Lajme

Nisën punimet në aksin Tiranë-Durrës, bllokohet autostrada

Duke nisur nga sot autostrada Tiranë-Durrës do të jetë e mbyllur duke bërë të pamundur lëvizjen nga Mbikalimi i Kamzës, deri në Mbikalimim e Qafë Kasharit, në të dyja drejtimet.

ARRSH ka sqaruar se nisi ndërhyrja emergjente për përmirësimin e situatës së përmbytjeve me ndërtimin e dy (2) tombinove në segmentin rrugor (autostrada) Tiranë–Qafë Kashar (kthesa Rinas). Punimet parashikohen të zgjasin 2 javë sipas grafikut të punimeve, por kjo edhe në varësi të motit.

Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe për të garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

Për këtë arsye gjatë kohës së kryerjes së këtyre punimeve:

Autostrada Tiranë–Durrës në segmentin Mbikalimi Kamzë – Mbikalimi Qafë Kashar, Rinas do të mbyllet plotësisht për trafikun në të dyja drejtimet e lëvizjes.

Trafiku do të devijohet për të gjitha mjetet në rrugën dytësore, të cilat do të funksionojnë me një drejtim lëvizje.

Rekomandojmë përdoruesit e rrugës që gjatë kësaj kohe të zgjedhin rrugë alternative për lëvizjet në drejtim të veriut (nga Kamza) dhe në drejtim të jugut (nga Ndroqi ose Elbasani).

“Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut sipas planit të menaxhimit të miratuar dhe të shfaqur në media.”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë