Ngjarje

Në Rrugën e Arbrit, ku makinat mbetën të bllokuara që në natën e parë

Pa kaluar pak orë pasi u inagurua provizorisht Rruga e Arbrit, me dhjetëra automjete mbetën të bllokuara në vendin e quajtur “Qafa e Murrizit” mbrëmjen e kaluar, si pasojë e rreshjeve të borës dhe terrenit të vështirë ku u vu re dhe mungesa e patrullës së policisë.

Automjete të ngecur njëri pas tjetrit, makina që kishin rënë anash rrugës dhe shumë qytetarë dibranë të revoltuar, kjo ishte panorama e vërtetë pas këngëve dhe valleve të mesditës kur edhe u hap rruga.

“Kur bën dasmë fukarai, çahet daullja”-përsërisnin njëri pas tjetrit shumë dibranë që e kishin ëndërruar me vite këtë rrugë.

“Mbetëm të bllokuar aty prej më shumë se dy orë. Ishte një turp që nuk kishte patrulla policie as për të menaxhuar situatën dhe as minimumi për të mos lejuar qarkullimin e automjeteve pa zinxhirë apo pa goma dimërore.

Makinat e bllokuara tek Rruga e Arbrit

E kemi pritur me vite këtë rrugë dhe ja rezultati. Shumë makina u përplasën se rrëshqisnin, të tjera nuk lëviznin dot dhe shkaktuan një trafik kilometrik ndërkohë që në horizont nuk dukej as edhe një borëpastruese për të lehtësuar qarkullimin” tha një prej personave të bllokuar.

“Sa isha unë aty ndodhën rreth 10 aksidente, përplasje apo rrëshqitje të vogla dhe fatmirësisht pa të lënduar.”-thotë për Gazetasi.al Pajtimi, një dibran i cili e ka ndjekur nga fillimi ecurinë e kësaj rruge.

Rreshjet e borës që vijuan të dendura gjatë gjithë natës e kanë bllokuar segmentin nga Klosi deri në Qafën e Murrizit duke kufizuar tërësisht qarkullimin ditën e sotshme në Rrugën e Arbrit.

“Pas asaj që pamë mbrëmë vështirë që dibranët të kalojnë atje në këto kushte atmosferike. Ishte terren i vështirë, rrugë që po shkelej për herë të parë nga shumë qytetarë dhe e gjithë shija që na la ishte një eksperiencë tërësisht negative derisa kaluam dhe arritëm në destinacion.

Sot unë do të kaloj nga rruga e vjetër. Nuk dua të rrezikoj as veten dhe as pasagjerët e mi. Edhe po të mos ishte e bllokuar nga dëbora, sërish do kaloja nga rruga e vjetër që kemi kaluar gjatë gjithë këtyre viteve.”-thotë për Gazetasi.al Agroni, një shofer i cili e ka bërë për 20 vite rrugën Tiranë-Peshkopi.

Ai shton ndër të tjera se deri tani nuk janë informuar nëse tani do vijojnë të kalojnë rregullisht nga Rruga e Arbrit dhe nëse çmimi i biletës do të ndryshojë.

“Para ca kohësh po diskutohej se shoferët e furgonave nuk do të lejoheshin të kalonin andej. Nuk e kemi ende të qartë se çfarë do të bëhet me ne apo sa herë në ditë do e bëjmë rrugën.

Me rrugën e vjetër te gjithë shoferët e bënin rrugën vajtje-ardhje dhe nuk e dimë nëse tani që arrihet më shpejt në destinacion do vijojmë po njësoj.

Çmimi i biletës është një çështje tjetër më vete. Ka shumë paqartësi dhe shumë pikëpyetje momentalisht por siç është situata tani askush nuk duket se do të marrë përgjigjie.

Rruga është e bllokuar dhe të gjithë shoferët do të qarkullojnë sot nga rruga tashmë e vjetër.”-shton më tej ai.

Rruga kalohet me anashkalim në Tunelin e Murrizit për shkak se ky tunel nuk ka përfunduar.

“Për shkak të formacioneve gjeologjike komplekse, puna ka ecur më ngadalë dhe përfundon në pranverë, kur rruga do të bëhet për vetëm 47 minuta, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot ose nga 4 orë që bëhej deri dje”, njoftoi Rama ditën e djeshme në Facebook.

Rruga e Arbrit aktualisht përfundon në Klos dhe jo në hyrje të Bulqizës siç parashikohej.

Pra, qytetarët dibranë që udhëtojnë për në Dibër nuk do ta shmangin ende “Qafën e Buallit”, rrugën me kthesa e të lodhshme për të cilën shumë prej tyre janë ankuar ndër vite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë