Menaxhim

Nga 2026-a, shqiptarët me identifikim dhe patentë digjitale

Nga Gazeta ‘SI’ – Vitin e ardhshëm, shqiptarët do të mund të pajisen me mjete digjitale të identifikimit.

Sipas kryeministrit Edi Rama, Shqipëria do ta bëjë këtë para shteteve të BE-së, që do ta implemetojnë identitetin digjital në 2027-n.

“Një tjetër moment i shumë pritur dhe mirëpritur se prej disa kohësh jemi angazhuar me shumë dëshirë por edhe me ambicie si gjithmonë për të krijuar identitetin digjital, i cili është baza e një kapërcimi tjetër të madh dhe projektimi në të ardhmen falë teknologjisë. Në dijeninë time, çfarë po demonstrohet sot, do të jetë në dispozicion të publikut dhe të raportit mes qytetarit e shtetit dhe të ekonomisë tonë në fillim të vitit të ardhshëm. BE po ashtu po përgatitet për identitetin digjital, dhe objektivi i shpallur i BE është që në 2027 qytetarët e BE të mund të pajisen me identitetin e tyre digjital. Ne do të jemi një hap më para“, tha Rama.

Më shumë detaje dha ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, e cila shpjegoi se qytetarëve nuk do tu duhet më asnjë mjet fizik i identifikimit apo drejtimit të makinës.

“Sot prezantojmë një projekt që prek çdo qytetar shqiptar, një hap përpara që ndryshon mënyrën se si ndërveprojmë me shtetin, me bankën dhe me njëri-tjetrin. Një mënyrë për ta bërë jetën e qytetarëve më të lehtë e më të sigurt. Imagjinoni portofolin tuaj digjital në telefon, në xhepin e kujtdo, kudo që është. Nga Tirana deri në skajin më të largët. Aty, me një klikim, janë të gjitha dokumentet tuaja personale. Nga karta e identitetit te leja e drejtimit të automjetit apo çdo certifikatë, gati për t’u përdorur kudo, në çdo vend të Europës. Të sigurta, të mbrojtura dhe të aksesuara në çdo moment. Me këtë portofol, çdo qytetar mund të thotë: ky jam unë. Në vetëm pak sekonda, pa letër, pa radhë, pa vonesë. Në bankë, te noteri. Pa dokumente që humbasin apo firmosen disa herë. Deri në vitin 2027, identiteti digjital do të jetë pjesë e portofolit europian të identitetit digjital”, tha Koçiu.

Për shtetin sipas ministres “kjo do të thotë më shumë shërbim 24 orë në ditë 7 ditë në javë, më pak burokraci, më shumë transparencë”, ndërsa për biznesin, “më shumë besim më shumë efikasitet”.

Ministrja përmendi gjithashtu edhe projektin Smart City.

“Përtej Identitetit Digjital, Ministria e brendshme po vijon zbatojë hap pas hapi një program të ndërtuar rreth qytetarit dhe nevojave të tij të përditshme. Po krijojmë një shtet që sheh, dëgjon dhe reagon në kohë reale. I referohem projektit si Smart City i cili përmes kamerave inteligjente do të bëjë të mundur një monitorim të pandërprerë të hapësirave publike në 20 qytete kryesore të vendit”, tha ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë