Rend dhe Ligj

Në krye të AMP-së emërohet Ardi Veliu, mirëpritet nga ministria e Brendshme

Gazeta Si – Ashtu siç ishte paralajmëruar, Ardi Veliu është prezantuar këtë të premte si Drejtori i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Ish-drejtori I Policisë së Shtetit, do të zëvendësojë në këtë post Muhamet Rrumbullakun, një kandidat i mundshëm për të marrë postin e lënë bosh pas shkarkimit të Gledis Nanos si kryepolici i vendit.

Në një njoftim për mediat, Ministria e Brendshme thotë se ish-Drejtori Rrumbullaku drejtoi Agjencinë me rezultate të larta në një proces reformimi, duke u shndërruar në një strukturë më civile në ushtrimin e kontrollit dhe mbikëqyrjen e Policisë së Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin Zjarrfikës.

Së fundmi, Veliu mbante postin si zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, por u lirua nga kjo detyrë për t’u rikthyer sërish në strukturat e policisë.

“Drejtor Veliu emërohet në krye të AMP pas një përvoje të gjatë menaxheriale në strukturat e Policisë së Shtetit, si dhe detyrës si zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai u angazhua për vijimin e punës, në thellimin e reformave të nisura”, thuhet në njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë