Nga Gazeta ‘SI’ – Për shtatorin 2022, numri i turistëve që vizituan Shqipërinë u rrit me 40% krahasuar me shtatorin e shkuar, ndërsa ai i netqëndrimeve është rritur me 16% për të njëjtat periudha. Për të dy treguesit, vizitorët jorezidentë kanë pasur rritjen më të madhe, 46% dhe rezidentët 31%.
110 mijë turistë të huaj e vizituan Shqipërinë në shtator, sipas shifrave të Instat, në bazë të shfrytëzimit të strukturave. Pothuajse 66 mijë, ishin vizitorë po rezidentë.
Shtatori duket se ka vazhduar tendencën e muajve korrik-gusht, duke “i zënë vendin” qershorit, sipas shifrave që rezultojnë më të larta.
11.1% e jorezidentëve erdhën nga Kosova, 9% nga Italia, 8% nga Polonia, 6% nga Gjermania, 2.5% nga Maqedonia e Veriut dhe pjesa tjetër e paspecifikuar.
Jorezidentët kanë preferuar zonat bregdetare, në rajonin qendror dhe jugor, pjesa më e madhe e tyre e akomoduar nëpër hotele. Raportohet një interes i rritur për akomodimin në ambiente të hapura, kamping etj dhe një rënie e vizitorëve të huaj në zonën e Veriut.
Vendasit kanë preferuar rajonin jugor dhe akomodimet në hotele apo të ngjashme. Por ka pasur vizita të shtuara në rajonin Verior dhe për hapësirat e kampingut.
Sipas netqëndrimeve, të huajt qëndruan mbi 307 mijë netë në Shqipëri dhe ata rezidentë rreth 130 mijë.
Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 23 %, kundrejt 22.5 % në shtator 2021. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 22.9%, kundrejt 21.6 % që ishte në muajin shtator 2021. Nga grafiku tregohet se normat e shfrytëzimit janë lehtësisht më të larta me ato të muajit qershor 2022.
Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




