Gazeta Si – Bilanci i viktimave të pafajshme të sulmeve me armë dhe tritol në përplasje mes bandave kriminale apo atentate të planifikuara, është rritur një ditë më parë pas masakrës së ndodhur në Shkodër.
Në lagjen Dobraç, përveç Hamza Licit dhe Arlind Bushatit, të dyshuar si shënjestër, humbi jetën edhe Flutura Basha, e cila me bashkëshortin e saj po udhëtonin me motoçikletë.
Çifti u përplas me mjetin me të cilin po udhëtonin dy viktimat në momentin e të shtënave. Ndërsa Flutura humbi jetën në vend, Bashkim Basha po lufton për jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Faji i tyre në këtë masakër? Absolutisht të pafajshëm, përveç faktit dhe fatit të keq se po udhëtonin në vendin dhe momentin e gabuar.
Po ky nuk është rasti i vetëm, ku krimi prek të pafajshmit, duke i marrë jetën në mes të rrugës në punë të tyre, në lokal duke pirë kafe, gjatë punës apo edhe në shtëpi. Gazetasi.al po publikon një zinxhir ngjarjesh të ndodhura të paktën në 10 vitet e fundit.
Vrasja e kamerierit dhe klientit në Memaliaj
Mbrëmjen e 21 korrikut 2024, në një lokal në Memaliaj mbetën të vrarë Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit, i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, kamerieri Gledio Muka dhe klienti Marsel Çela.
Shënjestër e atentatit ishte Shyqyri Kalemi, por krahas tij plumbat nuk kursyen as Gledio Mukën, i cili ishte në orarin e punës dhe as klientin e lokalit, Marsel Çela, i cili kishte zgjedhur që atë mbrëmje korriku të pinte një kafe.
Vrasja e banakieres në “Don Bosko”
E ndodhur në vendin dhe kohën e gabuar, ishte edhe banakierja Mimoza Paja në një lokal në zonën e “Don Boskos”.
Ngjarja ndodhi në Tiranë në 12 mars 2023, ku autorët, në përpjekje për të vrarë shënjestrën e tyre nga një automjet në lëvizje, i morën jetën 58-vjeçares Mimoza Paja, e cil ishte në vendin e saj të punës.
Nga kjo ngjarje nuk u kursye as mbesa e saj e mitur, e cila mori lëndime nga thyerja e xhamave. Ndërsa 5 persona të tjerë morën plagë në pjesë të ndryshme të trupit nga plumbat por pa rrezik për jetën.
Atë pasdite të 12 marsit, u qëllua me breshëri plumbash lokali i Fatjon Muratit, person i shumëkërkuar nga autoritetet, i dyshuar si përfshirë në masakrën e Fushë Krujës me 3 viktima.
Vrasja e Enea Thomaraj në Elbasan me tritol
Një tjetër ngjarje tragjike është edhe ajo e 29-vjeçarit Enea Thomaraj, i cili fillimisht u plagos rëndë nga tritoli që iu vendos në banesë dy motrave Nikolli në Elbasan. I riu, pas gati dy muajsh në koma n spital, më 4 tetor ndërroi jetë nga plagët e marra.
Enea nuk kishte asnjë lidhje me motrat Nikolli apo me botën e krimit, por për fatin e tij të keq, ai humbi jetën pas tritolit që u shpërthye ngjitur me derën e banesës së tij me motrat Nikolli.
Pas ngjarjes, Xhiovana Nikolli iu drejtua me një video Nuredin Dumanit, në burg për vepra të rënda penale, duke e akuzuar si porositësin e vendosjes së tritolit në derën e banesës që qëndronte me qira.
Vrasësit ngatërrojnë objektiv, qëllojnë një të pafajshëm
Pasditen e 4 janarit 2022, 35-vjeçari Erion Çela po pinte kafe me vëllain e tij dhe disa të afërm, kur breshëritë e kallashnikovit e lanë të vdekur në vend. Ngjarja ndodhi në një lokal në rrugën “Don Bosko”, në Tiranë.
Përveç tij, mbetën të plagosur edhe 4 persona të tjerë, mes të cilëve edhe vëllai i viktimës, Blerim Çela, 28 vjeç.
Kur kaluan 9 muaj nga ajo ngjarje, Policia e Tiranës njoftoi se Erion Çela nuk kishte bërë asnjë faj dhe se autorët kishin ngatërruar objektiv duke qëlluar ndaj disa personave që nuk kishin lidhje me problemet e tyre.
Pas një aksioni të madh që çoi në arrestimin e 14 personave, policia tha se dy prej tyre, vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj, në periudha të ndryshme kohore, janë kontaktuar nga Kevin Zeneli alias Kevin Suçi dhe Ilirian Feçi, për llogari të shtetasit Kasandër Noga, kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro, për të kryer vrasjen e një shtetasi dhe të nipërve të tij, në qytetin e Tiranës.
Ata kishin planifikuar që vrasja të bëhej në zonën e Don Boskos, pasi kishin informacione se personi që do të eliminonin frekuentonte një lokal në atë zonë.
Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi Kevin Zeneli, i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, Indrit dhe Gentian Beqiraj për t’u larguar jashtë shtetit.
Kamerieri vritet gabimisht në ditën e parë të punës
Më 27 qershor të vitit 2021, vriten 4 persona në një prej lokaleve në zonën e plazhit, në Velipojë. Një nga katër viktimat e asaj masakre ishte një 20-vjeçar që nuk kishte asnjë lidhje me konfliktin e lindur mes pronarëve të dy bizneseve, që u përplasën me armë.
Ishte dita e tij e parë e punës si kamerier në biznesin e vëllezërve Gocaj, që po ashtu mbetën të vrarë.
Musaen Zeneli, nga lagjja “Bahçallëk” e Shkodrës, ishte më i vogli i familjes së tij. Në dhjetor mbushte 20 vjeç e ndonëse ishte me probleme shëndetësore, kishte vendosur të punonte, për t’i ardhur në ndihmë familjes së tij prej tre anëtarësh.
I atij, Enveri, kishte humbur jetën vite më parë në lumin Drin, ku kishte hyrë për t’u larë e që nga ajo kohë, Musaeni, apo siç i thërrisnin në Shkodër, “jetimi” jetonte me të ëmën dhe vëllain e tij 3 vjet më të madh, Erdisin.
Sulmohet me breshëri automatiku Top Channel
Më datë 27 mars 2023, rreth orës 00:30, shtetas ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri automatik model AK-47, në drejtim të godinës së Top Channel dhe për pasojë ka mbetur i vrarë shtetasi Pal Kola, 61 vjeç. Ai është qëlluar nga një plumb, që mendohej të ketë qenë rikoshetë, kur ndodhej brenda kabinës së rojës.
Po nga të shtënat është dëmtuar fasada ballore e godinës së televizionit, si dhe dy automjete të parkuara në oborr.
Autorët, pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit, dhe në orën 00:36 janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit.
Deri më sot, kjo ngjarje nuk është zbardhur ende dhe nuk ka asnjë autor.
Atentati ndaj Marklen Hakës në Nikël, vritet halla e tij
Më 21 shtator të vitit 2021, Marklen Haka, i arrestuar së fundmi nga policia dhe i akuzuar si i dyshuar për precedentë penalë, mbeti i plagosur në një atentat në derën e shtëpisë së tij në Nikël të Krujës.
Por në këtë ngjarje mbeti e vrarë halla e tij, Shpresa Basha, 50 vjeçe. Pak momente para se në drejtim të tij të qëllohej më shumë se 100 herë, kushëriri e kishte lajmëruar për disa persona të dyshimtë që ndodheshin rrotull shtëpisë ku ai ndodhej. Policia ka marrë në pyetje të afërmin e 28-vjeçarit Marklen Haka, si një ndër dëshmitarët kryesorë të ngjarjes. Grupi hetimor dyshon se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, edhe pse nuk k asnjë autor deri tani.
Breshëria te Lulishte “1 Maji” vritet një vajzë dhe një djalë
Më 1 tetor të vitit 2015, 29-vjeçarja Aurora Oskia, u vra me 10 plumba tek Lulishte “1 Maji”, në Tiranë. Personi i dytë që mbeti i vrarë në atentat, ishte 22-vjeçari Kevin Rugova.
Në makinën tip “BMVV” të parkuar, ku ndodheshin 4 persona, shoqja e Aurorës, Eda, shpëtoi pa asnjë gërvishtje. I dashuri i Oskias, Elvis Gaçaj, që ishte në timon u plagos me dy plumba, i cili rezultoi të ishte objektiv i sulmit. Ishte vetëm fati i tyre i keq, që u gjendën në kohën dhe vendin e gabuar.
Dy autorët e vrasjes së dyfishtë janë dënuar, njëri me burg përjetë, Sael Sulaj dhe tjetri, Vasiel Çavo me 35 vjet me akuzën për vrasje në rrethana cilësuese, armëmbajtje pa leje dhe shitje e shpërndarje të lëndëve narkotike.
Ata pretenduan se kishin si shënjestër Elvis Gaçajn, pasi sipas tyre i dhunonte herë pas here për shkak të marrëdhënies që kishin së bashku në shpërndarjen dhe shitjen e lëndëve narkotike në zonën e Tiranës së Re.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.