Shendet

‘Në Shqipëri, 1 në 4 persona kanë depresion dhe ankth, por nuk e tregojnë’

Eksperti i shëndetit publik Alban Ylli gjatë një seance dëgjimore në komisionin parlamentar të shëndetësisë u shpreh se 1 në 4 persona në Shqipëri vuajnë problemin e ankthit dhe depresionit.

Sipas tij, pandemia rëndoi edhe më shumë statistikat e sëmundshmërisë mendore dhe të dhënat e një sondazhi që u krye gjatë vitit 2020, nxori në pah të dhëna të reja.

Ylli tha se përmes një pyetësori të standardizuar online, një ekip i Departamentit të Shëndetit Publik në Universitetin e Mjekësisë kreu në vitin e parë të pandemisë, në 2020, një studim në 2200 profesionistë të shëndetësisë dhe arsimit të lartë. 

“Rreth 25% e te intervistuarve paraqitën  nivel të moderuar dhe të rëndë të ankthit, kurse pothuajse 30% u klasifikuan me depresion të moderuar dhe të rendë. Rreth 6% paraqitën pagjumësi klinike, ndërkohë që mbi 50% e të intervistuar kishin shenja të pagjumësisë jo klinike”, u shpreh eksperti i shëndetit publik, Alban Ylli.

Sipas tij, Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të shtrimeve, vizitave dhe ekspertëve të shëndetit mendor, në Evropë, por kjo nuk lidhet me mungesën e ofertës por me stigmën.

“Ka shumë individë që vuajnë në heshtje dhe kanë turp ta diskutojnë këtë problem tek forca hyrëse që kemi ne, sistemin parësor, mjekun e familjes.

Kjo është konstatuar dhe në programin e Check-up ku ne kemi futur si pyetësor dhe komponentin e depresionit për kapjen e shpejtë të kësaj sëmundje, por kemi vënë re se përdoret shumë pak krahasuar me komponentë të tjerë”, tha eksperti i shëndetit publik Alban Ylli.

Ai kërkoi forcimin e rolit të mjekut të familjes në këtë drejtim, sipas modelit që aplikohet sot në vendet e zhvilluara ku vërehet se dy sëmundjet më të mëdha që konstatohen në shërbimin parësor janë hipertensioni dhe depresioni, ndryshe nga Shqipëria ku më së shumti paraqiten pacientë me problem hipertensioni, diabeti.

Ylli tha se gjatë gjithë periudhës së pandemisë nga Covid-19, ISHP ka  ofruar një platformë online për të gjithë ata që përballeshin me probleme të shëndetit mendor, ku regjistrimi në këtë platformë kryhet automatikisht me anë të një adrese emaili dhe ku qytetarët kontaktojnë administratorin lokal në adresën [email protected].


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë