Aplikimet për përfitimin e subvencioneve direkte për bujqësinë do të nisin nga data 20 mars deri më 11 prill 2023.
Udhëzimi i përbashkët nga ministria e Bujqësisë dhe ajo e Financave përcakton se mbështetja për fermerët do të zbatohet nëpërmjet 9 masave.
Për herë të pare këtë vit do të aplikohet edhe skema me subvencione në mbështetje të fermave me jo më pak se 10 krerë lopë në vlerën e 10.000 lekëve për krerë dhe mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1.000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje.
Gjithashtu do të vijojnë të mbështeten fermat organike në vitin e parë, në vlerën 100.000, në vitin e dytë dhe tretë 150.000 lekë dhe 200.000 për fermë të certifikuar.
Në total fondi për skemën kombëtare të bujqësisë është 3.3 miliardë lekë ndërsa vitin e shkuar mbështetja nëpërmjet skemës kombëtare të bujqësisë arriti në vlerën e 4.9 miliardë lekëve.
Masa 1
Për tufën bazë të matrikuluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 10 (dhjetë) krerë lopë, në vlerën deri në 10.000 (dhjetë mijë) lekë/krerë, por jo më shumë se 500.000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt.
Masa 2
Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën deri në 1.200 (njëmijë e dyqind) lekë/krerë, por jo më shumë se 360.000 (treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë për subjekt.
Masa 3
Mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1.000 (një mijë) lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje, por jo më shumë se 150.000 (njëqind e pesëdhjetë) mijë) lekë për subjekt.
Masa 4
Mbështetje për fara/fidanë dhe impute të tjera në vlerën deri në 200.000 (dyqind mijë) lekë për ha për sezon dhe jo për më shumë se 2 sezone, për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermerë individual ose grup fermerësh, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha dhe jo më shumë se 1.500.000 (një milion e pesëqind mijë) lekë për aplikant. Mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1.000 (një mijë) lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje, por jo më shumë se 150.000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë për subjekt
Masa 5
Fermat organike për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100.000 (njëqind mijë) lekë, në vitin e dytë, 150.000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, vitin e tretë 150.000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200.000 (dyqind mijë) për fermë të certifikuar.
Masa 6
Implementimi dhe certifikimi Global GAP, në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësorë të certifikueshme, në masën 50 (pesëdhjetë) % të vlerës totale të faturës tatimore: por jo më shumë 175.000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, në sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha; por jo më shumë se 500.000 lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 ha në fushë të hapur.
Masa 7
Për rinovimin e infrastrukturës së anijes së peshkimit. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 13.500.000 (trembëdhjetë milionë e pesëqind mijë) lekë për anije peshkimi të pajisur me leje të vlefshme peshkimi tregtar dhe jo më shumë se 20.000.000 (njëzet milionë) lekë për subjekt. Rinovimi i anijes së peshkimit përfshin: i. Blerjen dhe instalimin e motorit kryesor, por jo më shumë se 7.000.000 (shtatë milionë) lekë; ii. Blerjen dhe instalimin e motorit ndihmës (gjeneratori detar), por jo më shumë se 1.000.000 (një milion) lekë; iii. Blerjen dhe instalimin e vinçit të anijes, por jo më shumë se 3 500 000 (tre milionë e pesëqind mijë) lekë. Vinçi përfshin edhe agregatet, hidromotorin, pompë vaji friksion, multiplikator dhe tubacionet; iv. Blerjen dhe instalimin e kamios (koplunit), por jo më shumë se 3.000.000 (tre milionë lekë); v. Riparim i përgjithshëm i anijes, por jo më shumë se 9,000 000 (nëntë milionë) lekë. Në riparimin e përgjithshëm, përveç zërave të përcaktuar në dokimin periodik sipas nënpikës “vi”,përfshihen dhe zëvendësim llamarine ose ndërrim dërrase; vi. Dokimi periodik i anijes, por jo më shumë se 3,000,000 (tre milionë) lekë. Dokimi periodik përfshin ngritjen dhe uljen nga kantieri, pastrimin dhe heqjen e bojës së vjetër, blerje boje, stuko, protektor (zinqe), riparim aksi helike.
Masa 8
Mbështetje për ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore, tregjeve të kafshëve të gjalla ose thertoreve për shoqëritë tregtare me kapital 100% shtetëror, të zotëruara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, në vlerën jo më shumë se 30.000.000 (tridhjetë milion) lekë për subjekt.
Masa 9
Mbështetje me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi.
KRITERE TË PËRGJITHSHME TË PËRFITIMIT
- Aplikanti duhet të jetë shtetas shqiptar ose person juridik ku të paktën njëri prej ortakëve/aksionerëve është shtetas shqiptar.
- Përfitues sipas masave mbështetëse mund të jenë fermerë individualë, grup fermerësh, subjekte me status fizik, juridik, SHBB dhe GVV.
- Fermerët individualë të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv.
- SHBB-të, GVV-të, personat fizikë dhe juridikë të jenë të pajisur me NIPT/NUIS me status aktiv.
- Përfituesi të këtë bërë “shlyerjen koherente të sigurimeve shoqërore”. Aplikanti për masat mbështetëse direkte me nr 1-6, në rast se rezulton që nuk e ka realizuar “shlyerjen koherente të sigurimeve shoqërore” në momentin e aplikimit, duhet të paraqesë pranë Agropikës më të afërt ose në zyrat qendrore të AZHBR-së, ose me postë në zyrat qendrore të AZHBR-së, vërtetimin e shlyerjes së detyrimeve.
- Për investimet, ofertat/faturat në valutë të huaj do të zbatohet kursi i këmbimit të Bankës së Shqipërisë në ditën e hapjes së aplikimit.
- Faturat/aktet e zhdoganimit, për masat mbështetëse në përputhje me kriteret përkatëse, duhet të jenë të lëshuara gjatë periudhës 2022-2023.
- Për masat mbështetëse të investimeve, punimet, faturat/aktet e zhdoganimit, dhe transaksionet bankare duhet të jenë pas datës së lidhjes së kontratës.
- Të gjitha materialet/pajisjet të jenë të reja.
- Financimi i shumës së përfituar bëhet në bankat e nivelit të dytë.
- I gjithë dokumentacioni i kërkuar të jetë në gjuhën shqipe ose në rast se është në gjuhë të huaj të jetë i përkthyer nga një përkthyes i autorizuar dhe i vërtetuar nga noteri.
Kriteret e përcaktuara në pikat 1-5, të këtij kreu, vërtetohen nga sistemi e-Albania ose nga burime të tjera zyrtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.