Njerez

Në Korçën e mikëpritjes … së virusit

Në një kohë tepër të vështirë për të gjithë, më ra rruga nga qytetet më mikëpritëse që ka Shqipëria,në Korçë. Por veç mikëpritjes e qetësisë që të jep ky vend këtë herë mora edhe zhgënjimin. Përreth qytetit kishte aq pak njerëz që mbanin maska sa unë që e kisha ndjehesha çuditshëm. Nga e gjithë kjo gjëndje, në buzë rrugës për të hyrë në pazarin e qytetit pyeta një shitëse, e cila gjithashtu nuk kishte maskë, se përse nuk ndiqej urdhëri këtu në Korçë e me të qeshur më tha se “ju andej nga qytetet e mëdha të keni kujdes nga virusi po ne s’na gjen gjë”. E ashtu shpejtë e shpejtë u drejtua nga malli që shiste për të më prezantuar një kapele.

Foto ilustruese

Më tej në brendësi të ambienteve të pazarit në kohën kur shkova unë kishte pak njerëz, por distanca e karrigeve nuk llogaritej. Ilmiu një nga klientët e përhershëm në lokalet e pazarit, tha se virusi nuk e ndryshoi Korçën edhe pse ka pasur shumë raste infektimesh. “Këtu njëlloj ka qenë, lokalet kështu i kanë mbajtur tavolinat se nuk ka edhe shumë hapsirë për t’i vendosur më larg. Në këtë periudhë punojnë të paktën se qyteti i vogël edhe vështirë,” më tregoi. Gjithashtu, më tha se njerëzit në këtë qytet të vogël njiheshin me njëri tjetrin, e e dinin se kush ishte sëmur dhe nuk takoheshin me ta dhe se maskën e mbain vetëm ata që kishin sëmundje të tjera. Por mesa dukej korçarët nuk e dinin se virusi nuk do të dijë për njohje por për kujdes. Pas bisedës me Ilmiun,  në moment më vërshoi një hije dyshimi se kjo gjëndje ishte edhe në qytetet e tjera të vogla si Korça. Shpesh herë vëmendja jonë përqëndrohet në vendin ku jetojmë edhe ku përpiqemi të jemi sa më të kujdesshëm, por virusi nuk është vetëm në Tiranë.

Përgjatë rrugës nga Pazari i Korçës deri tek Katedralja tek tuk mund të shije ndonjë njeri me maskë. Kur po i afrohesha një gruaje e cila e mbante maskën, më tha t’i qëndroja pak larg. “Unë janë e sëmur dhe kam edhe shumë frikë, rrallë herë dal, sa të mbarojë kjo punë,” tregoi ajo duke ecur. Por më tej shihje edhe shitëset nëpër dyqane që nuk e mbanin maskën, e të cilat nuk pranuan të flisnin. Vetëm dy prej tyre, belbëzuan nën zë duke thënë “ke ardhur t’i e na flet për maskë e distancë, ose do të të japim ty shpjegim”. Ndërkaq njerëzit në rrugë të shihnin çuditshëm. Nuk e di nëse e kishin nga maska që mbaja, por pakujdesi ishte tepër i madh në Korçën e preferuar të të gjithëve. Njerëz që pyeta rastësisht në rrugë më thanë se maskat i mbajnë ata që janë sëmurë. Kur i pyeta se nuk kishin frikë nga gjobat që do të merrnin (duke përdorur një mënyrë tjetër për të kuptuar se për se nuk ishin të rëndësishme masat në këtë qytet), ata më tha se nuk kishin nga kush t’i merrnin gjobat. Për zgarat e famshme të vendit, nuk më bëhet të flas sepse mesa dukej akti normativ për largësinë dy metra nuk kishte arritur deri atje.

Të premten, shifrat zyrtare treguan se në këtë qytet ka 911 raste aktive me Covid-19, ku vetëm dje janë shënuar 16 raste. Shifrat janë një tregues i qartë se numri i infektimeve është i lartë dhe pakujdesitë nuk duhen toleruar. Përreth qytetit pash shumë mirësjellje (gjë që korçarëve nuk i’u mungon asnjë herë) e pak kujdes për gjëndjen në të cilën jemi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë