Franca do të shtyjë për në marsin e vitit 2020 hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në një propozim për samitin, Parisi kërkon shtyrjen e një vendimi në mbledhjen e javës së ardhshme të Këshillit Europian duke kërkuar rishikimin e gjithë procesit të zgjerimit. Sipas saj negociatat me vendet që duhet të anëtarësohen duhen të jenë graduale, më konkrete dhe procesi të mos jetë automatik dhe i pakthyeshëm, që në momentin kur nuk vlerësohet përparimi i duhur, procesi të mund të pezullohet.
Po ashtu, agjencia e lajmeve “Reuters” e cila shkruan po ashtu se Holanda dhe Danimarka kanë dalë kundër Shqipërisë, kur ambasadorët e BE diskutuan çështjen prapa dyerve të mbyllura në Bruksel të enjten.
Duke cituar burime diplomatike, agjencia prestigjioze thotë se më shumë se gjysma e 28 vendeve anëtare të BE-së, si dhe zyrtarët e saj të lartë në Bruksel, po përpiqen të hapin negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut por kanë një kundërshtar të vendosur: Francën.
Një javë përpara mbledhjes së Këshillit të BE-së, "presidenti francez Emmanuel Macron u tha shteteve të Bashkimit Evropian se ishte kundër fillimit të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë tani për tani”, thanë burime diplomatike për Reuters, duke i dhënë kështu një goditje të rëndë Tiranës dhe Shkupit.
Propozimi i Francës për draftin e Samitit:
- -Këshilli pajtohet që negociatat do të hapen, pasi të jenë përmbushur dy kushte paraprake. Së pari, Këshilli konsideron se kërkohet një qasje e rishikuar ndaj procesit të zgjerimit, me qëllim që të sigurojë që negociatat e pranimit të jenë më graduale, më konkrete në përfitimet që ato sjellin për vendet e interesuara dhe të kthyeshme sipas zbatimit efektiv, të prekshëm dhe të qëndrueshëm te reformat, me një fokus të veçantë në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore.
- -Së dyti, Këshilli konsideron se përpjekjet e mëtutjeshme në sjelljen dhe zbatimin e reformave janë të nevojshme në fushën e shënuar më poshtë për secilin vend. Instrumentet ekzistuese të bashkëpunimit midis BE-së dhe vendeve kandidate duhet të kontribuojnë në një mënyrë më strategjike përafrimin e BE-së, përfshirë këtu përmes mobilizimit më të madh të ekspertizës së Shteteve Anëtare.
- -Për këtë qëllim, përpara vendimit për hapjen e negociatave të pranimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Këshilli fton Komisionin të paraqesë deri në Mars 2020 propozime konkrete për zbatimin e kësaj metodologjie të re, si dhe të raportojë mbi zbatimin aktual të reformave.
Macron, skeptiku më i madh për zgjerimin e unionit, thotë se “BE-ja përballet me shumë sfida tani për të lejuar në dy shtete të tjera nga Ballkani, një rajon ende i përndjekur nga luftërat e viteve 1990". Ai kërkon luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
"Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk janë akoma në nivelin e duhur. Ne po u kërkojmë atyre të bëjnë përpjekje shtesë," tha një zyrtar francez. "Negociatat nuk mund të hapen në tetor të 2019-ës, do të duhet të rivlerësojmë situatën gjatë vitit 2020”, thotë ai.
Argumenti i Francës është se BE-ja duhet të reformohet pari për të trajtuar unitet më të madh sfida të tilla si ndryshimi i klimës dhe emigracioni. “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të ndërmarrin reforma të mëtejshme përpara se të fillojnë bisedimet”, thotë diplomati francez.
Por shumë vende të tjera anëtare kërkojnë hapjen e bisedimeve të pranimit.
"Kjo është shumë zhgënjyese për shumicën e vendeve anëtare. Besueshmëria jonë është në diskutim, "thotë për “Reuters” një diplomat nga një vend që është i gatshëm të hap dyert për kandidatët e Ballkanit Perëndimor. “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë shumë. Po, mbetet shumë më tepër për të bërë, por hapja e bisedimeve për anëtarësim është thjesht hapi i parë, procesi do të zgjasë me vite dhe ata do të duhet të plotësojnë të gjitha kriteret para se të hynë në union. "
Macron, lideri më skeptik ndaj zgjerimit të unionit, është shprehur disa javë më parë se Shqipëria ka një numër të madh azilantësh për të cilët duhet të reflektojë.
“Shqipëria duhet të reflektojë për numrin e madh të azilkërkuesve, të cilët vijnë në Francë për të përfituar shërbimin shëndetësor,”, është shprehur Macron.
Për Shqipërinë, Franca vëren hapa pas për shkak të numrit të madh të azilkërkuesve, që sipas shifrave janë të dytët pas shtetasve afganë dhe shqetësimi i dytë që lidhet me krimin e organizuar.
Në fillim të kësaj vere, Franca duket se ishte në një vijë me Holandën, e cila ishte jo vetëm kundër hapjes së negociatave me vendin tonë, por kërkonte edhe pezullimin e përkohshëm të liberalizimit të vizave.
Macron ka deklaruar vazhdimisht se zgjerimi i Bashkimit Europian nuk është aspak një ide e pranueshme midis qytetarëve të unionit dhe asnjë nga politikanët europianë nuk është gati të bëhet viktimë e këtij rreziku politik. Parisit e bëri të qartë se për Francën Ballkani nuk është prioritet në kontekstin gjeopolitik.
Macron kishte frikë se hapja e negociatave në qershor do të fuqizonte skeptikët e BE-së dhe i bëri rezistencë negociatave me Shqipërinë përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian.
Opinioni i fundit i realizuar nga agjencia britanike “YouGov”, e realizuar në shtatë vende europiane (Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Suedia, Norvegjia, Finlanda dhe Danimarka), tregoi se Franca është më skeptikja për zgjerimin e unionit. Deri në 52% të anketuarve francezë nuk duan që Ballkani të bashkohet me Bashkimin Europian.
“Demokracia e pazhvilluar, korrupsioni i përhapur dhe perceptimi se anëtarët e rinj po u marrin francezëve vendet e punës, janë vetëm disa nga arsyet e këtij qëndrimi të opinionit publik francez”, shpjegon analisti politik Srđan Cvijić. Sipas tij, mosgatishmëria e BE-së për të përmbushur premtiet ndaj Shkupit por edhe ndaj Tiranës, mund të ndikojë edhe në çështjen e Kosovës.
“Nëse Franca vazhdon të bllokojë hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, unë nuk shoh ndonjë arsye pse presidenti Aleksandër Vuçiç do të besonte se njohja e Kosovës do t’i japë atij sigurinë për anëtarësimin në union”, thotë analisti. Ai shton se “ballkanasit nuk janë budallenj dhe nuk shohin shpresë reale për hyrjen në BE”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.