Ne rrjet

New York Times: Qeveria shqiptare miraton projektin e Kushner 6 ditë para se Trump të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë

Qeveria e Shqipërisë ka miratuar planin e propozuar nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, për të ndërtuar një kompleks hotelesh me vlerë 1.4 mld dollarë në një ishull në Shqipëri.

Projekti është një nga të shumtët që përfshijnë familjen e Trump dhe qeveri të huaja dhe që do të zhvillohen gjatë kohës që ai do të jetë përgjegjës për politikën e huaj të këtyre vendeve.

Miratimi nga Komiteti i Investimeve Strategjike të Shqipërisë – drejtuar nga kryeministri Edi Rama – i jep Kushner dhe partnerëve të bizesit të tij të drejtën për të vazhduar me negociatat e ndërtimit të resortit në ishullin që lidhet me territorin e shtetit shqiptar me anë të detit.

Kushner dhe qeveria shqiptare nuk iu përgjigjën kërkesës për koment nga NYT. Por kur ata u pyetën më herët për projektin, thanë se nuk ka asnjë ndikim nga Trump dhe as qëllime për të kërkuar favore nga ai.

“Fakti që një biznesmen amerikan tregon interes për të investuar në Shqipëri na bën krenarë dhe të lumtur”, tha një nga zëdhënësit e Ramës, vitin e shkuar për New York Times.

Kompania private e Kushner, Affinity Partners, që financohet kryesisht nga Arabia Saudite me 4.6 mld dollarë, po e ndjek projektin në Shqipëri me Asher Abehsera, ekspert i pasurive të patundshme, me të cilin ka bashkëpunuar edhe në projektet në New York.

Qeveria shqiptare, sipas një dokumenti zyrtar të publikuar së fundmi në internet, tani do të punojë me partnerët e saj amerikanë për të pastruar vendndodhjen ku do të ndërtohet hoteli nga municionet e varrosura dhe për të shqyrtuar çdo shqetësim tjetër mjedisor ose ligjor që duhet të zgjidhet përpara se projekti të mund të zhvillohet.

Dokumenti, i datës 30 dhjetor, vë në dukje se qeveria “ka të drejtë të revokojë vendimin”, në varësi të negociatave përfundimtare të projektit.

Firma e Kushner ka thënë se plani është të ndërtojë një “komunitet eko-resort” me pesë yje në ishull duke e kthyer nga një “ish-bazë ushtarake në një destinacion të gjallë ndërkombëtar për mikpritjen dhe mirëqenien”.

Ivanka Trump, vajza Trump, ka thënë se po ndihmon gjithashtu me projektin.

Ky projekt është vetëm një nga dy marrëveshjet e mëdha të pasurive të paluajtshme që Kushner po ndjek së bashku me Abehsera që përfshijnë qeveri të huaja.

Kompania mori miratimin paraprak vitin e kaluar për të ndërtuar një kompleks hoteli luksoz në Beograd, Serbi, në ndërtesën e ish-ministrisë së Mbrojtjes, e cila ka mbetur bosh për dekada pasi u bombardua nga NATO në 1999 gjatë një lufte atje.

Serbia dhe Shqipëria kanë çështje të politikës së jashtme në pritje me Shtetet e Bashkuara, pasi të dyja vendet kërkojnë mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për përpjekjet e tyre të ngecura prej kohësh për t’u bashkuar me Bashkimin Europian, dhe zyrtarët në Uashington po përpiqen të bindin Serbinë që të forcojë lidhjet me Shtetet e Bashkuara dhe jo me Rusinë.

Virginia Canter, e cila shërbeu si avokate në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratave të Obamës dhe Klintonit dhe gjithashtu këshilltare etike në Fondin Monetar Ndërkombëtar, tha se edhe nëse nuk ka asnjë përpjekje për të fituar ndikim tek Trump, çdo marrëveshje e qeverisë që përfshin familjen e tij e krijon atë përshtypje.

“Gjithçka duket si favorizim, sikur ata po i ofrojnë akses Kushnerit sepse duan të jenë në anën e mirë të Trump,” tha Canter, tani me Fondin e Mbrojtësve të Demokracisë së Shtetit, një grup që gjurmon korrupsionin e qeverisë federale dhe çështjet e etikës./NewYorkTimes


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë