Nga Liridon Mulaj- Le ta imagjinojmë për një moment një botë pa përkthyes. Të gjithë librat e shkruar do të mbeteshin lokalistë dhe brenda një rrethi, pa mundësinë e receptimit në botë dhe pa dritën që rrezatojnë kryeveprat e mëdha botërore. Homerin do ta lexonin vetëm grekët. Dante do u rrëfente botën e përtejme vetëm italianëve, ndërkohë spanjollët nuk do ta kuptonin qartë përmasën e jashtëzakonshme të një kryevepre si Don Kishoti i Mançës.
Dhe pikërisht sot, më 30 shtator, bota kremton ditën e atyre të cilët bënë të mundur thyerjen e kufijve kombëtarë të veprave të mëdha, duke i shndërruar ato në kryevepra botërore e kështu duke thyer kufijtë lokalë të tyre. Që nga Homeri e deri te letërsia postmoderne, përkthyesit kanë qenë ata që e kanë globalizuar letërsinë e madhe, duke i dhënë kënaqësinë e leximit të gjithëve në të katër anët e globit.
Por sa i konsoliduar është ky profesion në Shqipëri dhe sa e avancuar mbetet teknika e përkthimit në vendin tonë? Këtë na e thonë tre përkthyes të zotë, të cilët prej vitesh tashmë janë “urat njerëzore” të komunikimit të letërsisë, dhe jo vetëm, nga gjuhë të mëdha europiane si anglishtja, greqishtja dhe italishtja, në gjuhën shqipe.
Sokol Çunga: Nëse nuk ka komunikim njerëzor, nuk ka as breza përkthyesish
Sokol Çunga është një nga përkthyesit më aktivë të viteve të fundit, ku greqishtja mbetet gjuha e tij e preferuar dhe pas saj anglishtja, duke qenë njësoj dinjitoz në të dyja. Për GazetaSi.al, Çunga thotë se përkthimi për të, së pari, është një nevojë shpirtërore.
“Përkthimi për mua është veprimtari e përditshme që më mungon kur nuk kam kohë ta bëj, sepse mund të jem duke u marrë me diçka tjetër. Përkthimi për mua është një mënyrë jetese. Qoftë edhe dy rreshta, apo qoftë edhe një poezi, më bën të ndihem mirë shpirtërisht dhe mendërisht. Përtej anës teknike, aq sa është teknikë, është edhe zejtari.”

Ai shpjegon se nuk ka një komunikim njerëzor të vlefshëm mes përkthyesve të brezave të ndryshëm dhe, për rrjedhojë, nuk mund të flasim mirëfilli për breza përkthyesish.
“Shumëçka në Shqipëri, në kuptimin e brezave, është shkëputur; pra nuk kemi më lidhjen tradicionale që kanë pasur shoqëritë e shekullit 19-të apo shekullit 20-të. Qoftë edhe Shqipëria e periudhës komuniste, ku gjërat nuk funksionuan siç duhej, ose së paku siç do donim. Megjithatë, teksa stafeta ekzistonte dhe ruhej, ajo që shohim sot është se nuk ka më stafetë. Njerëzit nuk komunikojnë më me njëri-tjetrin dhe, nëse nuk ka stafetë, nuk ka breza. Po ka përkthyes shumë të mirë. Por transmetim të përvojës apo njohurisë njerëzore, atë që nuk e marrim nga kompjuterat, nuk e kemi. Një tjetër problem është mosinkurajimi i përkthyesve të rinj nga tregu dhe mjedisi. Jo se është i vështirë, por është treg shumë i vogël dhe i pafuqishëm për të mbështetur përkthyesit e rinj.”- thotë Çunga
Aida Baro: Përkthyesit e mirë numërohen me gishta
Aida Baro është një tjetër përkthyese që ka sjellë në shqip kryevepra të letërsisë italiane, duke fituar edhe shumë çmime përkthimi në Shqipëri. E investuar tashmë prej vitesh në këtë profesion, ajo thotë për GazetaSi.al se pa përkthimin, bota do të ishte më e vogël.
“Për mua përkthimi është një aeroport, një urë, një mjet që shërben për të kaluar detet dhe oqeanet, dhe për të njohur vende e histori në të cilat gjejmë vetveten. Pa përkthimin bota do të ishte një vend shumë i vogël, dhe ne do të mbylleshim në guaskën tonë, pa e ditur se çka përtej. Do të ishte e pamundur të ishim njerëz më të mirë.”
Por kur pyetet se çfarë mendon për brezin e sotëm të përkthyesve, Aida Baro mbetet pesimiste, duke shpjeguar se nuk mund të flitet për një brez të mirëfilltë përkthyesish.
“Mendoj se nuk mund të flasim për një brez përkthyesish. Për fat të keq, përkthyesit e mirë numërohen me gishta. Duke qenë brenda një shtëpie botuese, e shoh përditë sa po tkurret përgatitja e përkthyesve letrarë. Sigurisht, dallohen disa përkthyes të mirë, por në krahasim me botimet nga gjuhët e huaja që bëhen, janë shumë të paktë. Dhjetë përkthyes të mirë nuk bëjnë një brez.

Mbi të gjitha, dashuria për përkthimin letrar nuk ushqehet as nga shkolla, as nga universiteti. Mendoj që ndikimi ideologjik i asaj kohe nuk kishte lidhje drejtpërdrejt vetëm me përkthyesin, por me gjithë strukturën diktatoriale të kohës. Përkthyesi, për nga natyra dhe studimet që bën, duke qenë i pari në kontakt me botën e huaj, është mendjehapur, por rrethanat e sistemit e detyronin të konformohej. Problemi qëndron në ditët e sotme, larg ideologjisë, por pre e gjuhëve të huaja, duke harruar shqipen.”-përfundon ajo.
Eleana Zhako: Shqipja, gjuhë që konkurron me secilën gjuhë të madhe në botë
Edhe Eleana Zhako, një përkthyese e afirmuar tashmë e greqishtes, ashtu si kolegët e saj, mendon se përkthimi është një urë, një mjet për të depërtuar në brendinë e tjetrit.
“Përkthimi për mua është një urë, në kuptimin që ti banon në një ishull dhe e vetmja mënyrë për të kaluar në bregun tjetër është kjo urë. Përkthimi është vetë ura, pra përshkimi i kësaj ure, e cila mund të ketë gjatë këtij procesi surpriza, befasira, por edhe ndryshime; pra as ti nuk je më i njëjti. Nuk je i njëjti si lexues, por as si individ që je i detyruar ta përkthesh në një gjuhë tjetër. E përfytyroj përkthimin si një urë të domosdoshme që duhet të lidhë dy brigje. Përkthimi është komunikim. Ky është roli kyç i përkthimit. Sado që gjuha e trupit është plotfuqishme, pa përkthimin nuk do të zhvilloheshin gjuhët, por as njerëzimi nuk do të ishte i njëjti. Është një nevojë për të njohur tjetrin dhe për të depërtuar në thelbin e tij, gjë që mund të bëhet përmes gjuhës.”- thotë Zhako.
Por, ndryshe nga kolegët e saj, ajo mendon se kemi një brez të mirë përkthyesish duke qenë se shqipja është një gjuhë e pasur që konkurron me secilën gjuhë të madhe në botë.
“Besoj se kemi një brez të konsoliduar përkthyesish, edhe në gjuhë të cilat nuk kemi pasur deri tani. Shqipja është një gjuhë e cila mund të qëndrojë përkrah gjuhëve të mëdha në mjetet shprehëse letrare. Në zhanre të tjera është më e vështirë, sepse nuk ka një traditë të mirëfilltë, si p.sh. në filozofi apo teologji. Por në letërsi, falë fuqisë shprehëse të shqipes, mund të konkurojmë me çdo gjuhë të madhe. Po ashtu, falë përkthyesve të vjetër, ne kemi mundësinë të ndalemi mbi ato vepra që përbëjnë në njëfarë mënyre edhe njëfarë tradite të përkthimit shqip.

Pavarësisht abuzimit dhe efekteve negative të teknologjisë, shumëllojshmëria e mjeteve teknologjike në kombinim me mjetet fizike, mund të ndihmojë në konsolidimin një brezi shumë të mirë përkthyesish. Ndonëse interesi gjuhësor dhe letrar i lexuesit ka rënë, kjo nuk duhet të shpjerë në dekurajimin e politikave mbi përkthimin letrar. Ajo çka duhet investuar në fakt më shumë është të konsolidohet departamenti i përkthimit, shkëmbimi i studentëve. Pra kemi nevojë për më shumë kurse specializimi, ku studentët tanë të kenë mundësi të jetojnë jashtë dhe të mësohen me gjuhën prej së cilës aspirojnë të përkthejnë.” – mbyll Zhako për GazetaSi.al.
Dhe përtej debatit nëse ka vërtet një brez të konsoliduar përkthyesish shqiptarë sot, apo se sa e lejon tregu ynë i vogël angazhimin e përkthyesve të rinj, një nga të vërtetat është se përkthyesit shqiptarë mbeten ende një “shtresë në nevojë”.
Përtej pasionit, dëshirës dhe punës kolosale për të sjellë në shqip kryevepra botërore, ata ende keqpaguhen, duke mos pasur rolin që meritojnë si ambasadorë të botës në kulturën e një vendi si Shqipëria, e cila, duke qenë e vogël, ka nevojë jetike t’i “llastojë” sado pak këta individë që pasurojnë kulturën shqiptare me vepra të cilat kanë mbetur në histori.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



