Aplikimet për përfitimin e fondeve në mbështetje të bujqësisë nga IPARD III do të nisin në fillim të marsit.
Në total fondet janë 146 mln euro dhe programi planifikon të zbatojë 9 masa, nga të cilat 5 janë të reja.
Gjithashtu nën këtë program ka edhe sektorë të rinj që do të marrin fokus kryesor si sektori i ullirit dhe vajit të ullirit, bimët mjekësore dhe aromatike dhe përpunimi i produkteve të peshkimit.
Masat e reja mbështetëse, sipas ministrisë të Bujqësisë do të jenë : “Agro-mjedis-klimë dhe bujqësi organike” që synon të promovojë praktikat e menaxhimit të bujqësisë dhe metodat e prodhimit me një buxhet grant rreth 2.5 mln euro.
“Zbatimi i strategjive të zhvillimit lokal – Qasja LEADER” mbështet grupet lokale të veprimit, që përfaqësojnë një gamë të gjerë partnerësh privatë dhe publikë multi-sektorialë, në zbatimin e strategjive të tyre të zhvillimit lokal me një buxhet grant rreth 4.8 milionë euro.
“Investime në infrastrukturën publike rurale” synon zhvillimin ekonomik, social dhe territorial të zonave rurale nëpërmjet zhvillimit të infrastrukturës fizike me një buxhet grant prej 16 milion euro.
“Shërbimet këshillimore” me objektiv forcimin e shërbimeve këshillimore, të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e performancës ekonomike dhe mjedisore të fermave dhe mikrondërmarrjeve rurale me një buxhet grant prej 2.9 milion euro (buxhet i ri i shtuar);
“Ngritja dhe mbrojtja e pyjeve” promovon restaurimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e ekosistemeve pyjore duke trajtuar sfidën e ndryshimeve klimatike me një buxhet grant prej 7.1 milion euro (buxhet i ri i shtuar). Në total 5 masat e reja do mbështeten me 33mln euro.
Ndërsa masat ekzistuese që do të vijojnë të mbështeten me fondet e IPARD III janë investimet në asetet fizike në fermat bujqësore, investime në asetet fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit dhe diversifikimi i fermës dhe zhvillimi biznesit.
Nga katër thirrjet e IPARD II janë disbursuar 54.3 mln euro fonde për 479 biznese.
Në total për përfitim fondesh kanë aplikuar 1.189 subjekte. Investimet nga IPARD II llogariten në vlerën e 144.6 mln eurove.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



