Në muajin tetor nis restaurimi i godinës së Teatrit të Kukullave.
Ministria e Kulturës bën me dije se punimet pritet të nisin në javën e tretë të muajit tetor 2021 e do të zgjasin 14 muaj, deri në muajin dhjetor 2022.
“Investimi bazohet në projektin e zbatimit të zhvilluar nga zyra UNOPS dhe miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Materiale (me Vendim Nr. 512, datë 03/08/2021).
Ndërhyrjet restauruese, bazuar në statusin që kjo ndërtesë ka si ‘Monument i Kategorisë I’, i referohen analizës së kushteve në të cilat paraqitet objekti. Qëllimi kryesor është ruajtja e trashëgimisë, minimizimi i problemeve dhe ofrimi i kushteve optimale për vizitorët dhe stafin artistik e administrativ të këtij institucioni”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ndërhyrjet konsistojnë në:
-Restaurimin e pjesëve të dëmtuara të çatisë dhe implementimi i sistemit të kullimit të ujërave të shiut në perimetër të godinës;
– Krijimi i kushteve për lëvizjen e Personave me aftësi ndryshe;
– Restaurimi i dyshemesë, i tavaneve, mureve dhe kolonave duke hequr ndërhyrjet e bëra në vite, të cilat nuk kanë vlerë historike;
– Restaurimin e portës kryesore, e cila rezulton të jetë origjinale;
– Përmirësimin e kushteve për dalje emergjente në rast fatkeqësie;
– Përmirësimi i ambienteve të dedikuara stafit artistik;
– Rikthimi në funksion të teatrit të hapësirave anësore të godinës;
– Përmirësimi i auditorit;
– Restaurimi i kullës së skenës për të krijuar kushte optimale për teknologji bashkëkohore
skene;
– Lyerja e fasadës sipas ngjyrave origjinale duke u bazuar në arkivat ekzistues;
– Kthimi në kushtet origjinale të ballkonit në fasadën veriore;
– Zëvendësimi i dritareve ekzistuese sipas modelit origjinal bazuar në arkivat ekzistues.
Ministria thotë se gjatë muajve të implementimit të punimeve, aktiviteti i Teatrit Kombëtar të Kukullave nuk do të ndalojë, por do të gjenden hapësira alternative, në mënyrë që të mos ndërpritet komunikimin me të vegjlit.
Një Qendër e re për Fëmijët
Ndër të tjera, Ministria e Kulturës njofton edhe ngritjen e një qendre të re për Fëmijët.
“Godina aktuale e Teatrit të Kukullave nuk arrin të përmbushë nevojat për zhvillimin e aktiviteteve edukuese e kreative për fëmijët. Në të vërtetë Qendra Kombëtare Kulturore për Fëmijë ka funksionuar në të tjera ambiente, veçmas me ato të Teatrit të Kukullave. (Aktualisht në zonën e ish-Kinostudios). Nisur nga mungesa e hapësirave, në përputhje me prioritetet e qeverisë, lidhur me edukimin e brezit të ri, është menduar ngritja e një qendre të re për fëmijët. Madje jo një qendër, por një pol kulturor, ku të bëhen bashkë në të njëjtat hapësira disa institucione kulturore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ministria thotë se që prej janarit 2019 ka filluar puna për studimin dhe hartimin e programit funksional dhe hapësinor për Bibliotekën Kombëtare dhe Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.
“Qendra Kombëtare të Kulturës për Fëmijë do të shtrihet në një hapësirë prej 4800 m2 dhe do të ketë salla ekspozimi, teatër kukullash, hapësira mësimi dhe rekreacioni, mjedise publike në funksion të aktiviteteve kulturore, etj. Në bashkëpunim me AKPT dhe Bashkinë e Tiranës, pas paraqitjes së nevojave për një pol të ri kulturor në qytet, një vit më parë, u hartua masterplani, që do të përfshijë këto dy ndërtesa, duke ofruar një zgjidhje afatgjatë për to. Plani identifikoi transformimin e hapësirës territoriale të ‘Gardës së Shqipërisë’ nga një hapësirë ekskluzivisht institucionale, në një hapësirë përfshirëse për publikun. Aktualisht, me miratimin e fishë-projektit, me financime të shtetit shqiptar, është hapur tenderi për procedurën ‘Shërbim Konsulence’. Projekti i zbatimit do të përfundojë në fund të këtij viti”, përfundon njoftimi i Ministrisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



