Shendet

Në Kinë zbulohet një virus i ri i transmetuar nga rriqrat, mund të prekë edhe trurin

Sipas "New England Journal of Medicine", pacienti i parë daton në vitin 2019. Të paktën njëzet persona të tjerë janë prekur. Simptomat: ethe, marramendje, dhimbje koke

Gazeta Si - Shkencëtarët po japin alarmin: një virus që transmetohet nga rriqrat që mund të shkaktojë infeksione shumë serioze të trurit, është zbuluar te njerëzit për herë të parë në Kinë. Pacienti zero është një burrë 61-vjeçar i shtruar në një spital në Jonzhou, provincën Liaoning.

Burri thuhet se është pickuar nga rriqrat, teksa vizitonte një park në Mongoli. Simptomat e raportuara të pacientit, të cilat përfshinin ethe, dhimbje koke, të vjella, oreks të dobët dhe ënjtje të nyjeve limfatike, u zhvilluan pesë ditë pas vizitës së tij në spital dhe atij iu dhanë antibiotikë.

Vetëm kur simptomat nuk u lehtësuan, mjekët kuptuan se burri vuante nga një infeksion viral dhe jo bakterial.

Testet e gjakut më pas identifikuan një ortonairo-virus të panjohur më parë, një grup virusesh të lidhura, shumë prej të cilëve transmetohen nga rriqrat. Që atëherë, të paktën njëzet persona të tjerë janë shtruar në spital në Kinë me virusin e ri.

Antitrupat kundër virusit

Virusi i ri (i quajtur virusi i ligatinave WELV), u izolua në qershor 2019, por vetëm pak ditë më parë rasti u përshkrua në detaje nga "New England Journal of Medicine".

Studiuesit gjithashtu analizuan gjakun e një grupi rojtarësh pylli në dukje të shëndetshëm dhe zbuluan se 12 nga 640 mostrat, përmbanin antitrupa kundër këtij virusi të ri.

Ata hetuan gjithashtu pacientë të shtruar në katër spitale të ndryshme në Kinën Verilindore në kërkim të njerëzve që kishin raportuar ethe brenda një muaji pas pickimit të rriqrës dhe rreth njëzet rezultuan pozitivë.

Simptomat

Personat e infektuar me WELV vuajnë kryesisht nga marramendje, dhimbje koke, dhimbje shpine, të përziera, diarre, por testet kanë treguar gjithashtu se virusi mund të shkaktojë dëmtim të indeve dhe probleme me koagulimin e gjakut. Në disa raste infeksioni mund të prekë trurin, duke shkaktuar sëmundje neurologjike.

Veçanërisht, një nga pacientët me virus pozitiv shkoi në koma, pasi shfaqi nivele të larta të qelizave të bardha të gjakut në lëngun cerebro-spinal. Sipas studiuesve, të gjithë pacientët dolën brenda dy javësh nga spitali.

Eksperimentet laboratorike

Eksperimentet laboratorike te minjtë, treguan më pas se WELV mund të shkaktojë infeksione serioze, shpesh fatale që prekin organe të shumta, duke përfshirë trurin dhe sistemin nervor.

Kjo sugjeron, se ndërsa virusi mund të jetë i butë në disa raste, ai mund të shkaktojë probleme më serioze shëndetësore te pacientët më të cenueshëm.

"Në përgjithësi, këto të dhëna sugjerojnë se një ortonairo-virus i sapo zbuluar, WELV, është patogjen për njerëzit dhe qarkullon midis njerëzve, rriqrave dhe kafshëve të ndryshme në Kinën verilindore", - thanë studiuesit.

Në veçanti, virusi i ligatinave mund të transmetohet nga rriqrat “Haemaphysalis concinna”, një specie e rriqrave të brejtësve që gjendet kryesisht në Kinë, Rusi dhe Evropën Qendrore, megjithëse hulumtimet kanë treguar se të paktën katër lloje të tjera rriqrash mund të jenë vektorë të mundshëm të virusit.

WELV është zbuluar edhe te delet, kuajt dhe derrat. Studiuesit sugjeruan se "përmirësimi i mbikëqyrjes dhe zbulimit të ortonairo-viruseve në zhvillim do të sigurojë një kuptim më të mirë të efektit të këtyre viruseve në shëndetin e njeriut".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë