Arsim

Nis shkolla, numri i nxënësve më i ulët se vjet

E hëna e 11 shtatorit shënon dhe nisjen e vitit të ri shkollor 2023-2024. Teksa regjistrimet kanë vijuar dhe gjatë ditës së diel, këtë vit të ri shkollor duket se numri i nxënësve do të jetë më i vogël se një vit më parë. Ndonëse ministria e Arsimit nuk ka bërë publike akoma numrin total të nxënësve, deri më tani mësohet se ky numër është më i vogël se vitin e kaluar, por pritet që deri në orën 24.00 të ditës së dielë kur mbyllet afati, të kemi dhe shifrën zyrtare.

Ndryshe nga vitet e tjera, për shkak të numrit të ulët të regjistrimeve, Ministria e Arsimit u detyrua të shtyjë dy herë afatin e regjistrimeve në shkollat e arsimit parauniversitar.

Afati i parë ishte nga mesi i gushtit deri në datën 1 shtator.

Më pas u shty deri në datën 4 shtator dhe më pas u caktua e diela pak orë para se të nisë viti i ri shkollor, si afati i fundit.

Sipas informacioneve jo zyrtare, mësohet se deri më tani janë afro 28 mijë nxënës të regjistruar në klasat e dhjeta, shifër që konstatohet të jetë më e ulët se vitin e shkuar.

Por numri i regjistrimeve duket i vogël dhe në regjistrimet e klasave të para.

Kjo rënie vijon prej disa vitesh, referuar statistikave të vitit 2022 ku u ulën në bankat e shkollës rreth 450 mijë nxënës, 30 mijë nxënës më pak se viti paraardhës.

Kjo rënie pritet të jetë e ndjeshme edhe këtë vit, ku ndikim duket se ma patur emigrimi i shqiptarëve drejt vendeve të BE.

Të dhënat e fundit të publikuara nga INSTAT tregojnë një rënie të konsiderueshme të regjistrimeve për vitin shkollor 2022-2023, sipas të cilës, në arsimin zyrtar u regjistruan 554.222 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 4,1 %, krahasuar me vitin shkollor 2021-22.

Uljen më të madhe të regjistrimeve e ka pësuar arsimi i mesëm, me 7.4% nxënës me pak të regjistruar në gjimnaze krahasuar me një vit më parë. Ndërsa në shkollat 9-vjeçare, ka një rënie regjistrimesh prej 3.6% nga viti shkollor 2021-2022.

Gjithashtu, viti shkollor 2022-2023 shënoi rënie në regjistrimet në nivelin parashkollor me 3.6% dhe me 2% në arsimin e lartë.

Ministria e Arsimit ka shpërndarë tekste falas për rreth 242 mijë nxënës në të gjithë Shqipërinë.

71 mijë prej tyre janë nxënës nga klasa e parë në të tretën që do t'i përfitojnë tekstet falas me një përdorim, pa pasur detyrimin që t'i kthejnë ato në fund të vitit shkollor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë