Gazeta Si – Klubi nga Uashingtoni kalon nga Dan Snajder te Xhosh Herris, bashkëpronar i 76ers (NBA) dhe Devils (NHL). Edhe Mexhik Xhonson mes ortakëve në minorancë.
Pasi ndryshoi emrin, klubi i NFL-së (futbollit amerikan) ndryshon edhe pronarin. Dhe e bën për një shifër rekord: 6.05 miliardë dollarë, rreth 5.555 miliardë euro. Komanders (ish-Redskins) bëhen kështu skuadra më e shtrenjtë në historinë e sportit botëror.

Rekordi i mëparshëm i takonte Denver Bronkos, një tjetër skuadre të futbollit amerikan, që u shit verën e kaluar për 4.27 miliardë euro. Për të kuptuar më qartë diferencën mjafton të përmendet fakti se Tod Boehli një vit më parë bleu Çelsin për 2.93 miliardë euro.
Rekordi mund të thyhet, nëse familja Glejzër shet Mançester Junajtid për shifrën e 6.3 miliardëve që kërkon. Oferta më e mirë deri tani shkon deri në 4.74 miliardë.
Komanders u shitën nga Dan Snajder, pronari kontrovers i përfshirë në skandale dhe hetime nga liga, madje edhe nga Kongresi amerikan. Bashkë me bashkëshorten Tania, ai e kishte blerë këtë klub në 1999-ën për 750 milionë dollarë, që në atë kohë do të korrespondonin me 387 milionë euro.

Në llogari duhen futur edhe shpenzimet e 24 viteve administrim problematik, por fitimi gjithsesi mbetet i madh. Kush janë blerësit? Maxhorancën e ka Xhosh Herris, themelues i ‘Apollo Management’, një grup që administron pasuritë, me një portafol që Forbes e vlerëson në 5.3 miliardë euro.
Ai është bashkëpronar i Filadelfia 76ers dhe Nju Xhersi Devills në NHL. Në krah të tij Mitçell Rejlls, Devid Blitzer, bashkëpronar i Kristal Pallas, dhe Mexhik Xhohnson, ish-ylli i Los Anxheles Lejkërs, si dhe disa investitorë të vegjël.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



