Politike

Në prag të Kuvendeve, Meta i hap një front të ri Bashës; atë të antipatriotit

Presidenti Ilir Meta ka hapur një front të ri në përplasjen me Lulzim Bashën, pak ditë para se Sali Berisha të mbledhë Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, ku disa mbështetës të ish-Kryeministrit nuk kanë përjashtuar mundësinë e shkarkimit të Bashës.

Në intervistën e fundit televizive, Presidenti u kthye 12 vite pas në kohë dhe i kujtoi Lulzim Bashës një prej firmave të hedhura prej tij në letër më të kundërshtuara; paktin e 2009 me Greqinë për ndarjen e detit.

Marrëveshja që u kundërshtua nga Partia Socialiste, në atë kohë në opozitë. Ajo akuzonte Partinë Demokratike se po falte detin dhe u rrëzua më vonë nga Gjykata Kushtetuese. Pikërisht ky vendim i kushtetueses mveshi me përgjegjësi Sali Berishën, si Kryeministër në atë kohë dhe Lulzim Bashën si ministër i Jashtëm.

Sot, 12 vite më vonë, Meta ka rikthyer këto akuza e debate, por duke diferencuar Sali Berishën nga Lulzim Basha. Presidenti tha në intervistën e dhënë për ABC se përgjegjësi i asaj marrëveshjeje ishte Lulzim Basha duke përdorur një term më të zbutur se “agjent i dyfishtë”.

“Po e them për herë të parë se Lulzim Basha ka bërë dopio lojë me Marrëveshjen e Detit me Greqinë”, tha Meta në intervistën e dhënë për ABC mbrëmjen e së enjtes.

Ky qëndrim i Bashës, sipas Presidentit ka pasur pasoja shumë serioze për shtetin shqiptar duke akuzuar kreun e PD-së se në atë kohë e anashkaloi Sali Berishën.

“Lulzim Basha nuk mund të justifikohet për të gjitha thikat që i ka futur shtetit shqiptar. Në kohën kur ai ishte ministër i Jashtëm ai anashkaloi Kryeministrin për çështjen e detit”, shtoi Meta.

Akuza të ngjashme ndaj Lulzim Bashës ka hedhur edhe Kryeministri Edi Rama në 2017-n, që në atë kohë fajësonte pjesërisht edhe atë marrëveshje të rrëzuar si shkak i raporteve të vështira diplomatike me Greqinë.

Për dallim nga Meta, që hedh dyshime se firmosja e asaj marrëveshje nga Lulzim Basha ishte e qëllimshme dhe lojë e dyfishtë, Rama deklaronte se ajo ishte papërgjegjshmëri dhe në akuzë përfshinte edhe Berishën dhe Partinë Demokratike.

“Je njeriu që ke firmosur për të dhënë një copë territor të Republikës së Shqipërisë dhe kjo është arsye që kemi problem dhe dialog të vështirë më fqinjët. Je njeriu dhe partia që është e provuar, jo nga unë por nga Gjykata Kushtetuese, se keni shkelur kushtet dhe keni cënuar integritetin territorial të vendit. Kam dëgjuar pa fund akuza antishqiptar dhe antikombëtar. Kurrë nuk do iu them juve antishqiptar dhe antikombëtar. As Saliut që ka bërë shumë dëme dhe as kjo parti nuk mund t’i thuash antishqiptare dhe antikombëtare, por mund të gjykoheni si të papërgjegjshëm. Papërgjegjshmëri që e keni treguar pa fund”, deklaronte ai.

Për palën greke, në 2009 nënshkruante Dora Bakojanis, motra e Kryeministrit aktual greke, Kyriakos Mitsotakis, që në atë kohë ishte ministre e Jashtme e Greqisë. Në deklaratat e dhëna ndër vite, Bakojanis e ka cilësuar paktin si një “kryevepër” për Greqinë dhe nxiste qeverinë e Aleksis Tsipras që ta zbatonte atë njëanshmërisht, duke shpërfilluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese shqiptare.

Gjithsesi, thirrja e Bakojanis u shpërfill dhe Greqia u përfshi në raund të ri bisedimesh, që u udhëhoqën për muaj me radhë nga Ditmir Bushati për Shqipërinë dhe Nikos Kotzias për Greqinë. Me ndryshimin e qeverisë në Athinë, në krye të diplomacisë greke erdhi Nikos Dendias. Përpjekjet për të vijuar dialogun për këtë çështje ngecën dhe u ra dakord që çështja e kufirit detar të adresohet në Gjykatën e Hagës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë