Ekspozite

‘Ne s’dimë ende ku të vëmë bustin e Ismail Qemalit’, skulptori Mumtas Dhrami sjell kujtimet nga Kina e 1967 në një ekspozitë

Nga Gazeta Si - Ishte viti 1967, ai i “Revolucionit Kulturor” kinez, kur skulptori Mumtas Dhrami si pjesëtar i delegacionit të Lidhjes së Artistëve, bashkë me shkrimtarin Ismail Kadare dhe ushtarakun Resul Bedo do të vizitonin Kinën.

Mumtas Dhrami, një ndër personalitet e artit shqiptar, kishte një afeksion të veçantë për Kinën dhe në një muaj qëndrimi atje në vitin e largët 1967 ai pa dhe punoi me mjaft punëtorë, fshatarë, intelektualë, studentë, ushtarë e artistë të operës kineze. Pa mjaft qytete, fabrika, uzina e kantiere pune.

Gjithçka pa, ai do ta kthente në art, në skica e skulptura gjatë asaj periudhe, art i cili vjen i dokumentuar sot nëpërmjet ekspozitës “Kujtime nga Kina, 1967”, e hapur për publikun në Galerinë FAB të Universitetit të Arteve.

“Gjithçka ishte mjaft mbresëlënëse, dhe mbi çdo gjë më prekte dashuria e mikpritja, kudo ku shkuam. Gjatë punës me modele të ndryshme shkëmbenim mendime dhe përkthyesja jonë He Daming që kishte studiuar në Tiranë, na qëndronte e gatshme për të na treguar gjithçka. Drita na zbulonte njërin pas tjetrit mjaft kuriozitete të ndryshme”, shprehet skulptori Mumtas Dhrami për Gazetën “Si”.

Në këtë ekspozitë, Dhrami thotë se janë 102 skica dhe 3 portrete të asaj periudhe. 

“Janë emocione të hedhura direkt si fryt i dashurisë dhe respektit për ç’ka pashë në jetën e vrullshme të atij populli të madh e të talentuar, që e do vendin e vet dhe punon për ta zhvilluar e përparuar atë më tej”, vijon më tej Dhrami për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “Ishte koha e Revolucionit Kulturor, dhe vetvetiu kuptohet se çfarë situate ishte atëherë. Ne ishim të shkëputur nga kjo pikëpamje, sepse ishim një delegacion i Lidhjes së Artistëve dhe kishim objeksione të tjera, ne nuk vajtëm me mendimin që do mbështesim Revolucionin”.

Ai rrëfen më tej se vizita u përqendrua në vendet historike, në njohjen e njerëzve, të stilit të jetës.

“Unë përjetova emocione të tjera. Admirova peizazhet e bukura të Kinës, admirova arkitekturën e pagodave me çatitë elegante, me unitetin stilistik të çdo orendie e zbukurim të interierëve… Në një park të bukur të qytetit Hangzhou më thanë një frazë të vjetër kineze që e lartësonte bukurinë e atij qyteti: ‘Në qiell është parajsa kurse në tokë është Hangzhou’”.

Skulptori Mumtas Dhrami thotë ndër të tjera se në këtë ekspozitë shpaloset dashuria që ndjeu për njerëzit e punës në Kinë, për atë mobilizim kolosal që kishin kinezët në 1967.

“Me këtë ekspozitë dua t’u tregoj njerëzve atë ngrohtësi që ndjeva unë, pra të mbajmë gjallë dashurinë për njerëzit e punës, për Kinën e Madhe, për kulturën e madhe që ka. Unë jam munduar të sjell njerëzit e punës, pa dekorata, është një mesazh për njeriun e punës, për të dashuruar arkitekturën. Është një mesazh për të mos prishur asgjë të vjetër, edhe ata dinin të prishnin, por nuk kanë prekur nga këto, përkundrazi kanë zbuluar varret perandorake etj.”, vijon më tej skulptori për Gazetën “Si”.

Skulptori Mumtas Dhrami gjatë hapjes së ekspozitës

Një ndër mesazhet e ekspozitës sipas tij është që të mos prishet asgjë e vjetër.

“Është një mesazh për të mos prishur asgjë të vjetër, edhe ata dinin të prishnin, por nuk kanë prekur nga këto, përkundrazi kanë zbuluar varret perandorake etj. Revolucion u bë edhe në Kinë, u bë edhe te ne, por ato që prishëm ne, nuk i bëri Kina. Në këtë drejtim ne kemi qenë ekstremist dhe është për të ardhur keq që shumë industri dhe shumë vepra kolosale që u ndërtuan me djersën e popullit, i shkatërruam vetë”, vijon më tej skulptori.

Duke bërë një paralelizëm me Kinën ku sipas tij ruhet me fanatizëm çdo gjë që është e kultivuar në kulturë, duke mos u injoruar arkitektura e vjetër, ai shprehet i keqardhur që një strategji e tillë nuk ndiqet në vendin tonë.

“Ne prishëm qendrën e Tiranës, për të bërë Pallatin e Kulturës dhe më vonë muzeumin, në Tiranë nuk dimë akoma ku të vëmë bustin e Ismail Qemalit”, përfundon Dhrami për Gazetën “Si”.

Ekspozita “Kujtime nga Kina, 1967”, do të qëndrojë në galerinë FAB të Universitetit të Arteve deri më 4 tetor. Skulptori Mumtaz Dhrami është laureat i çmimit të nderit në Bienalen e Aleksandrisë (1964), laureat i disa çmimeve dhënë nga shteti shqiptar, mban titullin “Skulptor i Popullit” që nga 1978.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë