Mjedis

Në qytetet shqiptare mbillen pemët e gabuara dhe të rrezikshme për shëndetin

Të gjithë jemi dëshmitarë se si po rrallohet përditë e më shumë gjelbërimi në qytetet tona. Por përveç sasisë së tyre, ekspertët mendojnë se edhe ato pemë që janë mbjellë, janë të gabuara.

Leonidha Peri, dekan në Fakultetin e Shkencave Pyjore tregon për Gazetasi.al se Tirana dhe qytetet kryesore në vendin tonë janë "mbytur" nga bimët dhe pemët e gjata që ndër të tjera, dëmtojnë shëndetin e njeriut drejtpërdrejtë.
"Për shembull, plepi lëshon pushin i cili është një nga shkaqet e alergjive tek njerëzit", thotë Peri duke shtuar se një problem i madh që ka gjelbërimi ynë është edhe fakti se mungon mirëmbajtja. Peri shpjegon se pemët që mbillen thjesht "sepse i dhuron dikush apo sepse peshën kryesore e ka sasia", kanë koston e tyre.
"Pemët kanë karakteristikat e veta dhe shumë bimë që janë mbjellë në vendin tonë duan tokën e tyre, ambientin e tyre pasi i mbyt qyteti”, thotë Peri. Ai shprehet se është shumë e nevojshme që bimët e mbjella në vendin tonë të trajtohen nga profesionistë nëse duam që të jetojnë dhe këto profesionistë kushtojnë. Thënë kjo, një tjetër problem që kanë qytetet tona me mbjelljen e bimëve është se kanë kosto më të madhe mirëmbajtje sesa do të kishte për shembull, mbjellja e një peme frutore siç është kumbulla e egër.

Peri këshillon mbjelljen e pemëve drusore të cilat ndihmojnë shumë në lëshimin e oksigjenit dhe marrjen e dioksidit te karbonit.
Mbjellja e pishave për shembull është një ide jo e mirë pasi ato lëshojnë boça të cilat pasi bien në tokë, pengojnë daljen e barit në çdo hapësirë ku bien.
Zef Gjeta, agronom, profesor dhe ekspert pranë FAO (Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë) thotë për Gazetasi.al se vitet e fundit ka një përmirësim të situatës së gjelbërimit në qytetet tona pasi janë shtuar mbjelljet e bimëve por “nëse shohim më në thellësi, ka mjaft probleme”.
Në Tiranë, Gjeta tregon se janë mbjellë bimë ku rëndësi kishte sasia e tyre e nuk u është dhënë asnjë rëndësi llojshmërisë së pemëve apo cilësisë së tyre dhe “rezultat i kësaj janë dështimet e shumta në pemët e mbjella”.
Një problem i madh që shikon Gjeta në mbjelljen e bimëve në qytetet tona është tendenca për të mbjellë bimë të huaja, që nuk janë tipike tonat.
Gjeta përmend se shumë bimë që përdoren në ambientet e lulishteve të qyteteve janë të lehta për t’u shtuar, durojnë krasitje dhe dhënie forme por në vend të këtyre, do të ishte mirë që të mbilleshin bimë që kanë këto karakteristika por kanë gjithashtu dhe të tjera më të rëndësishme siç është prodhimi i luleve dhe frutave.
“Pse të mos mbjellim shegë e dafinë, levandul dhe sherebelë, rozmarinë dhe trumzë në lulishtet e qyteteve tona? Pse të mos mbjellim kumbull e frashër, panjë e gështenjë (në ato raste kur edhe mikroklima e favorizon)? Këto të jenë në vend të palmave, oleandros, ligustave, e të tjerave që janë shumë bajate ti shikosh në lulishtet tona”, thotë Gjeta.
Gjithashtu problem është edhe mungesa e një plani pasi për shkak të mosplanifikimit si duhet dhe ndjekjen e bimëve pasi janë mbjellë, ndodh që shumë prej tyre thajnë më shpejt se ç’duhet.

Ka dhe një “gabim” që e bëjnë qytetet shqiptare që është kopjimi. Shumë qytete kopjojnë njëri-tjetrin, kryesisht Tiranën gjë që është një model i gabuar sipas Gjetës.
Nga ana tjetër, Gjeta thotë se në anë të rrugëve nacionale duhet me patjetër të ndërhyhet në mbjelljen e bimëve prodhuese (pemë me fruta), të tilla si: shega, ulliri, gështenja, lajthia, arra, etj.
Kjo duhet të bëhet sipas specifikave që kanë zonat. Për shembull, rruga Shkodër-Tiranë të mbillet më nga tre rreshta me shegë.


“Një bimë e bekuar, shumë e lehtë në zënie, pa kërkesa të ekzagjeruara për ujë apo shërbime, që duron çdo lloj krasitje, që shfaq 2-3 muaj një lule të mrekullueshme, që shfaq për 2-3 muaj një frut shumë interesant që ka vlera shumë të larta për shëndetin e njeriut”, thotë Gjeta i cili shton se vetë trungu i pemës së shegës nuk është i rrezikshëm në rast të daljes së makinës nga rruga, pasi vetëm mund të ndalojë makinën.
Duke ndjekur këtë logjikë, në shumë qytete mund të mbillen bimë të tjera frutdhënëse sipas zonës.
Ndërkohë që të dy ekspertët përmendin trendin e mbjelljes së palmave si një "gabim" që e bënë shumë qytete.
"U mbollën në masë palmat që nuk sjellin asnjë dobi kur fare mirë mund të mbillen pemë tonat, të dobishme dhe që japin fruta", pranojnë Gjeta dhe Peri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë