Lajme

Negociatat, Holanda: Shqipëria të japë rezultat kundër korrupsionit e krimit të organizuar

Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok ka treguar dy kushtet kryesore për vendin tonë për hapjen e negociatave.

Sipas tij, para se të hapen negociatat, Shqipëria duhet të tregojë një angazhim të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat pa rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka deklaruar ai.

I pyetur në lidhje me veton e Francës, Danimarkës dhe Holandës për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, Blok tha se pavarësisht rezervave pozicioni i vendeve të BE-së është i qartë se e ardhmja e Ballkanit është në Bashkimin Europian.

“Ky qëllim përfundimtar është i palëkundshëm”, është shprehur ministri holandez në një intervistë për gazetën kroate “Jutrnji List”.

“Verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është veçanërisht thelbësor. Ka pasur reforma të rëndësishme ligjore dhe janë krijuar institucione të reja të drejtësisë. Sidoqoftë, përpara fillimit të negociatave të pranimit, Shqipëria do të duhet të tregojë një angazhim të qëndrueshëm për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, është shprehur ai, ndërsa ka theksuar se është e rëndësishme që Shqipëria dhe Maqedonia të vazhdojnë me reformat dhe se Holanda është e gatshme t’i ndihmojë këto vende me sfidat e ardhshme. Ai shtoi se “Këshilli i Europës do të diskutojë çështjen e Ballkanit, përpara Samitit të majit 2020”, që do të mbahet në Kroaci.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë