Një familje lezbike ruse që mori kërcënime me vdekje pasi u shfaqën në një reklamë për zinxhirin ushqimor VkusVill thonë se ndihen të sigurt në Barcelonë, pasi janë pranuar për atë që janë.
Familja u përfshi në një fushate urrejtjeje në mediat sociale menjëherë pasi u shfaqën në reklamë.
Kompania më vonë kërkoi falje dhe zëvendësoi foton me një familje heteroseksuale.
“Ne nuk ndihemi të sigurt në Rusi për shkak të ligjeve të saj homofobike,” tha Mila, vajza më e vogël e familjes.
“Shumë nga bisedat në llogaritë tona në Instagram dhe adresat e postës elektronike u publikuan ngado. Kishte shumë komente të marra, por edhe të tmerrshme, si fotografia e një sëpate të mbuluar me gjak “.
Nëna e saj Yuma dhe partneri Zhenya u shfaqën në reklamë me dy vajzat e tyre nën sloganin “receta për një familje të lumtur”, por kompania shpejt e tërhoqi foton pasi mori shume komente urrejtjeje.
Kompania VkusVill kërkoi falje, duke thënë se publikimi i fotografisë tregonte një mungesë profesionalizmi nga ana e punonjësve të saj.
Ndërkohë, familja u bombardua me telefonata dhe komente urrejtjeje në mediat sociale, të cilat përfshinin deri edhe kërcënime për përdhunimin e mbesës tetëvjeçare të Yumas.
“Ne nuk kemi ligje kundër diskriminimit (në Rusi) kështu që ne nuk kemi asnjë mbrojtje,” tha Mila. “Ne nuk mund të shkojmë në polici”
Mila tha se familja nuk ishte ndjerë keq as pas reagimit të kompanisë VkusVill.
“Është thjesht një kompani në një vend kapitalist me një qeveri homofobe,” tha ajo.
“Ne nuk jemi të zemëruar me ta, ne jemi të lumtur që na lejohet të flasim për veten dhe të përfaqësojmë familjen tonë LGBT sepse njerëzit LGBT në Rusi janë vetëm dhe të braktisur nga familjet e tyre. Ata kanë frikë dhe nuk pranohen në shoqëri, kështu që pjesëmarrja në fushatë ishte një mundësi për ne që të themi se ekzistojmë “.
Në vitin 2013 Rusia miratoi “ligjin e propagandës gay” “që synon mbrojtjen e fëmijëve nga informacionet që promovojnë mohimin e vlerave tradicionale të familjes” dhe ndalon “promovimin e marrëdhënieve seksuale jo tradicionale tek të miturit” në shtyp dhe në internet.
Ligji ka detyruar mësuesit dhe ata që merren me mjekësinë të vetëcensurojnë atë që thonë për familjet jo tradicionale dhe zbatimi i tij është përdorur për të mbyllur faqet e internetit që ofrojnë informacion dhe shërbime për të rinjtë LGBT në të gjithë Rusinë.
“Gazeta spanjolle El País botoi një histori për ne dhe shumë njerëz në Spanjë thanë se duhet të vinim këtu pasi do të ishim të sigurt,” tha ajo. “Gjithashtu, njerëzit thanë që politika LGBT është e mirë këtu dhe ka shumë mbështetje”.
“Ne nuk mund të kthehemi nën regjimin ekzistues sepse nuk do të jemi të sigurt,” tha Mila.
“Rusia është shtëpia, është në zemrat tona, dhe ne duam të jemi me njerëzit tanë, por siguria e familjes sonë vjen e para.
Ne nuk jemi të sigurt për të ardhmen tonë atje, ndaj dhe ndihemi të sigurt në Barcelonë. Këtu mund të jemi vetvetja dhe të jetojmë si një familje normale. Nëna dhe motra ime shpresojnë të martohen këtu dhe të kenë fëmijë, gjëra që ne nuk mund t’i bëjmë në Rusi”.
Marrë nga “The Guardian”, Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



