Nga Gazeta “Si” – Çdo 29 prill, “Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit” celebron një nga gjuhët më universale të njerëzimit, lëvizjen.
Që nga viti 1982, kur kjo datë u shpall nga “Instituti Ndërkombëtar i Teatrit” (ITI), ajo shërben si një kujtesë e fuqisë së vallëzimit për të ndërtuar ura përtej kufijve politikë, kulturorë apo gjuhësorë.
Këtë vit, mesazhin e përzgjedhur të kësaj dite e sjell një legjendë e gjallë e skenës botërore: Mikhail Baryshnikov. Artist i përmasave historike, i lindur në Riga të Letonisë dhe me një karrierë të jashtëzakonshme në skenat më prestigjioze të botës, ai përçon një reflektim sa poetik, aq edhe i dhimbshëm për rolin e artit sot.
“Thuhet shpesh se vallëzimi mund të shprehë të pashprehshmen. Gëzimi, pikëllimi dhe dëshpërimi bëhen të dukshme; trupëzime të brishtësisë sonë të përbashkët. Në këtë mënyrë, vallëzimi mund të zgjojë empatinë, të frymëzojë mirësi dhe të ndezë dëshirën për të shëruar, jo për të lënduar…” shkruan Baryshnikov
Në një kohë kur luftërat, trazirat politike dhe protestat kundër padrejtësive janë pjesë e realitetit global, fjalët e tij marrin një peshë të veçantë. Ai e sheh trupin dhe artin si mjete të ndershme të reflektimit dhe ndërgjegjësimit.
“Kujt i përgjigjem?”, pyet ai. “Ku është e vërteta ime?”
Ky mesazh vjen jo nga një artist i zakonshëm, por nga një njeri që ka qenë vetë dëshmitar dhe pjesëmarrës në dramat e shekullit të kaluar. Karriera e Baryshnikov nisi me Baletin Kirov në Shën Petersburg, për të vijuar në Perëndim, ku shkëlqeu si solist në Baletin Amerikan dhe më pas në Baletin e Qytetit të Nju Jorkut. Ai ka bashkëpunuar me emra legjendarë si George Balanchine dhe Jerome Robbins, ka drejtuar artistikisht institucione, ka mbështetur breza të rinj artistësh dhe sot vazhdon të jetë një qendër graviteti për artin multidisiplinar përmes “Baryshnikov Arts” në New York.

Por përtej madhështisë së tij artistike, është ndjeshmëria njerëzore ajo që përçon mesazhi i këtij viti. Vallëzimi, thotë ai, nuk është vetëm spektakël por është dëshmi e shpirtit, është përgjigje ndaj dhimbjes, ndaj gëzimit, ndaj së panjohurës.
Një datë me histori dhe simbolikë
29 prilli është zgjedhur si “Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit” për të nderuar Jean-Georges Noverre, reformatorin e madh të baletit që i dha kësaj forme arti një dimension dramatik dhe shprehës. Në frymën e këtij trashëgimi, mesazhi i çdo viti përpiqet të rikujtojë se vallëzimi është më shumë se një akt estetik, është akt njerëzor.
Duke reflektuar mbi fjalët e Baryshnikov: në një botë ku fjalët shpesh dështojnë, ndoshta është trupi ai që duhet të flasë. Dhe vallëzimi ai i skenës, i rrugës, i shpirtit mund të jetë gjuha që na bashkon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.