Mendim

Negociatat, BE thërret liderët e Ballkanit në Bruksel

Pas vendimit për të mos hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, Kryeministri Edi Rama dhe udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor janë ftuar në Bruksel mes shqetësimeve për perspektivën e anëtarësimit në union.

Liderët e Ballkanit janë ftuar nga shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini, të martën në një darkë të përbashkët pune për të folur për integrimin e rajonit dhe në veçanti për negociatat me Tiranën dhe Shkupin.

I pari që ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij ka qenë Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili ka thënë se do të takohet të martën në Bruksel me Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker përpara se të bashkohet me drejtuesit e pesë shteteve të tjera të Ballkanit në mbrëmje.

Sipas medieve serbe, kryefjala e takimit priten të jetë çështja e negociatave dhe nisma për rikthimin e kësaj dosje në tryezë muajin e ardhshëm. Juncker dhe Mogherini e quajtën këtë vendim "një gabim historik" duke paralajmëruar se qeveritë e Ballkanit kanë më pak të ngjarë të ndërmarrin reforma dhe të luftojnë krimin dhe korrupsionin nëse mendojnë se dyert e bllokut janë të mbyllura. Ata raportohet se do t’i kërkojnë kryeministrave Rama dhe Zaev të vazhdojnë reformat e ndërmarra.

Merkel, Mohgerini dhe liderët e Ballkanit

Rama me dosjen e negociatave nga Athina në Bruksel?

Kryeministri Rama nuk e ka konfirmuar ende pjesëmarrjen në darkën e mbajtur në Bruksel, por ai do të niset të martën drejt Athinës për të marrë pjesë në samitin e Vendeve Arabe dhe atyre europiane. Gjatë këtij samiti ai pritet të takohet me kryeministrin grek, Qiriakos Mistotaqis për të folur jo vetëm për negociatat, por edhe për çështjet e hapura dy-palëshe, përfshirë këtu edhe çështjen e detit. Gjatë takimit të tyre të parë në Nju Jork, mediat greke shkruanin se të dy kryeministrat kishin rënë dakort ta hapnin këtë dosje gjatë këtij samiti. Rama dhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiç janë liderët e vetëm nga Ballkani Perëndimor që do të marrin pjesë në samitin e mbajtur në Athinë.

Megjithatë, negociatat pritet të jenë sërish “patatja e nxehtë” e takimit Rama-Mistostaqis pasi qëndrimi i qeverisë greke nuk është ende i qartë. Gjatë votimit të një rezolute në Parlamentin Europian për nisjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të gjithë eurodeputetët e Demokracisë së Re kanë abstenuar, duke sinjalizuar kështu se qeveria në Athinë ka ende dyshimet e saj.

Kjo temë duket se do të zhvendoset më pas nga Athina në Bruksel, ku liderët e Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë vendimin e fundit të BE-së.

Përse vjen ky takim?

Pas mbledhjes së Këshillit të BE-së dy javë më parë, të gjithë zyrtarët europiane janë shprehur të shqetësuar se shtyrja e negociatave me Shkupin dhe Tiranën mund të shkaktojë paqëndrueshmëri politike në Ballkan, sidomos pasi Maqedonia e Veriut shpalli zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri Edi Rama dhe Qirikaos Mistotaqis

Pavarësisht pritshmërive për hyrjen në NATO në fund të këtij viti, disa analistë dyshojnë se nacionalistët e VMRO DPMNE-së, të cilat akuzohen se janë mbështetur nga Presidenti rus Vladimir Putin gjatë ciklit të fundit zgjedhor, do të paraqesin një sfidë të fortë ndaj qeverisë aktuale.

Ndërkohë, edhe qeveria serbe e dënoi vendimin e Këshillit Europian për shtyrjen e negociatave me Shkupin dhe Tiranën. Ekspertët thonë se Serbia është e irrituar me ritmin e ngadaltë të negociatave me Brukselin dhe se kjo mund të hap dyert për ndikim të mëtejshëm politik dhe ekonomik nga Rusia dhe Kina, gjë që do të sillte dyshime për angazhimin e Beogradit në trajektoren e saj europiane.

Serbia nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë të premten e kaluar me Bashkimin Ekonomik Euro-Aziatik, i cili udhëhiqet nga Rusia dhe përfshin gjithashtu Bjellorusinë, Armeninë, Kazakistanin dhe Kirgistanin.

Po ashtu Moska ka dërguar trupa dhe mjete ushtarake për të marrë pjesë në stërvitjet ushtarake në Serbi, së bashku me sistemet e saj të mbrojtjes ajrore S-400, të cilat përdoren për herë të parë në “lojëra lufte” jashtë Rusisë.

Në reagimin e tij të fundit Komisionit Europian, përshëndeti marrëveshjen e nënshkruar nga Vuçiç, Rama dhe Zaev për të formuar një mini- Shengen midis tre vendeve që do të lejonte qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.

"Më parë, disa nga fqinjët e Serbisë nuk ishin të interesuar sepse ata prisnin më shumë nga BE. Tani ata e kanë kuptuar se ne duhet të mbështetemi më shumë tek njëri-tjetri, por natyrisht duke qëndruar në rrugën tonë për në BE" tha Vuçiç. Kjo nismë ka po ashtu të ngjarë të jetë pjesë e bisedimeve mes krerëve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë