Njerez

Në luftë me kohën për mbijetesën e zejeve beratase

Adelina Theodhori e do shumë Beratin dhe nuk ka menduar që të largohet ndonjëherë prej tij. Nuk ka nevojë të ta artikulojë sepse ti e kupton që në bisedën prezantuese me të. E kam takuar vetëm tre herë dhe natyra e saj shprehëse, pasionante, të lë të kuptosh se ajo do të bënte gjithçka që Berati i saj i dashur të ishte në tabelën e nderit për çdo gjë.

Adelina nuk ka fjalë boshe që të ngopë me premtime. Adelina flet, por tregon veprat e saj. Pas 30 vitesh ajo me vullnetin dhe dëshirën e saj ka mbërritur t'i rizbulojë e t'i rikthejë Beratit zejet për të cilat ai, veç të tjerash, ndjehet. Këtë e ka bërë përmes themelimit të qendrës “Margarita”, në kujtim të heroinës beratase Margarita Tutulanit.

Adelina është me profesion ekonomiste, por e ka kuptuar herët që, në epokën ku jetojmë, aftësitë janë ato që të “nxjerrin në dritë”. Dhe thënë këtë, Adelina bën çfarë i sheh syri.
Tek bisedojmë më tregon për usta Llazarin. Një burrë të moshuar beratas tek të 78-at, i cili ka punuar në punishten e baltës në ndërmarrjen artistike të Beratit, qysh sapo kishte dalë nga bankat e shkollës dhe deri sa doli në pension. Adelina më rrëfen se usta Llazi me ndryshimin e sistemeve emigroi në Greqi ku nuk e la zanatin e vet.

“Është i kualifikuar me të gjitha vlerësimet e kategorive të asaj kohe (periudha e socializmit). Një jetë të gjithë me baltën. Në vitin 2017, kur vjen në Berat mëson se është hapur një qendër artizanati.
U ofrua për të dhënë ndihmesën e tij, për të mësuar të rinjtë. Është i vetmi në Berat si mjeshtër i punimit të baltës dhe dëshira për të mos këputur zinxhirin e këtij arti e zanati njëkohësisht, pasi në familjen e tij nuk ka kujt ia trshëgon, vendosi të qëndrojë në Berat për tua dhënë të rinjve. Por nuk mjafton veteëm dëshira e usta Llazarit. Gatishmëria që ka qendra për të ofruar tek të rinjtë zanatet dhe për të ruajtur trashëgiminë kultuorore është e madhe, por jane financat ato që e bëjnë të vështirë hapjen e kesaj punishte. Dëshira,vullneti dhe këmbëngulja janë”, më tregon Adelina.

Ajo e ka një punë në shtet për të jetuar, por siç më rrëfen, ajo që e bën të jetojë me pasion është qendra “Margarita”. Kur i them të më rrëfejë histori që asaj i kanë bërë përshtypje, si ajo e usta Llazarit, ajo përpiqet të më tregojë performancën e qendrës në sytë e zyrtarëve të lartë, takimet, dekoratat, vlerësimet.

Por ta di Adelina që puna e saj dhe ajo që po bën për Beratin vlen shumë, shumë më shumë se një falenderim dhe se sa puna e gjithë atyre zyratërëve që shkojnë në Berat për qoka, nuk do ta konsideronte aq të rëndësishme vlerësimin e tyre formal…

Si dhe kur ka nisur Qendra e Artizanatit ‘’MARGARITA’’?

Lëvizja e artizanëve që sot mban emrin ‘’MARAGRITA’’ ka filluar në pranverë të vitit 2013.
Nisma me emrin “TRADITA NË QYTETIN TIM” filloi nga një grup artizanësh të lagjes “Mangalem’’. Kjo lagje ka qenë djepi i artizanëve të Beratit, pasi shumë nga banorët e dikurshëm të kesaj lagje, por edhe sot kanë në mbiemrat e tyre zanatin qe kanë ushtruar në breza; psh. Jorganxhiu, Kaldremxhiu, etj.

Çfarë kishe në mendje kur e hape dhe çfare doje të arrije?

Domosdoshmëria për një punë dhe pasioni për qëndisjen bëri që ; pasionin ta kthej në profesion si dëshira për të perfaqësuar një kategori zejtarësh që bartin vlera të mëdha dhe nga koha nuk po përfilleshin. Prej 30 vitesh kjo kategori nuk kishte asnjë lloj kujdesi nga shteti.

Përse u quajt ‘’Margarita’’?

Për të lartësuar figurën e vajzës beratase. ( si luftëtare dhe si qëndistare)
Qendra e Artizanatit në Berat mban emrin e Heroines së Popullit Margarita Tutulani.
Lëvizja e artizanëve filloi në pranverë të 2013-ës, por mori emrin ‘’Margarita ‘’më 29 Korrik 2015.

Sa artizanë numëron sot qendra?

Qendra ka rreth 50 artizanë, por punojmë edhe për të nxitur të rinjtë drejt zejeve. Artizanët vijnë nga lagje të ndryshme të qytetit dhe janë në profile të ndryshme; punimi i baltës , punimi i qirinjve, drugdhendje, qendistari, punime me shtiza , riciklime, etj.

Cila është puna juaj konkrete?

Puna ime konkrete është organizimi i artizanëve, zbatimi i projekteve të ndryshme që bëhen në bashkëpunim me bashkinë dhe me donator sipas rastit, përfaqësimi në takime të ndryshme, organizimi i panairëve në qytet në të gjithe territorin e Shqipërisë.

Një nga takimet e rëndësishme që kujtoj është pritja e Dr të UNESCOS , IRIN BUKOVA (Panairi Urat e Ballkanit flasin ). Po ashtu edhe pritja e Dr të Bankës Botërore në panairin e organizuar me artizanë nga e gjithë Shqipëria.

Inagurimi i zyrës që na mundësoi Bashkia Berat me pjesëmarrjen e kr/të bashkisë dhe katër deputet, ka qenë një tjetër ngjarje e rëndësishme. Gjithashtu edhe vizita e Ambasadores së BE-së, zonjës Vlahotin.

Në sa panaire keni marrë pjesë brenda dhe jashtë vendit?

Brenda vendit kemi marrë pjesë në 60 panaire; nga Kukësi deri në Sarandë , 3 panaire ndërkombëtare të zhvilluara në Tiranë dhe 4 panaire ndërkombetare jashtë Shqipërisë në ( Turqi, Itali, Bruksel,Kosovë).

Përveç panaireve, si i ekspozoni produktet e artizanëve?

Nëpërmjet katalogëve, nëpërmjet profilit të qendrës në Fb ,vetë artizanët kanë profilet e tyre , nëpërmjet shtëpizave të drurit që janë pika shitjeje për produktet e artizanëve , me porosi nëpërmjet kontakteve që krijojmë nga panairet, etj.

Cilat punime pëlqehen më shume nga të huajt?

Produktet me përmasa të vogla, punime në dru , në gurë, qendisje në formën e suveniereve.
Cilat punime pëlqehen nga vendasit?

Të gjitha llojet e punëve pasi janë artizanale dhe bëjnë porosi edhe për produkte me përmasa të medha. Sepse kanë mundësi ti transportojnë brenda vendit.

Si ka ndikuar qendra ‘’MARGARITA” në aspektin e trashëgimisë kulturore?

Duke bërë trajnime në grupmoshat e reja dhe duke punuar me fanatizëm me format e punës tradicionale që vijnë nga gjyshet, nënat edhe vjehrrat tona.

Turistët vendas dhe të huaj largohen në fund duke blerë një produkt artizanal për kujtim, duke ndikuar sadopak në ekonominë e artizanëve dhe duke vizituar nga afër punishtet e tyre.

Cilat janë planet e qendrës për zhvillimin e mëtejshëm?

Hapja e klasave për të trajnuar të rinj në zeje të ndryshme; Trajnimi i artizanëve për të ritur cilësinë e produkteve që të konkurojnë në treg; por edhe ngritja e tre punishteve që ka vite që janë mbyllur (punimi i baltës, i thuprës dhe qilimave). Sot pas 6 vitesh pune, qendra “Margarita” ka arritur shumë. Në bashkëpunim me partnerë dhe bashkinë, kemi ngritur struktura në çdo lagje të qytetit; Promovon brenda dhe jashtë kufijve zejet e vjetra dhe artizanët; Kemi nxjerrë dy katalogë një për artizanë dhe një për produkte turistike; Kemi ngritur në bashkëpunim me bashkinë shtëpizat e drurit në pedonale për shitjen e produkteve, Kemi përfaqësuesin tonë në Bordin e Dhomës Kombëtare të Zejtarisë si edhe bashkëpunojmë me shkollat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë