Filma

Netflix heq ‘Emilia Pérez’ nga fushata e Oscars pas postimeve nënçmuese në X

Netflix ka ndalur promovimin e aktores transgjinore të nominuar për Oscar, Karla Sofia Gascon gjatë sezonit të çmimeve, pas reagimeve ndaj postimeve nënçmuese që janë rishfaqur.

Ylli 52-vjeçar ‘Emilia Pérez’ e njohur si gruaja e parë transgjinore e nominuar për çmimin Oscar për aktoren më të mirë, po përballet me kritika të mëdha pasi një gazetare kanadeze zbuloi postime të vjetra nga llogaria e saj X, sipas The Times.

Në postime, aktorja spanjolle bënte komente islamofobike, kritikonte ceremonitë e kaluara të Oscars dhe i referohej George Floyd, i cili u vra nga një oficer policie në Minneapolis, si “një i varur nga droga dhe hajdut”.

Netflix, distributori i filmit, e ka hequr Gascon nga postimet promovuese dhe planifikon të modifikojë posterat e filmit në mënyrë që yjet e tjerë të kenë më shumë rëndësi ose të shfaqen vetëm. Ata gjithashtu nuk do të mbulojnë shpenzimet e ndonjë udhëtimi për Gascon për të promovuar filmin.

Filmi “Emilia Pérez”, e cila tregon historinë e një mbreti karteli meksikan, të luajtur nga Gascon, e cila transformohet në grua, kryeson me 13 nominime për Oscar.

Gascon i tha CNN në fundjavë se ajo nuk do të tërhiqej nga gara për Oscar.

“Jam gjykuar, dënuar, sakrifikuar, kryqëzuar dhe vrarë me gurë pa gjyq dhe pa opsionin për të mbrojtur veten”, tha Gascon në një intervistë.

“Nuk mund të tërhiqem nga një nominim për Oscar sepse nuk kam kryer asnjë krim dhe as kam dëmtuar askënd. Unë nuk jam as raciste dhe as diçka që të gjithë këta njerëz janë përpjekur t’i bëjnë të tjerët të besojnë se jam.”

Gascon fitoi një çmim të përbashkët për aktoren më të mirë në Festivalin e Filmit në Kanë vitin e kaluar. Regjisori francez Jacques Audiard është kritikuar gjithashtu për përzgjedhjen e shumë pak aktorëve meksikanë në film dhe për përshkrimin e tij shumë të stilizuar të luftërave shkatërruese të karteleve në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë