Libra

Nestor Kraja sjell historinë e muzikës shqiptare

“Në këtë kohë pandemie, kur flitet për luftë, ekonomike, politike e shoqërore, unë vendosa të botoj një libër, si një gur në historinë e kulturës sonë që me kohën me siguri do të vijë e do të bëhet edhe më i madh”. Me këto fjalë iu drejtua autori Nestor Kraja të pranishmëve në sallën “Ibrahim Madhi” në Universitetin e Arteve në ceremoninë e përurimit të tij “Historia e muzikës shqiptare”.

Ky libër që erdhi pas një pune disavjeçare të autorit është edhe një kontribut për kulturën dhe trashëgiminë kombëtare. Kompozitori dhe pedagogu i Universitetit të Arteve në Tiranë, Nestor Kraja, zgjodhi si pikën e parë të takimit të librit me lexuesin, pikërisht “shtëpinë e tij shpirtërore”, Universitetin e Arteve, institucionin lidhjet me të cilin janë të pandara, dikur student e sot pedagog.

Në prani të pedagogëve, studentëve e ish-studentëve, muzikantëve të njohur, drejtuesve të shoqatave të ndryshme muzikore, medias etj., libri u përurua në një atmosferë që e bashkonte edhe me korpusin e aktiviteteve që vetë Fakulteti i Muzikës është duke mbajtur këto ditë.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast vlerësuan punën e autorit emra të njohur të këtij Fakulteti si: pedagogu dhe violinisti Lorenc Radovani, kompozitori dhe pedagogu Aulon Naçi, të cilët u përqendruan në analizën e kësaj pune disavjeçare. Në fjalët e tyre ndër të tjera, Radovani dhe Naçi veçuan librin si një nismë e guximshme dhe e dobishme dhe u ndalën edhe te karakteri patriotik që përcjell krenarinë për kulturën kombëtare. Dekani i Fakultetit të Muzikës Prof. Dr. Isak Shehu përshëndeti autorin dhe tregoi edhe njëherë mbështetjen që botimet e kësaj natyre të vijojnë dhe të jenë kontribuuese për studentët, brezat e rinj e më gjerë.

Libri “Historia e Muzikës Shqiptare” nga kompozitori Nestor Kraja

Libri “Historia e muzikës shqiptare” është mbështetur nga Fakulteti i Muzikës i Universitetit të Arteve në Tiranë. Përpara se të kalonte për botim, në përmbajtje të kohës që jetojmë kur teknologjia e informacionit është thuajse në duart e gjithkujt, libri u prezantua paraprakisht me lexuesit, duke u botuar në faqen e internetit në Universitetin e Arteve ku qëndroi për më shumë se dy muaj. I hapur për të pranuar sugjerimet, rekomandimet apo dhe vërejtjet autori e ftoi trupën akademike të këtij Universiteti të kontribuonin në pasurimin e këtij botimi duke i përfshirë mendimet e atyre që ju përgjigjën ftesës, në versionin përfundimtar.

“Historia e Muzikës Shqiptare” është një format i ngjashëm për nga karakteristikat me botimet ndërkombëtare të kësaj natyre.

Autori është mbështetur edhe në përjetimet personale, por edhe në dokumentacionin që ai mori në duar gjatë punës për hartimin e saj.

Në këtë libër paraqiten studime përgjatë periudhave të zhvillimeve muzikore në Rilindje, në periudhën e Pavarësisë dhe të Mbretit Zog, të periudhave të epokës socialiste si dhe të zhvillimeve të fundit të dekadave të demokracisë. Të një vëmendje të veçantë janë informacionet, konstatimet, ngjarjet, arritjet, portretet dhe vlerësimet mbi muzikën e pas viteve ’90 vite të cilat janë ende të pathelluara nga pikëpamja studimore.

Shumë nga analizat muzikore të përfshira në këtë libër botohen për herë të parë.

Autori e ka pajisur librin me portretet e kompozitorëve tanë, duke vendosur rubrika shtesë mbi muzikologjinë tonë, etnomuzikologjinë apo historinë e institucioneve kryesore në vend. Bibliografia e gjerë përmend një listë të gjatë të veprave të shqyrtuara.

Kur botohet një libër, është si të lindë një jetë. “Historia e Muzikës Shqiptare” sapo ju bashkua botimeve që pasurojnë e nderojnë kulturën shqiptare. Tani fjalën e kanë lexuesit!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë