Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, priti homologen austriake, Kneissl, ku u diskutua për një sërë çështjesh me interes për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe Maqedoninë.
Ministrja Federale për Europën e Austrisë, Karin Kneissl, pasi shprehu mbështetjen e Austrisë për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së, kërkoi nga shteti shqiptar të përmbushë kushtet e lëna nga Komisioni Europian.
“Kriteret që janë shprehur nga KE duhet të mbahen gjallë, janë disa kushtet që ne duhet t’i përmbushim të gjithë si shtete anëtare. Kur përmbushet një kriter, plotësohet ai, atëherë ndiqet hapi tjetër. Ju inkurajoj që të vazhdoni në këtë rrugë dhe ju përgëzoj për punën e arritur në fushën e sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit. Për çështjet e interesit kombëtar gjithë kombi duhet të jetë i bashkuar. Në 2019 do kemi zgjedhje në BE dhe këtu dhe nuk duhet harruar që ky interes kombëtar të jetë në fokus të punës”, tha ndër të tjera Kneissl.
Ndërsa, ministri Bushati në fjalën e tij, sqaroi edhe qëndrimet e tij në lidhje me “përplasjet” me presidentin Ilir Meta. Ministri Bushati shtoi se procesi i negociatave është në proces me Greqinë, ndërsa është shprehur i habitur nga presidenti, i cili thotë se ka ndryshuar qëndrim.
“Në këtë proces presidenti ka dhënë autorizimin. Unë kam lëshuar plotfuqishmërinë për ekipin negociator. Ne nuk mund të bëjmë dasmë nëse nuk kemi çiftin. Negociatat nuk kanë përfunduar dhe deri në momentin kur do të përfundojnë ne e konsiderojmë veten pjesë të një ekipi, përfshi këtu dhe presidentin. Në momentin që do të përfundojë puna, dosja do të dorëzohet pranë Presidentit të Republikës ku ekipi do të bëjë vlerësimin përfundimtar. Më habit që Meta ka ndryshuar qëndrim”, u shpreh ministri Bushati.
Presidenti Ilir Meta deklaron se është dakord me kryeministrin Edi Rama për paktin me Greqinë, por marrëveshja duhet të ratifikohet në Kuvend në momentin kur Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




