Prej datës 1 prill, shërbimi dentar do të rrisë tarifat me 10-15 përqind.
Lajmi bëhet i ditur nga vetë stomatologët të cilët konfirmojnë se rritja e çmimeve është e pashmangshme.
Të pyetur nga Gazetasi.al, pronarë të klinikave dentare në Tiranë thonë se rritja e përgjithshme e çmimeve që ka përfshirë mbarë botën i ka prekur dhe ata, ku të gjitha materialet dentare janë rritur me 10 përqind.
Sipas mjekes stomatologe I.B në Tiranë, lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike janë dy faktorët që kanë detyruar ata të marrin vendimin për rritjen e çmimeve.
“Prej një muaji ne kemi patur rritje të çmimit të materialit dentar por çmimet nuk i kemi ndryshuar. Nga 1 prilli të gjithë klinikat dentare kanë vendosur të punojnë me çmime të reja. Është e pamundur të vazhdojmë me të njëjtat tarifa”, thotë mjekja stomatologe I.B.
Sipas saj, edhe çmimi i energjisë ka ndikuar në rritjen e tarifës së shërbimit dentar ku prej muajit janar ata po faturohen me çmim të ri.
Klinikat dentare në pjesën më të madhe të tyre punojnë me linja 3 fazore për shkak të aparaturave ndaj dhe konsumi i energjisë është i madh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.