Nga Gazeta Si- Sulltana 60-vjeç nga Shkoza e nis ditën në mëngjes për ta mbyllur mëngjesin e ardhshëm.
Ajo është një nga shumë gratë shqiptare që, edhe pse në prag pensioni, ka gjetur një punë që është gjithnjë e më e kërkuar, kujdestare për të moshuar, ose siç njihet ndryshe, “badante”.
“Prej dy vitesh kujdesem për dy gra të moshuara. Paradite punoj katër orë në shtëpinë e një 70-vjeçareje që jeton e vetme. Pastroj, bëj pazaret dhe gatuaj sipas dëshirës së saj. Më pas kthehem në shtëpinë time, e më vonë, në orën 21:00, shkoj të fle tek një 89-vjeçare e paralizuar, që ka nevojë për ndihmë gjatë gjithë natës”, thotë gruaja për Gazetasi.al.
Kjo është rutina e Sulltanës, e cila, edhe pse vetë është afër pensionit, punon dyfish për të mbështetur jo vetëm veten por edhe familjen.
Bashkëshorti i saj është pensionist, por të ardhurat i shpenzon vetëm për nevojat e tij personale.
“Kam dy vajza të martuara, jam bërë gjyshe, por nuk mund të ndihmoj me mbesat. Më duhet të punoj që të siguroj të ardhmen time. Nga kjo punë kam kuptuar se, në pleqëri, pa të ardhura nuk të ndihmon askush”, rrëfen ajo.
Të moshuarit, të vetmuar dhe me fëmijë larg
Fenomeni i të moshuarve që jetojnë të vetmuar në Tiranë është në rritje. Fëmijët janë larguar jashtë vendit, Kanada, Amerikë apo Europë dhe mungesa fizike e tyre e bën të pamundur kujdesin ditor ndaj prindit.
“Njëra nga gratë për të cilat kujdesem ka vajzat në Kanada. Njëra vjen çdo 3-4 muaj, por pjesën tjetër të kohës jam unë që e ndihmoj. Ndërsa tjetra, 89 vjeçe, është e paralizuar. Gjatë natës e ndihmoj për të ndryshuar pozicionin, për higjienën, terapitë mjekësore. Është punë e lodhshme dhe e rëndë emocionalisht”, thotë Sulltana.
Pagesat për kujdesin gjatë natës në shtëpinë e të moshuarit variojnë nga 700 deri në 800 euro në muaj. Ndërsa një turn paradite, katër orë në ditë, paguhet deri në 400 euro në muaj.
Sulltana i kombinon të dyja dhe arrin të fitojë rreth 1.1 milionë lekë në muaj, një shumë që e barazon me një punëtore të kualifikuar, por e fituar përmes orëve të zgjatura dhe mungesës së pushimit.
“Kam shumë kërkesa për punë, por nuk pranoj më shumë se këto dy. Më duhet kohë edhe për shtëpinë time. Burrat në familje e kanë më të lehtë, kafe, pak shpenzime. Ne gratë kemi mbi supe gjithçka”, thotë ajo.
Pension i ulët dhe frika për pleqërinë
Megjithëse është një profesion me pagesë të mirë për momentin, shumica e grave si Sulltana nuk e shohin këtë si zgjidhje afatgjatë.
E ardhmja i tremb.
“Kam vite pune në fshat dhe do të dal në pension me një shumë minimale. Po kur të më duhet edhe mua një kujdestare, kush do të paguajë për mua? Shërbimet shëndetësore do jenë të papërballueshme”, thotë gruaja.
Shërbimi i ‘badantes’ është kthyer në një formë të re ekonomie informale, ku gratë mbi 55 vjeç janë më të kërkuarat.
Ato shihen si më të qëndrueshme, të besueshme dhe me përvojë për të përballuar ngarkesën fizike dhe emocionale të kësaj pune.
Por në të njëjtën kohë, këto gra janë edhe më të pambrojturat: pa kontrata, pa sigurime, pa mbështetje institucionale.
Dhe mbi të gjitha, pa garanci se dikush do të kujdeset për to nesër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.