Shqipëria ka amulli ekonomike dhe mungesë të theksuar besimi mes qytetarëve dhe bizneseve ndaj institucioneve.
Kështu thotë në një intervistë për Gazetën “Si”, ekperti i Moody’s Ilir Hysa.
Për të, mungesa e mbështetjes fianciare nuk është problemi më i madh i Shqipërisë, por vendit i mungon shteti funksional. Dhe në vende ku mungojnë institucionet funksionale dhe ku qytetarët rropaten rrugëve, thotë Hysa, përfitimet e rritjes ekonomike shkojnë tek një grusht i vogël njerëzish.
Eksperti parashikon që pas dy goditjeve që ka marrë vendi; atë të tërmetit dhe pandemisë, në kushtet e mungesës së hapësirave fiskale dhe korrupsionit galopant, Shqipëria do të ketë më shumë të varfër në fund të këtij viti sesa kur u festua Viti i Ri.
Hysa mendon se biznesi i vogël ka mbetur në vështirësi serioze dhe ka nevojë për lehtësira fiskale e mbështetje të formave të tjera por “mbi të gjitha bizneset kanë nevojë për konkurencë të ndershme. Bizneset duhen marrë në mbrojtje edhe nga pasojat e politikave ekonomike në pjesë të tjera të ekonomisë. Mirëpo, shpesh ndodh e kundërta. Për shembull, amnistia fiskale e qeverisë formalizon informalitetin dhe shton konkurencën, duke legalizuar biznese deri tani të paligjshme. Kjo do të krijojë vështirësi të reja për disa biznese.”
Në kuadrin e politikave fiskale dhe diskutimit për heqjen e tatimfitimit dhe mundësinë e heqjes së TVSH-së për biznesin e vogël, ai thotë se e konfuzojnë biznesin dhe rezultojnë inefiçente. “Kur ishte gabim qeveria, atëherë apo tani?!”- pyet Hysa.
A ishin të mjaftueshme paketat e qeverisë në kohën e pandemisë për qytetarët dhe biznesin?

Jo, sigurisht që nuk ishin të mjaftueshme, dhe duhet thënë se Shqipëria nuk është unike në masat e pamjaftueshme në përballimin e krizës. Kjo jo vetëm për faktin se dy paketat e implementuara nga qeveria përbëjnë vetëm 2.8% të prodhimit të përgjithshëm bruto dhe se gjysma e kësaj shume vinte nga rialokimi i fondeve të përcaktuara më parë për qëllime të tjera, por se vetë komuniteti i biznesit e quajti mbështetjen qesharake. Shkurtimi i rrogave të deputetëve e ministrave ishte gjest simbolik i rëndësishëm, ndonëse nuk i dha dot fund skepticizmit të publikut mbi krimin ekonomik dhe korrupsionin galopant, por nuk ndryshoi realitetin e hidhur ekonomik e social të Shqipërisë. E kam thënë edhe më parë se shtete të vegjël, si Shqipëria, të ngërthyer nga një sërë problematikash, nuk kanë hapësirë të mjaftueshme fiskale për të nxitur ekonominë. Për këtë arsye pata thënë se vetëm solidariteti qytetar do t’a shpëtonte Shqipërinë nga COVID-19. Por mungesa e mbështetjes fianciare nuk është problemi më i madh i Shqipërisë. Shqipërisë i mungon shteti funksional dhe në vende ku mungojnë institucionet funksionale dhe ku qytetarët rropaten rrugëve, përfitimet e rritjes ekonomike shkojnë tek një grusht i vogël njerëzish. Pra, polarizimi i shoqërisë është një kërcënim ende më i madh. Si pasojë e këtij polarizimi dhe e dy krizave të njëpasnjëshme, tërmetit të nëntorit 2019 dhe krizës së koronavirusit, Shqipëria do të ketë më shumë të varfër në fund të këtij viti sesa kur u festua viti i ri.
Çfarë strategjish duhen ndjekur për të rimëkëmbur ekonominë?
Para se të flitet për strategji, Shqipëria duhet të ndajë mendjen se çfarë rruge do të zgjedhë, atë të familjes së vendeve europiane apo atë të diktatit të autokratëve të globit. Strategjitë janë të kushtëzuara nga rrethanat ekonomike dhe sociale. Në Shqipëri shihet sërisht një amulli ekonomike. Fatet e ekonomisë shqiptare i përcaktojnë rreth 100 individë të veshur me pushtet politik apo që qëndrojnë besnikërisht pranë tij. Pra, ajo mbetet një ekonomi e pllakosur, për vite me radhë, nga aktivitete kriminale dhe tenderime të destinuara për një grusht oligarkësh që mbështesin pushtetin dhe kështu që parimet e një ekonomie të tregut të lirë, të bazuar në konkurencën e ndershme, nuk mund të aplikohen. Të njëjtët aktorë që i sigurojnë interesave të tyre të ngushta jetëgjatësi, po sigurohen të zgjasin sa munden ngërçin e gjatë institucional. Për këtë arsye, asnjë strategji, sado e mirë, nuk do të prodhonte efektet e duhura për aq koha sa vendi nuk zbaton parimet bazë të konkurencës së ndershme, vazhdon të përjetojë një krizë të thellë institucionale të gërshetuar me një krizë të thellë besimi.
Strategjitë ekonomike janë të suksesshme kur janë të besueshme dhe jo të implementuara në përgatitje për fushata elektorale. Vetëm atëherë ato ngjallin besim dhe një sens stabiliteti. Kjo nuk ndodh në Shqipëri. Për shembull, politikat fiskale që lidhen me uljen e taksave – zgjidhje klasike në shumë vende të botës në stimulimin e rritjes ekonomike – duket se po bëhen sërisht temë e ditës në Shqipëri. Qeveria po heq tatim-fitimin për biznesin e vogël dhe ndoshta edhe tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) për të njëjtat biznese, ndërkohë që kjo ishte po ajo qeveri që e miratoi rritjen e saj. (Kur ishte gabim qeveria, atëherë apo tani?!) Këto janë masa të rëndësishme por shumë të pakta, shumë vonë. Biznesi i vogël ka mbetur në vështirësi serioze si pasojë e taksave të larta dhe pasigurisë.
Mes strategjive duhet të deklarohet parësore edhe tërheqja e kapitalit nga jashtë Shqipërisë. Shqipëria ka pozitë gjeografike më të favorshme por ka investime të huaja direkte ose të krahasueshme ose më të ulëta sesa fqinjët. Pse? Kapitali nuk tërhiqet nëse investitorët, shqiptarë dhe të huaj, mbeten skeptikë ndaj shtetit, zbatimit të ligjit dhe nuhatin mungesën e konkurencës së lirë.
Si duhet ndihmuar biznesi?
Duhet kuptuar se edhe në ekonomitë më të fuqishme në botë, bizneset e vogla dhe të mesme përbëjnë pjesën më të madhe të ekonomisë. Ato biznese meritojnë fokusin e qeverisjes.
Biznese të tilla kanë nevojë për lehtësira fiskale e mbështetje të formave të tjera por mbi të gjitha bizneset kanë nevojë për konkurencë të ndershme. Bizneset duhen marrë në mbrojtje edhe nga pasojat e politikave ekonomike në pjesë të tjera të ekonomisë. Mirëpo, shpesh ndodh e kundërta. Për shembull, amnistia fiskale e qeverisë formalizon informalitetin dhe shton konkurencën, duke legalizuar biznese deri tani të paligjshme. Kjo do të krijojë vështirësi të reja për disa biznese.
Por ndihma më e madhe për bizneset do të ishte përgatitja dhe ruatja e një fuqie të kualifikuar punëtore. Largimet e vazhdueshme të kapitalit njerëzor mbeten gangrenë për ekonominë. Sigurisht, kjo kërkon shërimin e plagëve të krijuara nga kriza e besimit nëpërmjet reformave reale e të besueshme për qytetarët.
A do të ndihmojë eurobondi 650 mln euro në rimëkëmbjen e ekonomisë?
Thënë troç, shteti shqiptar po merr borxh sepse arka e shtetit ndodhet në gjendje të mjerueshme dhe prospekti afatshkurtër i ekonomisë për të gjeneruar të ardhura ka degraduar. (Po përdor fjalën troç sepse shpesh publiku futet në labirinthe termash të pakuptueshme dhe kjo tendencë vetëm rrit skepticizmin e qytetarëve.) Pra, nuk ka rrugë tjetër. Shpenzimet për përballimin e krizave të fundit, dy të tilla në harkun kohor të gjashtë muajve të fundit, një tërmet dhe një pandemi, vetëm përkeqësuan situatën e financave publike.
Banka e Shqipërisë ka thënë se lëshimi i eurobondit nuk ndikon në politikën monetare dhe ka një efekt pozitiv në rezervat e këmbimit valutor dhe në stabilitetin makroekonomik afatshkurtër dhe afatmesëm, duke dhënë përshtypjen se nuk ka asnjë risk që shoqëron këtë vendim. Ajo që nuk është thënë është se dështimi i Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve ndaj investitorëve do të dëmtonte besueshmërinë e Shqipërisë për të dalë në tregjet ndërkombëtare për operacione të tilla dhe do të rëndonte mbi shëndetin afatgjatë të ekonomisë shqiptare. Pastaj, operacione të tilla vijnë me kosto. Shqipëria do të paguajë, përveç shumës principale edhe interesin e premtuar investitorëve, edhe tarifat e shërbimeve që do ti paguhen kompanisë Rothschild & Co, entitetit këshillimor në menaxhimin e borxhit publik. Së fundi, emetimi i eurobondit vjen me rrezikun e levizjeve në kursin e shkëmbimit të monedhave dhe riskun e kreditit.
Që të jem i qartë, me këtë nuk dua të them se eurobondi nuk duhet bërë. Jo, në fakt, lëshimi i një instrumenti të tillë për interesa strategjike kombëtare është gjë normale për shumë vende të botës. Problemi me Shqipërinë është mungesa e eksperiencës në tregjet ndërkombëtare. Le të kujtojmë se emetimi i parë i Shqipërisë ndodhi në vitin 2015 dhe kjo do të jetë hera e katërt e një emetimit të një bondi. Një ekonomi e padiversifikuar mirë, me probleme të mprehta sociale dhe institucionale, ku prodhohet shumë pak, është gjithashtu risk që nuk mund të injorohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




