Gazeta “Si” -Artisti, shpikësi dhe anatomisti Leonardo da Vinçi ishte shembulli i “njeriut të Rilindjes” dhe shkencëtarët synojnë të zbulojnë sekretet e gjeniut të tij në një nivel gjenetik. Por ka një problem: Më shumë se 500 vjet pas vdekjes së tij në 1519, ADN-ja e Leonardos ka rezultuar thuajse e pamundur për t’u gjetur.Ai nuk pati fëmijë, dhe vendvarrimi i tij në Kapelën e Shën Florentit në Amboise, Francë, u shkatërrua gjatë Revolucionit Francez në fund të viteve 1700.
Disa kocka thuhet se janë rimarrë nga rrënojat dhe janë varrosur përsëri, por identiteti dhe autenticiteti i tyre ka qenë i debatueshëm.Në mungesë të mbetjeve të verifikuara, shkencëtarët që marrin pjesë në Leonardo da Vinci Project kanë zgjedhur një qasje të zgjuar: marrjen e mostrave nga artefakte të lidhura me polimatikun italian për ADN. Leonardo la pas një pasuri të madhe pikturash, vizatimesh dhe letrash, gjëra që ai ka prekur dhe që mund të përmbajnë gjurmë të materialit gjenetik edhe sot.
Ekipi i projektit mori mostra nga letra të shkruara nga një i afërm i largët i Leonardos, si dhe nga një vizatim i quajtur “Holy Child”, që mund të jetë krijuar nga vetë artisti. Tregtari i artit, i ndjeri Fred Kline ia atribuoi veprën Leonardos, por ekspertë të tjerë kanë kundërshtuar autenticitetin e saj. Ekipi gjeti një sasi të madhe ADN-je në vizatim dhe në një nga letrat, përfshirë bakteret, bimët dhe një sekuencë që përputhej me kromozomin Y të një mashkulli. Gjetjet u publikuan më 6 janar në një studim që nuk është rishikuar ende nga kolegët shkencëtarë.
“Ka shumë material biologjik që vjen nga individi dhe mund të gjurmohet në një copë letre ose kanavacë që e thith atë,” tha bashkautori i studimit, dr. Norberto Gonzalez-Juarbe, profesor i asistencës në departamentin e biologjisë qelizore dhe gjenetikës molekulare në Universitetin e Maryland, College Park.
“Dhe nëse e mbulon me ngjyrë, ka një lloj shtrese mbrojtëse mbi të.”
Marrja e mostrave nga objektet për ADN mund të jetë një proces shkatërrues. Anëtarët e projektit, të vetëdijshëm për vlerën e paprekshme të këtyre objekteve, fillimisht synuan të identifikojnë një teknikë minimale invazive që mund të kapë gjurmë të mbetura gjenetike nga veprat dhe dokumentet. Pas testimeve, ekipi vendosi që swab-i i thatë (copë materiali thithës, shpesh shkop ose shufër, që përdoret në kirurgji dhe mjekësi për pastrimin e plagëve, aplikimin e ilaçeve ose marrjen e mostrave) mund të mblidhte ADN të mjaftueshme pa dëmtuar veprën.

“Materiali gjenetik nga “Holy Child” ofroi një pamje të përbërë të mjedisit ku u krijua dhe ruajt vepra gjatë 500 viteve të fundit” tha Gonzalez-Juarbe. Pas përjashtimit të mundësisë së kontaminimit mjedisor, si pluhuri, ekipi identifikoi shenja specifike bimësh, kafshësh dhe organizmave që sugjeronin se vepra kishte origjinë në Itali. Gonzalez-Juarbe dhe bashkëautorët gjetën ADN të pemës së portokallit në vizatimin e shekullit 15, që ata besojnë se mund të ketë ardhur nga kopshtet e familjes Medici , të famshme për pemët e rralla të agrumeve në rajonin e Toskanës në Itali. Ekipi gjithashtu detektoi ADN të derrave të egër. Furçat e pikturës të bëra nga qimet e këtyre kafshëve ishin të zakonshme gjatë Rilindjes dhe krijonin një teksturë të veçantë për pikturat me vaj.
“Jemi 100% të sigurt që kjo ADN e derrit vjen nga furça e pikturës. Përputhet me atë që dimë nga historia e artit,” tha Lee.
Pista e kromozomit Y
Lee dhe ekipi i tij analizuan sekuencat e kromozomit Y në një nga letrat dhe vizatimi dhe zbuluan se ato ishin gjenetikisht të lidhura. Ata krahasuan këto shenja me një panel prej rreth 90,000 shenjash të njohura në kromozomin Y, që ndihmoi për të përcaktuar se ADN-ja i përkiste haplogrupit E1b1. Haplogrupet kategorizojnë njerëzit që kanë një paraardhës të përbashkët, të identifikuar nga variacionet gjenetike të gjurmueshme përmes linjës paterne (kromozomi Y) ose linjës materne (ADN mitokondriale). ADN-ja e kromozomit Y është nga rajoni i Toskanës, duke u përputhur me vendin ku Leonardo lindi dhe jetoi. Para këtij studimi, Leonardo nuk ishte lidhur me ndonjë haplogrup të njohur. Identifikimi i të njëjtit kromozom Y në objekte të tjera mund të përdoret gjithashtu për të vendosur nëse “Holy Child” është vërtet vizatim i Leonardos për të zgjidhur debatin mbi autenticitetin.
Megjithatë, disa ekspertë dyshojnë për materialet që duhen përdorur në kërkimin e ADN-së së Leonardos. Francesca Fiorani, profesoreshë e historisë së artit në Universitetin e Virginisë, tha se materialet e zgjedhura nuk ishin më të përshtatshmet për përpjekjen për rindërtimin e ADN-së së Leonardos. Megjithatë, metodologjia e përdorur mund të çojë në marrjen e suksesshme të ADN-së së Leonardos në të ardhmen, tha S. Blair Hedges, profesor i biologjisë dhe drejtues i Qendrës për Biodiversitetin në Universitetin Temple. Asamblimi dhe përfundimi i gjetjes së gjenetikës së Leonardos do të kërkonte verifikimin e ADN-së nga pasardhësit dhe ndoshta nga vetë mbetjet e tij, për t’u krahasuar me fragmentet gjenetike të marra nga artefaktet.

Kërkimi i gjeniut
Grupet e ndryshme të kërkimit po vazhdojnë punën për projektin Leonardo da Vinçi. Ekipi i Gonzalez-Juarbe po punon me qeverinë franceze për të marrë mostra nga artefakte të Leonardos të ruajtura në Francë, duke u përqendruar më shumë tek vizatimet dhe shënimet e tij më pak të njohura. Lee dhe Gonzalez-Juarbe shpresojnë që të gjitha studimet e ndara të bashkohen në një pikë.
“Dhe nëse të gjitha tregojnë se E1b1 shfaqet vazhdimisht në këto rrugë të ndryshme, atëherë mund të kontrollojmë ato kocka dhe të shohim nëse përmbajnë E1b1,” tha Lee.

“Dhe nëse e bëjnë, atëherë mund të themi me një probabilitet të lartë se Leonardo e mbante kromozomin Y E1b1.”Puna për të kuptuar se cilat shenja gjenetike kishte Leonardo mund të përdoret më pas për të kuptuar aftësitë e tij të vizionit. Megjithatë, objektet e lidhura me Leonardon ruhen shumë nga konservatorët, dhe bindja e pronarëve privatë është gjithashtu një sfidë, tha Lee. Për momentin, ekipi nuk di se çfarë do të gjejë, ose nëse do të çojë në zbulimin përfundimtar të ADN-së së Leonardos.
“Është si të shikosh një film. Nëse e di fundin, nuk ka kënaqësi. Por kur të befasohesh, nuk e di çfarë do të ndodhë. Kjo e bën udhëtimin më të kënaqshëm,” tha Lee.
Burimi: CNN. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



