Lajme

Nën maskimin e tallavasë dhe striptizmit shitej kokainë e ushtrohej prostitucion

Kishte marrë një ambient me qira, duke e përshtatur atë në një ambient për muzikë tallava dhe striptizëm, por që në të vërtetë ishte maskim për shpërndarje kokaine dhe prostitucion.

43-vjeçari Edmond Çipllaka, banues në qytetin e Fierit, u arrestua nga policia me akuzat “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “shfrytëzimi i prostitucionit” , “mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “fshehja e të ardhurave”.

Pesë vajza, që policia dyshon se ushtronin prostitucion në lokalin e 43-vjeçarit po ndiqen penalisht në gjendje të lirë.

Policia thotë se veç këtyre akuzave, 43-vjeçari akuzohet edhe për fshehje të të ardhurave dhe shmangie të detyrimeve tatimore, pasi nuk ishte i pajisur me kasë fiskale gjatë ushtrimit të aktivitetit në lokal.

Burime nga policia thonë për gazetën “Si” se grupi në fjalë u godit pas informacioneve të siguruara në rrugë operacionale nga banorë të zonës, që kishin denoncuar se në ambientet e lokalit shitej kokainë, si dhe shfrytëzoheshin vajza të moshave të ndryshme për prostitucion.

Policia i kaloi materialet hetimore prokurorisë së Elbasanit, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të zbardhur nëse në këtë aktivitet ka persona të tjerë të përfshirë apo jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë