 12 nëntor, një skemë financiare e pastrimit të parave, ishte pjesë e një operacioni të kryer nga SPAK, i cili shpalli në kërkim biznesmenin Rezart Taçi dhe arrestoi kunatin dhe ish-truprojën e tij. SPAK sekuestroi shumën prej 18 milionë euro, ndërsa në hetime janë përfshirë për pastrim parash edhe tre shtetas italianë.

Mbrëmjen e të shtunës, 13 nëntor, një atentat tronditi kryeqytetin rreth orës 19:30 , ku mbetën të vrarë dy të rinj: Erigers Mihasi 32 vjeç dhe Armand Dumani 26 vjeç, të dy me precedentë të mëparshëm penalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë