Vende dhe Udhetime

Në Urë të Shëngjergjit

Dikur ka qenë lagje e fshatit Shëngjergj dhe shtrihet në dy anët e luginës të bukur të përroit të Urës, degës më të madhe të Erzenit, që zbret nga rrëza e maleve dhe derdhet pranë Shëngjinit në Erzen.
Emri i tij mendohet se vjen nga mbiemri i një fisi të madh e të vjetër: Uraj.
Bëhet fjalë për fshatin Urë, një fshat i vecantë në komunën e Shëngjergjit.

“Rruga e shtruar me çakull fillon nga qendra e Vërrisë. Ajo dredhon nga lindja pak në ulje e pastaj në ngjitje deri në lartësinë e kodrës nga perëndimi. Në mesin e rrugës Vërri-Urë, majtas mbi rrugë, në majë-kodër, ku pamja dhe peizazhi është i bukur dhe i gjerë, është një vend-varrimi i vjetër dhe i ri”, shpjegon për gazetën “Si”, Skënder Farka, njohës i mirë i fshatrave të Tiranës.

Ai bën me dije se në këtë varrezë, në vendin më të lartë është një varr i madh, i dukshëm, mjaft i vjetër me gurë të gdhendur mirë, me një kryegur tepër të madh, të rrëzuar; i thyer dhe i shkruar në osmanisht.

“Ishte varri i Aga Balashit, që ka qenë një luftëtar i dëgjuar, i lindur dhe i rritur sipas një legjende të bukur. Para rreth 200 vjetëve, ky aga organizonte thirrjen nën armë dhe udhëheqjen e burrave të armatosur nga fshatrat e krahinës, që luftonin kur i dërgonte ai.
Të tilla grupe luftëtarësh prej 25-50 vetësh ai kishte dërguar për të luftuar nën udhëheqjen e Ali Pashë Tepelenës”, thotë Farka.

Pak më poshtë, në rrugë, nga ai vendshikimi panorama është e gjerë dhe e bukur. Përpara shpalosen dy lagjet e mëdha të fshatit Urë, në të dy anët e luginës, nga të cilat ana lindore është më malorja në lartësi.
Tokat më të mira, të sheshta e të mëdha, të gjelbëruara nga misri e të rrethuara me hardhi ndodhen në lagjen perëndimore.
Mbi përrua ka urë druri, kurse më poshtë është ura e betonit e rrugës automobilistike njëkalimshe e shtruar me çakull, që të çon deri matanë malit afër fshatit Vakumonë në Kollagjesh, por edhe në rrethin e Elbasanit.

Këto dy ura të vogla mbi shpatullat e gurta të përroit nuk duken po nuk qe aty gjelbërimi i dendur i rrapeve të shumtë në shtatin e tij, që vjen e zgjerohet kur zbret luginës.

Nëse zbret poshtë sheh kullën e fisit të madh Disha, ku dikur kishte qëndruar dikur komandanti ushtarak austriak në kohën e Luftës të Parë.

E veçanta është se gurët e bardhë të gdhendur bukur, vendosur në radhë në lartësi krijojnë një pamje zbukurimi nga përdorimi i ngjyrave të ndryshme të gurëve në lartësi, duke i dhënë vlerë të madhe estetike asaj kulle.

Xhamia e para viteve 1900

Xhamia e fshatit Urë, tani e shembur, ndërsa dikur shumë monumentale ka pasur kolona të jashtme të rrumbullakëta prej guri, që bashkoheshin me pesë harqe përpara, të skalitura mirë e bukur.

Hyrja kishte anash 2 kolona mbajtëse guri. Kjo xhami është nga më të hershmet.

Ajo është ndërtuar rreth viteve 1762- 1766, dhe mjeshtër i punimeve ka qenë Islam Disha i vjetër. Pas viteve 1968, një pjesë e saj kishte shërbyer për dyqan, kurse në ditët sotme ishte e pamundur të riparohej për xhami.

Me çati të rrëzuar, qëndronte atje në pjesën e ngritur të kodrës, pranë varreve të vjetra, ku vazhdonte të lulëzonte një dru i madh dhe i lashtë qiparisi.

E veçanta e fshatit Urë është se përveç disa grumbullimeve të ndryshme fisnore ka edhe shumë “oaze” të veçuara banimi, larg qendrave fisnore.

Kjo shpërndarje në hapësirën e madhe të të dyja faqeve të luginës së bukur, krijon diçka të veçantë shumë tërheqëse, disa qendra të vogla tërheqëse të bukura, për privatësi e qetësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë