Politike

Negociatat, Rama kërkon ndihmën e SPD e CDU. Opozita: Dështoi në Berlin

Pas samitit të Berlinit, kryeministri Edi Rama nis lobimin për çështjen e çeljes së negociatave duke zhvilluar takime me përfaqësues të Bundestagut gjerman, për t’i bindur për një vendim pozitiv në qershor të shtetit më të fuqishëm të BE-së.
Rama zhvilloi takime sot me Andrea Nahles, kryetaren e Partisë Socialdemokrate gjermane, dhe nënkryetarin e Grupit Parlamentar të CDU/CSU, Johann Wadephul.

Takimi më i rëndësishëm është me përfaqësuesin e CDU/CSU, pasi partia qeverisëse e kancelares Merkel, si e djathtë, ka qenë e vëmendshme ndaj këtyre zhvillimeve në Shqipëri dhe shpeshherë është treguar e rezervuar sa i përket vendimit që pritet të merret në qershor për negociatat.

Kryeministri Edi Rama në takimin me zv.kyetarin e grupit të CDU/CSU, Johann Wadephul.


Në përfundim të këtyre takimeve, kryeministri Edi Rama postoi një Twitter, ku u shpreh tejet entuziast sa i përket rezultatit të bisedimeve.
“Dy takime shumë pozitive mbi Shqipërinë me kryetaren e SPD, Andrea Nahles dhe nënkryetarin e Grupit Parlamentar të CDU, Johann Wadephul. Mesazh i qartë: Shqipëria meriton njohjen e arritjeve të derikëtushme, përmes çeljes zyrtare të negociatave për anëtarësim”, shkruan Rama.
Ndërkaq zyra e Shtypit e Kryeministrisë bën të ditur se mes Ramës dhe shefes së socialdemokratëve gjermanë u diskutua procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në takimin e zhvilluar mes lideres socialdemokrate gjermane Nahles, ka qenë edhe i pranishëm edhe europarlamentari Knut Fleckenstein.

Rama me kryetaren e socialdemokratëve gjermanë dhe europarlamentarin Fleckenstein


“Kryeministri e njohu Nahles me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe pritshmërinë për një përgjigje pozitive nga vendet anëtare të BE për hapjen e negociatave. Nahles siguroi Rama për mbështetjen e pakushtëzuar të grupit socialdemokrat për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Liderja e Partisë Socialdemokrate, njëkohësisht dhe kryetare e grupit parlamentar, sipas qeverisë shqiptare, përgëzoi Kryeministrin për reformat e ndërmarra dhe u shpreh besimplotë për një vendim pozitiv në qershor.
Por në një reagim të numrit dy të grupit parlamentar CDU/CSU në faqen zyrtare të kësaj partie, në lidhje me samitin e Berlinit, çështja e Shqipërisë apo Maqedonisë sa u përket negociatave nuk përmendet fare. Vëmendja kryesore përqendrohet te normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës dhe domosdoshmërisë për të arritur një marrëveshje, duke dalë kundër idesë për shkëmbimin e territoreve. Gjithashtu zyrtari gjerman kërkon që Kosova të shfuqizojë taksën 100 % të vendosur ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

Faksimile e deklaratës së numrit dy të grupit parlamentar të CDU/CSU


“Të gjithë pjesëmarrësit ishin në dijeni të vlerave kryesore evropiane gjatë samitit. Tani është e rëndësishme të implementohet demokracia parlamentare, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit jo vetëm në letër, por në terren”, shprehet Wadephul, duke mos dhënë ndonjë qëndrim sa i përket çeljes së negociatave.
Komisioni Europian pritet të nxjerrë në fund të majit raportin vjetor për ecurinë e Shqipërisë, duke paraqitur edhe rekomandimin për çeljen ose jo të negociatave. Pas këtij raporti, duhet të jenë vendet e anëtarë që do të shprehen për hapjen ose të negociatave në qershor. Bundestagu gjerman pas dërgimit të një misioni monitorues në Shqipëri pritet të marrë një vendim, pas daljes së raportit vjetor të KE-së.
Deutche Welle më herët ka raportuar se sa i përket hapjes së negociatave grupi parlamentar i CDU/CSU mund ta shtyjë vendimin në shtator.
Samiti i Berlinit i organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri francez Emmanuel Macron për çështjen e integrimit të Ballkanit Perëndimor nuk arriti të nxjerrë një emërues të përbashkët sa u përket çështjeve të nxehta si ajo e arritjes së një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës, apo për çeljen e negociatave me BE-në të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Konkluzionet e Samitit të Berlinit, si dhe mënyra se si u pasqyruan në media apo u komentuan në Shqipëri, duket se nuk i kanë pëlqyer kryeministri Edi Rama që si përherë i vë epitetin “kazan”, pavarësisht se lajmet për një vendim në shtator për çeljen e negociatave vijnë edhe nga mediat ndërkombëtare.
“I mahnitur nga kazanët e nga ligësitë e të dëshpëruarve që duan me patjetër dështimin e Shqipërisë dhe dështimin me çdo kusht të procesit të dialogut Kosovë/Serbi gjithashtu! Por Shqipëria s’do të dështojë kurrsesi dhe dialogu do vazhdojë pa kushte e as paragjykime nga askush”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Kryeministri Edi Rama gjithashtu u është përgjigjur artikujve të përhapur në disa media në Shqipëri, që në fund të punimeve të Samitit të Berlinit flisnin për një “mbyllje dere” nga ana e Merkel për qeverinë shqiptare. Në një intervistë dhënë për Top Channel, Rama i hodhi poshtë këto pretendime dhe deklaron se pengesat për hapjen e negociatave në qershor ishin detaje teknike.
“Ka vetëm një detaj, që lidhet me procesin e brendshëm të Bundestagut që duhet ta shqyrtojë çështjen bazuar në raportin e Komisionit. Kush thotë që u mbyllën dyert për negociatat, apo që Shqipëria nuk do t’i çelë zyrtarisht negociatat këtë vit, thjesht thotë atë që dëshiron. Fatkeqësisht, njerëz të dëshpëruar, të cilët duan patjetër dështimin e Shqipërisë, ashtu siç edhe duan dështimin e dialogut me Serbisë dhe Kosovës nga ana tjetër, por që me siguri gabojnë dhe duke i mishëruar u them të gjithëve që Shqipëria nuk do të dështojë dhe ne do t’ia dalim”, deklaroi Rama.
Kryeministri u shpreh i kënaqur nga takimet e zhvilluara dhe deklaroi se kriza e brendshme në Shqipëri nuk është cekur, përveçse në fragmente të ndryshme bisedash, ku sipas tij, cilësohet i patolerueshëm akti i heqjes dorë nga mandatet e deputetëve prej opozitës shqiptare.

Samiti i Berlinit, opozita: Rama dështoi për negociatat
Për opozitën shqiptare Samiti i Berlinit shënoi një dështim për qeverinë Rama, pasi vendimi për çeljen ose jo të negociatave është shtyrë në vjeshtë. Ish-deputeti i PD-së, Genc Pollo vlerëson qëndrimin e mbajtur nga kancelaria gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron që, sipas tij, i dhanë goditje kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Samiti i Berlinit pati një konkluzion të qartë: Bashkimi Europian me një zë unik, të qartë e të fortë refuzon ndryshimin e kufijve në Ballkan, përkatësisht copëtimin e Kosovës. Kjo ide anti-europiane e luftënxitëse e Ramës, Thaçit e Vuçiçit u varros në Berlin. Faleminderit kancelares Merkel, por edhe Presidentit Macron që marrin përgjegjësi për të korrigjuar papërgjegjshmëritë e treshes ballkanike”, shkruan Pollo në Facebook. Ndërsa sa i përket shtyrjes së negociatave, shkaktari kryesor sipas opozitës është Rama.
“Por edhe konfirmimi i një lajmi të keq: nuk ka vendim për negociata në qershor për shkak të korrupsionit e krimit në Shqipëri. Rama tërheq pas vetes edhe Zaevin. Dështimi me hapjen e negociatave në Qershor ka vetëm një përgjegjës që është kryeministri, z.Rama”, thekson Pollo.
Ish-zv.ministrja e Integrimit, përfaqësuesja e LSI-së, Erisa Xhixho në një reagim për konkluzionet e samitit ndan të njëjtin mendim.
“Në qershor nuk do të kemi hapjen e negociatave me Bashkimin Europian dhe pa dyshim ky është një dështim i drejtpërdrejt i qeverisë Rama. Mosarritja e plotësimit të prioriteteve në Reformën në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat e njeriut dhe pa dyshim rritja e numrit të azilkërkuesve në vendet e BE, moszhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe ndershme si kusht që Gjermania i ka vënë tashmë Shqipërisë; solli këtë vendimmarrje aspak pozitive për vendin dhe qytetarët. Ky dështim ka vetëm një përgjegjës, që është kryeministri z.Rama, i cili integrimin europian tashmë nuk e ka prioritet”, shprehet Xhixho.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë