Papunësia ka shënuar rënie në tremujorin e tretë të vitit, duke reflektuar rikuperimin e aktivitetit ekonomik në vend.
Në tremujorin e tretë 2021, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11.3% sipas të dhënave të INSTAT.
Shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0.3 pikë përqindje, si në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2020, ashtu dhe me tremujorin e dytë të vitit 2021.
Për burrat ajo është 10.9% dhe për gratë 11.7%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, shkalla e papunësisë është ulur me 0.5 pikë përqindje për burrat, dhe është ulur me 0.1 pikë përqindje për gratë.
Papunësia ka rënë dhe tek të rinjtë, INSTAT njoftoi se shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 19.9%. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, shkalla e papunësisë për të rinjtë, në tremujorin e tretë 2021, është ulur me 0.8 pikë përqindje.

Krahasuar me tremujorin e dytë 2021, ky tregues nuk ka ndryshuar.
Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 8.7%. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0.3 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm është ulur me 0.8 pikë përqindje.
Punësimi përmirësohet në industri, ulet në bujqësi
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2021, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 62.0%.
Ritmi vjetor i ndryshimit të punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2020 në tremujorin e tretë 2021, është +0.7%. Në terma vjetorë, punësimi rritet me 10.1% në sektorin e industrisë, me 0.5% në sektorin e shërbimeve, ndërsa ulet me 4.5% në sektorin e bujqësisë.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e tretë 2021, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 2.4%. Punësimi u rrit me 4.9% në sektorin e industrisë, me 1.3% në sektorin e shërbimeve, dhe 2.3% në sektorin e bujqësisë.

Sipas INSTAT, Në tremujorin e tretë 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 70.1%. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 0.3 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 1.1 pikë përqindje.
Në tremujorin e tretë 2021, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 62.0%. Gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 0.2%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, dhe është rritur me 2.1%, krahasuar me tremujorin e dytë 2021.

Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 63.1%, ndërsa për burrat ky tregues është 77.3%. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 14.2 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 1.3 pikë përqindje, ndërsa për burrat është ulur me 0,6 pikë përqindje.
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 53.5%. Ky tregues është rritur me 0.2 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, dhe rritur me 1.6 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e dytë 2021. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 78.5%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




