Njerez

Në Zvicër mund të ndryshosh ligjërisht gjininë thjesht me një vizitë në zyrën e gjendjes civile

Zvicra i bashkohet Irlandës, Belgjikës, Portugalisë dhe Norvegjisë si një nga vendet e pakta që lejojnë një person të ndryshojë ligjërisht gjininë pa terapi hormonale, diagnozë mjekësore ose vlerësime të mëtejshme apo hapa burokratikë.

Sipas rregullave të reja të shkruara në kodin civil të Zvicrës, kushdo i moshës 16 vjeç e lart që nuk është nën kujdestarinë ligjore do të jetë në gjendje të rregullojë gjininë dhe emrin e tij ligjor me vetëdeklarim në zyrën e gjendjes civile. Të rinjtë dhe ata nën mbrojtjen e të rriturve do të kërkojnë pëlqimin e kujdestarit.

Kjo shënon një ndryshim nga grupi aktual i standardeve rajonale të përshkruara në Zvicër, të cilat shpesh kërkojnë një certifikatë nga një profesionist mjekësor që konfirmon identitetin transgjinor të një individi.

Disa rajone gjysmë autonome në Zvicrën federale gjithashtu kërkojnë që një person t’i nënshtrohet trajtimit hormonal ose tranzicionit anatomik në mënyrë që të ndryshojë ligjërisht gjininë, ndërsa, për një ndryshim emri, mund të kërkohet provë se emri i ri tashmë është përdorur jozyrtarisht për disa vite.

Zvicra, e njohur prej kohësh kryesisht si shoqërisht konservatore, votoi në shtator për legalizimin e martesës civile dhe të drejtën për të birësuar fëmijë për çiftet e të njëjtit seks, një nga vendet e fundit në Europën Perëndimore që e bëri këtë.

Me rregullat e reja të ndryshimit të gjinisë, Zvicra i bashkohet disa vendeve në mbarë botën që synojnë të shkëputin zgjedhjen gjinore nga procedurat mjekësore.

Ndërsa disa vende të tjera europiane, përfshirë Danimarkën, Greqinë dhe Francën, kanë hequr kërkesat e procedurave mjekësore, duke përfshirë kirurgjinë e ndryshimit të seksit, sterilizimin ose vlerësimin psikiatrik, ndërsa rregullat e tyre kërkojnë hapa ose kërkesa të mëtejshme.

Spanja miratoi në qershor një projekt-ligj që lejon këdo mbi moshën 14 vjeç të ndryshojë gjininë ligjërisht pa një diagnozë mjekësore ose terapi hormonale. Gjermania në vitin 2018 u bë qeveria e parë europiane që prezantoi një opsion të tretë gjinor, por në qershor 2021 rrëzoi dy projektligje që synonin të futnin vetë-identifikimin gjinor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë