Më 9 shtator AKEP çel garën për operatorët celularë, tender ndërkombëtar për 2 të drejta të përdorimit në brezin e frekuencave 800 MHz.
Vlera minimale e pranueshme për ofertuesit për dhënien e një autorizimi individual për përdorimin e frekuencave në brezin 800 MHz, të jetë jo më pak se 7.44 milionë euro dhe ofertuesit të cilët do të ofrojnë një çmim më të ulët se kjo vlerë do të s’kualifikohen.
Tenderi do të zhvillohet me procedurë të hapur.
Ky proces synon nxitjen e investimeve për zhvillimin e internetit të shpejtë (mobile broadband), për të përmirësuar infrastrukturën dixhitale në vend si dhe për të ofruar shërbime më cilësore për qytetarët në të gjithë territorin e vendit.
Në të njëjtën kohë nga realizimi me sukses i këtij procesi për dhënien e 2 të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 800 MHz, synohet të sigurohet një e ardhur e konsiderueshme, që do të shkojë për buxhetin e shtetit.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka miratuar hapjen e tenderit për dhënien nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) të këtyre dy autorizimeve të tjera.
Përdorimi i Internetit në Shqipëri vijon të rritet dhe komunikimi në internet nga rrjetet celulare është rritur me 15 herë në pesë vitet e fundit. Numri total i përdoruesve të rrjeteve celulare me akses broadband në internet për vitin 2018 ishte rreth 2.6 milionë, ndërsa numri i përdoruesve aktivë (përdorim të internetit në tre muajt e fundit) rreth 1.8 milionë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.